1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tre peshëngritës shqiptarë rezultojnë pozitivë në testin antidoping

Arben Muka4 Shtator 2007

Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes njoftoi të martën se ka dënuar me 2 vjet pezullim nga garat zyrtare tre sportistët shqiptarë Isa Bala, Endri Haxhihyseni dhe Mirjan Lozi, si përdorues stimulantësh të ndaluar

https://p.dw.com/p/BbOk
TiranaFotografi: DW / Aida Cama
undefined

Të tre sportistët, dy prej të cilëve protagonistë të ekipit kombëtar të peshëngritjes e kanë pranuar përdorimin e stimulantëve të ndaluar, duke iu bindur verdiktit të Federatës Ndërkombëtare të këtij sporti që nuk i lejon ata për dy vjet të marrin pjesë në aktvitete zyrtare brenda dhe jashtë Shqipërisë. Treshja do të paguajë dhe gjobën prej 50 mijë dollarësh.

Këtë fat kanë dhe trainerët e tyre. Sekretari i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Ilir Kraja, u shpreh se kontrolli i bërë nga ndërkombëtarët erdhi nga një kërkesë e Federatës Shqiptare dhe u zhvillua ne dy seanca një në korrik dhe një në fund të muajit të kaluar. Kraja informoi dhe një paketë masash të ndërmarra nga autoritetet e këtij sporti që për vite me rradhë ka patur një traditë pozitive me përfaqësime dinjitoze të sportistëve brenda dhe jashtë vendit.


„Do të zhvillohet një program i posaçëm edukues antidoping na bashkëpunim dhe me Ministrinë e Kulturës Rinisë e Sporteve. Ky program do të monitorohet hap pas hapi nga bordi ekzekutiv i Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes. Gjobën që ka marrë Federata Shqiptare e Peshëngritjes nga ky rast, do ta paguajnë të tre sportistët“, deklaroi të martën pasdite Ilir Kraja.

Rasti i tre sportistëve, përdorues të lendëve narkotike, vjen pak muaj pas publikimit të një rasti tjetër me sportisten e nivelit ndërkombëtar, Fetije Kasa, edhe kjo e gjetur pozitive nga kontrolli antidoping i Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes. Kasa, ish kampione e Evropës është duke vuajtur një dënim prej dy vjetësh për mospjesëmarrje në aktivitete kombetare dhe ndërkombëtare të peshëngritjes.