1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëveshje për tregtinë e lirë mes BE-së dhe Amerikës Latine

Fernando Caulyt / Pandeli Pani15 Nëntor 2013

Subvencionet bujqësore evropiane ua vështirësojnë produkteve bujqësore amerikanojugore depërtimin në tregun evropian.

https://p.dw.com/p/1AI0I
Fotografi: PEDRO LADEIRA/AFP/GettyImages

Në Karakas takohen sot (15.11.2013) ministrat e Jashtëm të BE-së dhe të vendeve anëtare të Mercosur-it, në të cilin bëjnë pjesë Brazili, Argjentina, Paraguai, Uruguai dhe Venezuela. Ata do të diskutojnë për një marrëveshje dypalëshe të tregtisë së lirë. Këto marrëveshje janë vite që nga ngecur në vend, e megjithatë Brazili edhe 15 vjet pas fillimit të bisedimeve vazhdon t'i qëndrojë besnikë Amerikës së Jugut dhe nuk pranon që të lidhë i vetëm një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në.

Presidentja e Brazilit Dilma Rousseff dhe ministri i Financave Guido Mantega
Presidentja e Brazilit Dilma Rousseff dhe ministri i Financave Guido MantegaFotografi: Reuters

"Ne duam të forcojmë ofertën e bllokut tonë të Mercosur, ky është qëllimi ynë i vetëm", tha Daniel Godinho për DW, sekretari për Tregtinë e Jashtme në Ministrinë braziliane të Zhvillimit, të Industrisë dhe të Tregtisë së Jashtme (MDIC). Negociatat janë të vështira, por ai shpreson se pengesat do të kapërcehen deri nga fundi i vitit.

Sipas Zyrës Evropiane të statistikave Eurostat, në vitin 2012, BE-ja eksportoi në zonën e Mercosur-it mallra me vlerë 50,3 miliardë euro. Kurse importet nga Amerika e Jugut në BE arritën vlerën 49,2 miliardë euro.

Veçanërisht intensive janë marrëdhëniet tregtare midis Brazilit dhe BE-së. Një e pesta e të gjitha eksporteve braziliane shkojnë në BE. Ndërmjet janarit dhe shtatorit të këtij viti, eksportet nga Brazili arritën një shumë prej 25 miliardë eurosh. Kurse në të njëjtën periudhë Brazili, importoi nga BE-ja mallra me vlerë 28 miliardë euro, që përbën dhe një të pestën e totalit të importeve të Brazilit. Që nga viti 2007, Brazili dhe BE-ja janë të lidhura me një partneritet strategjik.

Arsyeja kryesore për ndërprerjen e përsëritur të negociatave për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë midis dy blloqeve janë mosmarrëveshjet mbi subvencionet bujqësore evropiane që ua vështirësojnë produkteve bujqësore amerikanojugore depërtimin në tregun evropian. Këtyre u shtohen problemet ekonomike dhe politike të brendshme në Argjentinë dhe Venezuelë.

Venezuela Mercosur Juli 2013
Takim i Mercosur-it, korrik 2013Fotografi: imago stock&people

Tani që është kohë krize evropianët janë duke kërkuar nga ana e tyre tregje të reja për mallrat e tyre. Komisioni Evropian i ka kritikuar në mënyrë të përsëritur tarifat e larta doganore për mallrat industriale në vendet Mercosur-it. Sipas një raporti të Komisionit Evropian Argjentina dhe Brazili futën në vitin 2012, sikurse edhe India, Indonezia dhe Rusia, masa tregtare tepër kufizuese për importet.

Edhe në Gjermani mirëkuptimi për partnerët tregtarë në Amerikën Latine dhe për problemet e tyre po bëhen gjithnjë e më i vogël. "Ne nuk jemi të shqetësuar as në lidhje me Venezuelën as në lidhje me Brazilin, por këto vende humbasin mundësi për veten e tyre, në rast se nuk hapin tregun për BE-në dhe nuk na pranojnë më me forcë si një partner tregtar," shpjegon Knut Brünjes, zëvendësshef i Departamentit për Politikën e Jashtme Ekonomike në Ministrinë gjermane të Ekonomisë. Në interes të atyre vendeve është që të mos kujdesen vetëm për sektorin bujqësor dhe të mos izolohen.

Por, veçanërisht në vende me qeveri të majta si Venezuela dhe Argjentina, marrëveshjet e tregtisë së lirë janë mjaft të diskutuara politikisht. Edhe në Brazil mbrojtja e industrisë vendase ka nën qeverinë e presidentes Dilma Rousseff një prioritet të lartë politik.

Dilma Rousseff dhe Jose Manuel Barroso
Dilma Rousseff dhe Jose Manuel BarrosoFotografi: Reuters

Ndryshe qëndron puna me vendet e tjera të Amerikës Latine. Tashmë katër prej anëtarëve themelues të Aleancës së Paqësorit - Kili, Kolumbia, Peruja dhe Meksika - kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale të tregtisë së lirë me BE-në. Edhe Kanadaja nënshkroi një kontratë të tillë një muaj më parë.

Për këtë arsye për BE-në nënshkrimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë me Mercosur-in nuk ka më atë prioritet që kishte para pesë vjetësh. Sipas informacioneve nga Ministria Federale e Ekonomisë vëmendje kryesore për momentin ka marrëveshja e tregtisë së lirë mes BE-së dhe SHBA.