1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Triumf për Martin Scorsese dhe kinemanë gjermane

Jochen Kürten27 Shkurt 2007

Të papriturat në ndarjen e 79-të të çmimeve Oscar

https://p.dw.com/p/AsCW

Ishte mbrëmja e regjizorit Martin Scorsese. Gjithsej shtatë nominime për çmimin Oscar i kanë sjellë deri tani filmat e tij regjizorit amerikan. Por gjatë karrierës së tij të gjatë Scorsese nuk e kishte marrë asnjëherë statujën e vogël të artë. Tani me nominimin e tetë më në fund ia doli mbanë. Për filmin e tij "The departed" ai mori katër nominime.
Mbrëmja e ndarjes së çmimeve ishte këtë herë edhe mbrëmja e kinemasë gjermane. Në kategorinë "filmi më i mirë në gjuhë të huaj" u nderua me Oscar regjizori Florian Henckel von Donnersmarck për dramën e tij "Jeta e të tjerëve" në qendër të së cilës është përndjekja nga shërbimi sekret Stasi. Cilët ishin fituesit dhe humbësit në mbrëmjen e çmimeve Oscar në Los Angeles?

Ky ishte momenti të cilin priste me padurim jo vetëm regjizori gjerman Florian Henckel von Donnersmarck. Bashkë me gruan dhe dy aktorët kryesorë Ulrich Mühe dhe Sebastian Koch ai kërceu i entuziasmuar nga karrigia në teatrin Kodak në Hollivud. Filmi i tij "Jeta e të tjerëve" mori çmimin Oscar në kategorinë "filmi më i mirë në gjuhë të huaj".

Falenderimet e para të von Donnersmarck-ut ishin për partnerët e tij në film: "Falenderoj edhe producentët, aktorët dhe gjithë trupën, Gjermaninë dhe Bavarinë. Falenderoj Arnold Schwarzenegger-in i cili më mësoi të heq nga fjalori im shprehjen "nuk mundem". Falenderoj gruan time Christiane, Christiane të dua."

Nuk ka dyshim se "jeta e të tjerëve" e ka merituarn Oscar-in. Eshtë një film i cili temën e tij, të kaluarën e shërbimit sekret Stasi në Lindje të Gjermanisë, e paraqet në një mënyrë pasionuese edhe për publikun e gjerë: "Georg Dreymann, poeti, është pikërisht tipi arrogant nga i cili paralajmëroj gjithnjë nxënësit e mi. Arrogant por besnik i linjës. Nëse të gjithë do të ishin si ai unë do të isha i papunë. Ky është thuajse autori ynë i vetëm që nuk shkruan asgjë të dyshimtë e megjithatë në rreshtat e tij lexohet Perëndimi. Për të RDGJ është vendi më i bukur në botë." Sekuencë nga filmi.

"Jeta e të tjerëve" është vënë në skenë me mjeshtëri nga ana dramaturgjike, me një lojë fantastike nga një grup aktorësh të shkëlqyer. Filmi realizon me sovranitet sparkatën e vështirë mes artit dhe komercialitetit. Një mrekulli e vogël po të mbahet parasysh se regjizori është vetëm 33 vjeç dhe historinë të cilën tregon nuk e njeh nga përvoja e jetës së tij: "Unë vetë jam rritur në Perëndim por kam qenë shpesh në Lindje. Nëna ime është nga Magdeburgu, babai vjen edhe më thellë nga Lindja. Kur ishim fëmijë shkonim shpesh atje dhe kemi përjetuar në mënyrë shumë të vetëdijshme atmosferën që tregohet në film. Kështu unë kisha një lidhje direkte edhe pse ndoshta jo atë më direkten me histornë. Ndoshta ky ishte edhe një avantazh pasi një lloj distance ndihmon për të përshkruar në mënyrë më objektive ato që njeriu përjeton."

Fituesi i madh i mbrëmjes së çmimeve Oscar ishte natyrisht regjizori amerikan Martin Scorcese. I nominuar shpesh, çmimi vazhdimisht i merrej përpara syve nga të tjerët rregjizorit të filmave të njohur si "Taxi Driver" apo "Raging Bull". Scorcese nuk arrinte t'i besonte nderimit që mori për dramën e tij të mafias të vendosur në Boston, "The Departed", dhe kërkoi me shaka të kontrollohej edhe njëherë emri në zarf:

"Jam shumë i emocionuar. Shumë njerëz më kanë uruar vite rradhë marrjen e këtij çmimi madje edhe të panjohur në rrugë, tek mjeku, në ashensor. Unë i kam falenderuar. Miqtë dhe familja e kanë dëshëruar këtë çmim për mua, ky Oscar është për ju."

"The Departet" mori gjithsej katër çmime ndër të cilët edhe ato për "filmin më të mirë" dhe "rregjinë më të mirë". Fituesit e tjerë të mbrëmjes ishin siç pritej aktorët. Anglezja Helen Mirren u nderua për lojën e saj bindëse në rolin e mbretëreshës në filmin britanik "The queen". Forest Witaker për shfaqjen demoniake si diktatori ugandez Idi Amin në filmin "The last king of Scotland".

Po humbësit? Veç filmit muzikor "The dreamer" të nominuar disa herë humbësi më i madh ishte prodhimi amerikano-meksikanas "Babel" i Alejandro Gonzales Inarritu-s. Drama e shkëlqyer në plan artistik zhvillohet në katër kontinente. Ajo është e ndërtuar në episode dhe në të luajnë si yje të Hollivudit ashtu edhe aktorë të panjohur. Por filmi ishte për anëtarët e akademisë mesa duket tepër ambicioz. Megjithatë Inarritu mund të ngushëllohet. Ai vlerësohet ndërkohë si një rregjizorët e mëdhenj inovatorë të kinemasë botërore dhe filmi mori edhe një Oscar: për kolonën më të mirë zanore, muzikën e kompozitorit Gustavo Santaollala