1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tregu europian i hapur për prodhimet bujqësore shqiptare

Aida Cama24 Korrik 2006

Karl Falkenberg, drejtor në Komisionin Europian për marrëdhëniet tregëtare me vendet e Europës juglindore: Defiçiti tregtar i Shqipërisë me BE shkaktohet nga që vendi prodhon pak.

https://p.dw.com/p/Are4
Prodhime biologjike në treg
Prodhime biologjike në tregFotografi: picture-alliance / dpa/dpaweb

Deutsche Welle: Zoti Falkenberg, unë kam shumë pyetje mbi problemet e tregut agrar shqiptar dhe kooperimit të tij me Bashkimin Europian. Megjithatë po e filloj duke ju pyetur me çfarë po merreni aktualisht në Europën juglindore?

Karl Falkenberg: Mbase është mirë që të fillojmë me këtë pyetje sepse në këtë mënyrë edhe pyetjet e tjera mund të bëhen në një kontekst më të kuptueshëm. Komuniteti Europian ka lidhur kontrata më të gjitha vendet e Europës juglindore për të lehtësuar pjesëmarrjen e tyre në tregun e komunitetit. Ne jemi duke ndihmuar këto vende që të përmirësojnë kushtet për tregëti të lirë midis njeri tjetrit në rajon, në mënyrë që 30 marrëveshjet ekzistuese bilaterale të tregëtisë të zëvendësohen nga një marrëveshje e vetme, e cila do të munësonte që këto vende të tregtojnë më shumë. Në marrëdhëniet e tregëtisë së jashtme, në marrëdhëniet faktike, të gjitha këto vende ndodhen në defiçit tregëtar me Bashkimin Europian, por kjo nuk ka të bëjë me barrierat tregtare. Tregu europian është në princip i hapur për këto vende dhe në marrëveshjet tona ne nuk kemi kërkuar reciprocitet të plotë. Vende e SOE mund të ngrenë barriera për futjen e prodhimeve europiane në tregjet e tyre më shumë se sa kjo mund të ndodhë në drejtimin anasjelltas. Megjithatë Bashkimi Europian është një prodhues konkurent ndërkombëtar për shumë lloj prodhimesh, përfshirë këtu ato bujqësore. Vendet e Europës juglindore vijnë nga një krizë e thellë dhe nga riorientim ekonomik çka bën që këto vende të prodhojnë relativisht pak. Aty ku prodhohet pak ushtrohet edhe tregti e pakët. Ne jemi në fazën ku duhet t`i ndihmojmë këto vende që të jenë në gjendje të prodhojnë prodhime konkuruese për tregun.

Deutsche Welle: Domethënë se ju mund të flisni aktualisht për tregti të ndershme midis EU dhe SOE, problemi për ju është se vendet nuk janë në gjendje të prodhojnë prodhime konkuruese në treg?

Karl Falkenberg: Po. Ky është aktualisht problemi më i madh që kemi. Nga vendet e Europës juglindore përfundojnë në BE shumë pak prodhime konkuruese. Eksportet në Bashkimin Europian përbëhen sot kryesisht nga prodhime të thjeshta bujqësore, prodhime shtazore dhe disa prodhime të përpunuara, si fruta e gjëra të tilla, pak tekstile e veshje, pak këpucë, por si dhe më parë vazhdon të jetë e kufizuar. Një nga gjërat që ne përpiqemi të mbërrijmë është që me marrëveshjen e CEFTA-s pra me marrëveshjen e tregëtisë së lirë, të gjitha vendet e Europës juglindore të përmirësojnë bashkëpunimin, që prodhimet të bëhen konkurese dhe që të mbërrijmë në një strukturë prodhimi që të mundësojë përpunimin e lëndëve të para duke rritur vlerën e prodhimeve. Ky është një proces i cili po fillon nga e para për të gjitha vendet. Për këtë proces duhet të ndryshojnë kuadri, i cili duhet të bëhet më ekonomik dhe duhet të kapërcehet funksionimi me shtete të vogla, sepse vetëm me një treg të madh mund të zgjerohet prodhimi dhe të përmirësohen shancet për të hyrë në treg.

Deutsche Welle: Zoti Falkenberg, cili është ndryshimi i një domateje të prodhuar në Hollandë dhe një domateje të prodhuar në Shqipëri?

Karl Falkenberg: Ekzistojnë rregulla të caktuara hidrosanitare për domatet, të cilat duhet të respektohen, rregulla që ekzistojnë brenda BE-së dhe kanë të bëjnë për shembull me ndotjen që nga metalet e rënda e deri tek baktere të caktuara. Prodhuesit e domateve duhet të jenë në gjendje të vërtetojnë se domatet e tyre nuk e kalojnë ngarkesën me metale të rënda të përcaktuar si kufi nga BE. Ne duhet në bazë të të drejtave të konsumatorit të pengojmë që së bashku me frutat e importuara në BE, në përgjithësi me të gjitha ushqimet që hyjnë në BE të futen infeksione për ushqimet ose për njerëzit.

Deutsche Welle: Për mua ndryshimi është shumë i madh në shije... Nuk mendoni dhe ju kështu?

Karl Falkenberg: Shija nuk është çështje që standartizohet nga Brukseli. Këtë ia kemi lënë konsumatorit. Ai duhet të vendosë se cilat domate preferon të ketë. Për këtë nuk ka rregulla në BE.

Deutsche Welle: A po shihet se zhvillimi i bujqësisë ekologjike në Europën juglindore mund të zhvillohet më shpejt se në Europën perëndimore?

Karl Falkenberg: Për tu parë po shihet, por organizime të tilla duhet t`i bëjnë vendet vetë. Organizime të tilla nuk mund të vijnë nga Europa, Për ato vende të Europës juglindore ku mund të prodhohen prodhime bujqësore biologjike ekziston tregu europian, dhe hyrja në këtë treg është e lirë. kështu që mbetet në duart e këtyre vendeve vetë që të marrin vendime për të rritur prodhimet biologjike.

Deutsche Welle: Pra ju mendoni se tregu agrar i Europës juglindore nuk është bërë ende atraktiv për Bashkimin Europian?

Karl Falkenberg: Kur shoh statistikat e viteve të fundit atëherë shoh se në BE futen produkte të thjeshta bujqësore, tekstile, këpucë, etj. pjesërisht energji, lëndë të poara, por shumë pak produkte të përpunuara.

Deutsche Welle: Me siguri edhe nga Shqipëria...

Karl Falkenberg: Po edhe nga Shqipëria. BE ka ngritur barriera shumë të forta ndaj të gjitha vendeve për tregun e prodhimeve bujqësore. Më marrëveshjen e asocijimit, siç është ajo që ka nënshkruar aktualisht Shqipëria, ne i kemi hequr këto barriera, pra prodhimet shqiptare mund të eskportohen në tregun europian shumë më lehtë. Por edhe një herë kushti që ky vend të eskportojë në BE është që të ketë prodhime. Aty ku nuk prodhohet nuk mund të ketë as eskport.