1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tronditje me paralajmërim

14 Janar 2012

Ashtu si pritej agjencia Standard & Poor's uli bonitetin për një numër vendesh të Eurozonës. Franca dhe Austria humbën notën më të lartë AAA. Tregjet janë nervoze, por nuk ka arsye për panik.

https://p.dw.com/p/13jfA

Ulja e besueshmërisë kredituese për një pjesë të madhe të eurozonës nga agjencia amerikane e vlerësimit, kishte kohë që pritej prej investuesve. Standard & Poor's i kishte paralajmëruar europianët se do t'i vëzhgonte me kujdes që përpara samitit të fundit të BE-së. Megjithatë kjo është një goditje e rëndë për shpëtimtarët e euros, të cilët po negociojnë aktualisht për paktin e tyre fiskal. "Shumë pak, shumë ngadalë!", është mesazhi i vlerësuesve, megjithëse politika po përdor një ritëm shumë më të shpejtë se zakonisht në negociatat për paktin fiskal. Janë vënë në vijë paketa kursimesh dhe reforma. Në këtë moment eurozona nuk mund të bëjë më shumë. Do të duhet edhe shumë vite derisa të reduktohet borxhi i akumuluar. Parashikimet për ekonominë e eurozonës janë të këqija. Por të gjitha këto investuesit i dinin prej kohësh. Pra nuk ka arsye për panik të ri. Tregjet dhe një pjesë e sistemit bankar kanë kohë që ndodhen në gjendje paniku. Më shumë nuk ka ku të shkojë.

Pyetja tani është nëse ulja e bonitetit nga një prej tri agjencive të mëdha të vlerësimit do të shkaktojë edhe rritje të normave të interesit për obligacionet shtetërore. SHBA humbën notën e tyre më të mirë AAA në gusht 2011, por interesat për obligacionet shtetërore amerikane nuk u rritën.

Problematik është për fondin e shpëtimit të euros ulja e bonitetit të Francës. Fondi mund të humbasë notën më të mirë AAA nëse e humbasin atë aksionerët e tij. Vetëm Gjermania mund të kontribuojë për kompensim, pasi ajo vazhdon të ketë notën më të lartë të bonitetit. Gjermanisë mund t'i duhet të ofrojë më shumë garanci për të shpëtuar besimin e investuesve në fondin e shpëtimit të euros. Kjo do të thotë një sprovë e re për koalicionin qeveritar në Berlin. Kancelarja Angela Merkel kishte premtuar se nuk do të rriste më pjesëmarrjen gjermane në fond.

Duhet ruajtuar gjakftohtësia

Një problem serioz politik ka Presidenti francez Nicolas Sarkozy, i cili kandidon sërish për këtë post në muajin prill. Sarkozy e kishte lidhur mbijetesën e tij politike vitin e kaluar me ruajtjen e notës më të lartë të bonitetit për Francën. Tani për këtë nuk flitet më. Në Paris dhe Berlin minimizohet rëndësia e njoftimit të S&P. Në Francë nuk do të ketë paketa të reja kursimesh. Tregjet e dinin si qendrojnë punët në Eurozonë, deklaroi Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble.

Mesazhi është: të ruhet gjakftohtësia! Kjo është e arsyeshme, pasi një ashpërsim i krizës përmes histerisë nuk i sjell askujt asgjë. Ndoshta do të shtohen kritikat ndaj agjencive të vlerësimit, sjellësve të lajmeve të këqija.

E pëlqyer është edhe receta që përdori Presidenti i SHBA-së Barack Obama në gusht 2011. Ai thjesht deklaroi se do ta injoronte uljen e bonitetit. SHBA krenare do të vazhdonte të mbante notën më të mirë, AAA. Një vetëbesim të ngjashëm duhet të tregojnë tani edhe europianët.

Redaktori i Deutsche Welle -s, Bernd Riegert.
Redaktori i Deutsche Welle -s, Bernd Riegert.Fotografi: DW

AAA drejt zhdukjes

Në eurozonë kanë mbetur vetëm katër vende me notën më të lartë të bonitetit. Në të gjithë botën nuk janë më shumë. Nëse të gjithëve u ulet bonitetit, atëherë vlerësimi relativizohet. Investuesve u duhet t'i parkojnë diku paratë e tyre, në mënyrë që ato të jenë rentabël. Në të ardhmen AA+ do të konsiderohet si nota më e mirë.

I veçantë mbetet rasti i Austrisë. Edhe republika e Alpeve e konsideruar tejet e qendrueshme e humbi notën më të mirë të bonitetit. Problemi janë bankat, të cilat janë angazhuar së tepërmi në Europën Lindore dhe kanë hyrë në borxhe. Një falimentim shtetëror i Hungarisë mund të tërhiqte drejt greminës edhe Austrinë.

Më i rrezikshëm se vlerësimet periodike të agjencive është një tjetër lajm. Negociatat e bankave me Greqinë për reduktimin vullnetar të borxhit, për momentin kanë dështuar. Kjo rrezikon arkitekturën e brishtë për shpëtimin e Greqisë. Vendi që konsiderohet si zanafilla e krizës së euros i është afruar sërish një falimentimi shtetëror të pakoordinuar. Dalja nga eurozona mund të mbetet zgjidhja e vetme.

Autor: Bernd Riegert

Redaktoi: E. Xhani