1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Triumf për Kurtin në Kosovë" -shtypi gjerman për zgjedhjet

15 Shkurt 2021

Dy nga gazetat më të njohura gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung dhe Süddeutsche Zeitung ofrojnë analizat e para për rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë.

https://p.dw.com/p/3pNRR
Kosovo Wahlen Wahlkampf Albin Kurti
Fotografi: dpa/AP/picture alliance

Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) konstaton në titullin e saj një "Triumf për Kurtin në Kosovë".

Analisti për Evropën Juglindore i kësaj gazete, Michael Martens paraqet situatën në të cilën ndodhet pas fitores Lëvizja Vetëvendosja dhe raportin e saj me partitë e mundura.

Atij i tërheq vëmendjen"para së gjithash përparësia e saj (LVV) ndaj konkurrencës".

PDK-ja doli forca e dytë politike, me rreth 17 përqind. PDK-së "iu desh ta bënte fushatën elektorale pa fytyrën e saj më të njohur", sepse "që nga viti i kaluar Thaçi duhet të mbrohet para një gjykate speciale në Hagë kundër akuzave për kryerjen e krimeve të luftës si udhëheqës guerilas në fund të viteve 1990." Rezultati me rreth 13 përqind, i LDK-së që "dikur ishte dominuese e jetës politike në Kosovë""është rezultati më i keq i historisë së saj.""

Martens regjistron që kryetarët e partive të mundura e uruan Kurtin dhe e pranuan humbjen, një gjë "jo e vetëkuptueshme në Ballkanin Perëndimor" ku partitë e mundura shpesh pohojnë se janë falsifikuar zgjedhjet ose regjistrat zgjedhorë.

Autori paralajmëron se te mbështetësit e Kurtit nderimi i ngjashëm me një "Mesia" për Kurtin mund të kthehet në zhgënjim, nëse "premtimi kryesor i Kurtit - luftimi i korrupsionit dhe i nepotizmit" nuk do të arrihen dot kaq thjeshtë sa shpresohet prej shumë vetëve.

Përsa i përket mundësisë që opozita të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për ta kontestuar fitoren e Kurtit, autori i FAZ kujton se "përpjekjet për ta nxjerrë jashtë loje Kurtin përmes Gjykatës Kushtetuese mund të përfundojnë politikisht në rritjen e mëtejshme të popullaritetit të tij."

Edhe pa u shpallur rezultati përfundimtar i votimeve, analisti gjerman thotë se Vetëvendosjes në çdo rrethanë do t'i duhet bashkëpunimi me partitë e mundura.

"Kurti dhe "Vetëvendosje” kanë nevojë për partnerë, pavarësisht fitores së qartë. Pas vajtjes së Thaçit në Hagë, parlamenti duhet të zgjedhë një kryetar të ri shteti. Vetëm partia e Kurtit nuk mund të garantojë kuorumin e kërkuar për zgjedhjet. Këtu forcat e opozitës do të përpiqen të ushtrojnë ndikimin e tyre".

Edhe për këtë arsye, vlerësimi se mori fund koha e ish-udhëheqësve guerilas të kohës së luftës në Kosovë të kthyer në politikanë, mund të rezultojë e parakohshme", konkludon artikulli i FAZ.

Ndërsa gazeta Süddeutsche Zeitung (SZ) nën titullin "E majta fiton në Kosovë" konstaton se "lëvizja e majtë reformatore Vetëvendosje i fitoi qartë zgjedhjet parlamentare në Kosovë". Njësoj si gazetës FAZ, edhe SZ i tërheq vëmendjen deklarata e Albin Kurtit para mbështetësve: "Rruga para nesh është e gjatë, ne do të bëjmë edhe gabime, por qëllimet tona janë fisnike".

SZ kujton se rezultati i votimit "i përgjigjet dëshirës së shumë kosovarëve për një shndërrim rrënjësor". Vetëvendosja "ka mbledhur rreth vetes para së gjithash politikanë të rinj dhe të pakonsumuar". Së fundi "në partinë e majtë reformiste (LVV)"kaloi "politikania kryesore Vjosa Osmani", e cila "tani kandidoi në vendin e dytë të listës së Vetëvendosjes... Ajo mund të zgjidhet nga parlamenti i ri si presidente e rregullt".