1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Tre subjektet më të mëdha politike garojnë të vetme

Bekim Shehu
31 Gusht 2019

Vendet e QUINT-it, presin që zgjedhjet e parakohshme në Kosovë të jenë të besueshme, por ata u bëjnë thirrje kandidatëve që ta lënë mënjanë retorikën populiste dhe nacionaliste e të ofrojnë programe konkrete.

https://p.dw.com/p/3OnYI
Kosovo, Pristina
Fotografi: Getty Images/S. Gallup

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen më (06.10) tri partitë politike më të mëdha në Kosovë, LDK, PDK, dhe Vetëvendosja do të garojnë të vetme në zgjedhje. Ndërkohë në garë janë edhe katër koalicione, njoftoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve KQZ. Në mesnatën e shkuar përfundoi afati i regjistrimit të koalicioneve parazgjedhore, kurse subjektet politike kanë afat deri më (06.09) që të regjistrohen në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshmepër Kuvendin e Kosovës.

Koalicionet parazgjedhore

Katër koalicionet e regjistruara për zgjedhjet e parakohshme në Komisionin Qendrore të Zgjedhjeve në Kosovë janë:

- Koalicioni ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate.

- Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë.

- Koalicioni Vatak, i përbërë nga tri parti (Partia Demokratike Boshnjake, Partia Demokratike Vatan dhe Partia e Bashkuar Boshnjake.

- Koalicioni i katërt i paraqitur në KQZ, i quajtur Sloboda (Liria), përbëhet nga Partia Përparimtare e Kosovës dhe Partia e Re e Kosovës.

Gjatë ditës së premte, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosje, diskutuan për një marrëveshje për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet e 6 tetorit, por, përpjekjet dështuan për shkak të mospajtimeve rreth kandidaturës për postin e kryeministrit. Megjithatë këto dy parti nuk e përjashtojnë mundësinë e një koalicioni pas-zgjedhor, nëse ndonjëra nga to del fituese dhe ka të drejtën si partia e parë ta formojë qeverinë.

Kosovo Parlamentswahlen Albin Kurti
Fotografi: Reuters/H. Reka

QUINT: Garë e drejtë zgjedhore

Në vazhdën e përgatitjeve për zgjedhjet e 6 tetorit, përfaqësuesit e vendeve më të industrializuara QUINT, ku bëjnë pjesë e (Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia)përmes një deklarate të përbashkët thanë se "presin nga të gjitha partitë politike të krijojnë një ambient të drejtë të garës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, proces ky që po shihet si mundësi vendimtare për qytetarët e Kosovës që të vendosin për drejtimin e shtetit”. "Kosova ka nevojë për sundim të ligjit, andaj kandidatët nuk duhet të kenë të kaluar kriminale ashtu që të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sugjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë. Sikurse në zgjedhjet e kaluara, ne do të bashkohemi me organet e tjera lokale dhe ndërkombëtare për të ndihmuar që të sigurohet një ambient i lirë dhe i drejtë”, thuhet në deklaratë.

Kosovo Parlamentswahlen Ramush Haradinaj
Fotografi: Reuters/A. Beqiri

Vendet e QUINT, presin që zgjedhjet të jenë të besueshme dhe kërkojnë nga banorët e Kosovës që të dalin e të votojnë, ndërsa, kandidatëve u bëhet thirrje që ta lënë mënjanë retorikën populiste dhe nacionaliste. "Votuesit dëshirojnë që udhëheqësit e tyre të sigurojnë që të rinjtë e Kosovës do të mund të ndërtojnë të ardhmet e tyre këtu. Votuesit meritojnë përgjigje të detajuara nga partitë për atë, se si programet e tyre do të forcojnë sistemin e arsimit ashtu që të diplomuarit të jenë më mirë të përgatitur për punësim; se si ato programe do të krijojnë vende pune dhe si do të përmirësojnë zhvillimin e sektorit privat dhe investimet, si do të përkrahin ndërmarrësin, si do të mbajnë përgjegjësinë fiskale, dhe si do të përmirësojnë sigurinë e furnizimit me energji dhe mjedisin", thuhet në deklaratën e QUINT-it.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë mbahen pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pasi ai u ftua nga Gjykata Speciale për Krime Lufte në cilësinë e të dyshuarit. Zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 6  tetor në Kosovë, nga analistët po cilësohen si shumë të rëndësishme, ku qeveria e re pritet të përballet më shumë sfida e në mesin e të cilave edhe me dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.