Të dekurajohen azilkërkuesit nga Ballkani
9 Maj 2015Azilkërkuesit në Gjermani janë trajtuar deri tani pak a shumë njësoj - me përjashtim të disa kontigjenteve të veçanta, si të refugjatëve nga Siria. Kjo tani do të ndryshojë, deklaroi Ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere pas një takimi të nivelit të lartë të refugjatëve në Zyrën Kancelarore. "Neve na nevojitet fuqia e diferencimit përmes procedurave të ndara", tha De Maiziere, "nga pranimi deri në kthim." Në të ardhmen duhet bërë dallim midis refugjatëve, që kanë një shans të madh për të qendruar dhe atyre "për të cilët duam që të largohen nga vendi ynë."
Ai shpreson që ky mesazh i takimit të nivelit të lartë të ketë edhe një efekt psikologjik në shtetet e Ballkanit. Atje me siguri që perceptohet me shumë me vëmendje, "çfarë bëjmë ne".
Vetëm pak javë deri në kthim pas
Në katër muajt e parë të këtij viti, gjysma e azilkërkuesve ka ardhur nga Ballkani Perëndimor - pra nga shtete që ose konsiderohen "shtete të sigurta të origjinës", shkak për të cilin aplikuesit nuk kanë thuajse asnjë shans për të marrë azil, ose nga shtete si Shqipëria, shtetasit e së cilës kanë një kuotë pranimi nën dhjetë përqind, shpjegoi De Maiziere. Numri i azilkërkuesve nga ky rajon do të pakësohet.
Konkretisht, De Maiziere shpjegoi që refugjatë me më pak shanse për të marrë azil do të strehohen së bashku. Kështu që që prej strehimit të tyre të kthehen në mënyrë më të koncentruar. Vetëm pak javë do të zgjasë derisa të zbatohet vendimi i kthimit. Deri tani, kthimi konsekuent i azilkërkuesve të refuzuar dështon edhe për shkak të faktit se njerëzit strehohen në vende të ndryshme. Procedura më e shkurtër e synuar do të ndikojë që të bëhet "më normal" kthimi, plotësoi kancelarja Angela Merkel.
2000 vende shtesë
Kjo do të arrihet kryesisht duke shtuar numrin e personelit. Në mënyrë graduale, Në Zyrën Federale për Migrimin dhe Refugjatët do të shtohen 2000 vende të tjera pune. Që këtë vit janë planifikuar 750 vende pune shtesë. Edhe në Policinë Federale dhe në Ministrinë e Jashtme gjermane do të ketë më shumë personel. Si rrjedhoj do të mund të përpunohen në mënyrë më të koncentruar 200.000 rastet e vjetra, në të cilat procedura ka zgjatur më shumë se një vit.
Megjithatë masat nuk janë vendosur. Kjo do të ndodhë në një takim të nivelit të lartë midis Federatës dhe landeve gjermane nmë 18 qershor. "Fryma e bisedave të sotme" e ka bindur, që këto masa edhe do të zbatohen, tha Angela Merkel. Këtu bëjnë pjesë edhe masat për integrimin më të shpejtë të refugjatëve përmes gjuhës, arsimit dhe profesionit. Natyrisht që në të gjitha këto masa paratë luajnë një rol, tha kancelarja. Por mesazhi i ditës është se të gjithë pjesëmarrësit kanë vullnet për të gjetur një zgjidhje.
"Detyrë gjithështetërore"
Krahas Merkelit dhe De Maiziere në takim morën pjesë edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate Gjermane, Sigmar Gabriel dhe - si përfaqësues të landeve federale - kryeministrja e landit të Renanisë Veriore - Vestfalisë Hannelore Kraft dhe kolegu i saj bavarez, Horst Seehofer. Të gjithë ata theksuan dakordimin si rezultat të takimit dhe u bashkuan me vlerësimin e Merkelit. Koha e kritikave reciproke midis landeve dhe federatës ka marrë fund, ka filluar puna konstruktive, tha De Maiziere.