1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Itinerari i ri i refugjatëve drejt Europës

la/(dpa,fas)27 Mars 2016

Pas mbylljes së itinerarit ballkanik, kontrabandistët gjejnë rrugë të reja për të sjellë refugjatët në Europë. Sipas gazetës gjermane, "Frankfurter Allgemeine Zeitung" pritet të aktivizohet itinerari përmes Italisë.

https://p.dw.com/p/1IKSn
Archivbild Flüchtlingsboot im Mittelmeer
Fotografi: picture-alliance/dpa/Italian Navy

Mediat gjermane njoftojnë se kontrabandistët po përgatisin rrugë të reja për sjelljen e refugjatëve në Europë. Sipas hulumtimeve të gazetës gjermane të së dielës, "Frankfurter Allgemeine Zeitung" është në përgatitje e sipër një itinerar i ri në Mesdhe, ai përmes Italisë. Gazeta gjermane njofton se biznesi i kontrabandistëve në këtë itinerar pritet të fillojë në javën e parë të prillit dhe madje në mënyrë masive. Si pikënisje për eksodin e ri me varka të vogla peshkatarësh dhe anije të vogla do të jenë qytetet bregdetare, Antalya dhe Mersin në Turqi, pranë kufirit sirian, por edhe kryeqyteti grek, Athinë.

Refugjatët janë këshilluar të qëndrojnë të fshehur derisa anijet të arrijnë në ujërat ndërkombëtare, thuhet në njoftimin e agjencisë gjermane dpa, bazuar në hulumtimet e FAZ me kontrabandistë, numrat e celularëve të të cilëve janë të publikuara edhe në Facebook. Një udhëtim kushton për person 3000 deri në 5000 euro. Kontrabandistët duan të ofrojnë dy udhëtime në javë, njëri është shprehur se planifikon të ngjesë 200 persona në një anije. Udhëtimi me itinerarin e ri është shumë më i shtrenjtë, se ai nga Turqia në ishujt grekë. Por sipas marrëveshjes së BE-së me Turqinë kush mbërrin në ishujt grekë do të kthehet në Turqi. Sipas FAZ janë shtuar prej disa javësh kërkesat për itinerare të rinj drejt Europës.