1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqi: shenja për ndryshim kursi

Thomas Seibert/ Auron Dodi19 Maj 2014

Në fillim, kryeministri turk Erdogan nuk pranoi të nxjerrë përfundime nga fatkeqësia e minierës në Soma. Tani ka të dhëna se do ta ndryshojë kursin, përballë zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.

https://p.dw.com/p/1C29L
Tayyip Erdogan ne Soma 14.05.2014
Fotografi: Getty Images

Në fillim, kryeministri turk Erdogan nuk pranoi të nxjerrë përfundime nga fatkeqësia e minierës në Soma. Tani ka të dhëna se do ta ndryshojë kursin, përballë të ardhshme zgjedhjeve presidenciale.

Autoritetet turke i kanë ndaluar pas aksidentit të rëndë në minierën e qymyrit në Soma të gjitha manifestimet në qytet. Në të njëjtën kohë, qeveria po përgatit ndihma financiare për familjet e prekura. Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan me sa duket dëshiron t'i minimizojë pasojat e fatkeqësisë për kandidaturën e tij për president. Protesta dhe njerëz të zhgënjyer nuk përshtaten në këtë tabllo.

Prandaj për qeverinë turke, pas fundit të nxjerrjes së viktimave nga miniera ka rëndësi që të tregojë dinamizëm dhe vendosmëri. Sipas informacioneve të shtypit, Erdogani po përgatit mbështetje financiare për të afërmit e 301 viktimave të Somas. Këshilltari i tij, Ibrahim Kalin kërkon veç kësaj në një artikull në gazetë direktiva më të rrepta për sigurinë dhe shëndetin në miniera.

Deri pak ditë më parë, Erdogani fliste krejt ndryshe. Në daljen e pafat të kryeministrit në Soma të mërkurën e javës së kaluar ai i paraqiti fatkeqësitë në miniera si shfaqje të pashmangshme shoqëruese të kësaj dege të industrisë. Nevojën për të nxjerrë mësime nga katastrofa duke praktikuar rregulla më të fortë ai nuk e përmendi.

Test për Erdoganin

Opozita supozon se pas deklaratave më të fundit fshihet përpjekja e qeverisë për t'ia hedhur të gjithë fajin sipërmarrjes Soma Holding ose punonjësve të caktuar të minierës. Për këtë flet arrestimi të dielën (18.05.2014) i disa personave me përgjegjësi të sipërmarrjes së minierës. Akif Hamzacebi, zëvendëskryetar i Grupit Parlamentar të partisë opozitare CHP në Parlamentin e Ankarasë e akuzoi qeverinë se ajo do t'i kthejë në kurban menaxherët që u vranë në fatkeqësi. Këtë synim sipas tij ka një kërkesë e partisë së Erdoganit, AKP për të ngritur një komision hetimor në parlament. Edhe opozita kërkon që fatkeqësia të hetohet nga deputetë, megjithatë nën këndvështrimin e shkeljeve të mundshme të qeverisë dhe autoriteteve.

Në sfond të manovrave politike të partive të ndryshme janë zgjedhjet presidenciale të 10 gushtit. Në përgjithësi llogaritet që Erdogani do të paraqesë kandidaturën. Sipas sondazheve ai ka shanse të mira që të marrë postin më të lartë në shtet. Nëse fatkeqësia e Somas do të ketë pasoja negative për kandidaturën e mundshme të Erdoganit, kjo pritet të shihet edhe në rezultatin e dy zgjedhjeve, që do të përsëriten në 1 qershor pas zgjedhjeve komunale. Qytetarët e Yalovës në Detin Marmara si dhe qytetarët e Agri-t në malin Ararat në Lindje të Turqisë do të votojnë për kryetarët e rinj të bashkive. Rezultatet e mëparshme në këto rajone, pas kundërshtimeve të ndryshme u anulluan. Nëse AKP-ja e Erdganit do të pësojë humbjen të rënda në përsëritjen e zgjedhjeve, kjo mund të flasë për pakënaqësi të fortë tek zgjedhësit, për shkak të fatkeqësisë së Somas.