1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trazira të tifozëve në Leipzig

Silvia Stadler20 Shkurt 2007

Sulme masive kundër policisë

https://p.dw.com/p/AsIk
Skenë nga trazirat e tifozëve të futbollit në Leipzig
Skenë nga trazirat e tifozëve të futbollit në LeipzigFotografi: PA/dpa

Kampionati i futbollit verën e kaluar në Gjermani ishte sipas Federatës Botërore të Futbollit, FIFA, një shembull sa i përket aspekteve të sigurisë. Edhe kampionatin gjerman në kategorinë e parë dhe të dytë përleshjet mes tifozëve janë më shumë përjashtime. Por nuk ndodh kështu në katëgorinë e tretë. Gjatë fundjavës dhuna u shkallëzua veçanërisht fuqishëm në Leipzig në lojën kundër Aue-s.

Përpara stadiumit Bruno Plache duhet të jenë zhvilluar skena të mirëfillta gjuetie: rreth 300 tifozë futbolli kanë sulmuar në mënyrë masive policinë. Ata kanë hedhur gurë duke marrë shenjë kokat e policëve. Shpërthyen lëndë eksplozive, një polic i veshur civil u morr me forcë nga një grup tifozësh dhe u detyrua të qëllonte me armën e tij një të shtënë paralajmëruese. Veç kësaj huliganët shqyen derën e një makine policie dhe morrën në shënjestër policin që ndodhej brenda. Ky nuk e dinte që arma nuk kishte plumba dhe u tremb për jetën. Huliganët e rrahën policin i cili u dëmtua në këmbë.

Një vrazhdësi të tillë policia e Leipzig-ut nuk e kishte hasur ndonjëherë më parë. Shumë punonjës të policisë ishin të indinjuar thotë zëdhënësi i policisë Mario Luda i cili ishte i pranishëm gjatë trazirave: "Dua të citoj fjalinë origjinale të një policeje e cila më tha - Z. Luda ju lutem jepini fund kësaj. Kemi frikë. Megjithëse kolegët janë të stërvitur, stërviten vazhdimisht dhe janë të mësuar me këtë situatë, kjo është një formë e re dhune të cilën nuk e vlerësojmë dot paraprakisht."

36 policë u plagosën. Falë veshjeve mrojtëse lehtë. Edhe disa prej kalimtarëve të rastit u përfshinë në vorbullën e dhunës dhe rrëmujës. Makina e një familjeje të re mori shumë goditje por kjo nuk ishte më e keqja tregon babai: "Dëmi shpirtëror që m'u shkaktua ishte shumë më i rëndë. Fëmija ulëriste sikur po e digjnin dhe dikur patëm frikë se turma do të na linçonte. Vërtet një përjetim shumë i rëndë."

Ekipi i Leipzig-ut "Lokomotive Leipzig" është distancuar ndërkohë nga incidentet. Katrin Palhorn nga bordi drejtues: "Ne nuk e pranojmë këtë. Këta nuk janë as tifozët e klubit tonë, nuk janë tifozët tanë të vërtetë. Ne do të mbështesim plotësisht policinë në hetimet e saj për gjetjen e fajtorëve."

Sipas Palhorn dhuna në futboll transferohet në kategoritë e ulëta pasi nuk gjen vend në ato më të larta falë masave të forta të sigurisë, vrojtimeve me kamera e të tjera. Klubet e vogla ndihen të mbingarkuara.

Nëse Lokomotiva e Leipzig-ut ka pjesë faji në atë që ndodhi në fundjavë duhet shqyrtuar, tha presidenti i Ligës së Futbollit në Saksoni, Klaus Reichenbach: "Sipas të dhënave të përgjegjësit tonë për sigurinë në vend duhen sqaruar disa pyetje: Si ka mbërritur në stadium fishekzjarri? A ka qenë distanca e sigurisë mes dy blloqeve në stadium e mjaftueshme dhe përse të dy grupet e tifozëve janë larguar në të njëjtën kohë nga stadiumi?"

Në mbrëmje policia u detyrua të linte sërish të lirë pesë prej huliganëve të ndaluar. Prokuroria nuk ka dhënë sqarime përse kjo ka ndodhur. Policia ka ngritur një njësi të quajtur "Futbolli" e cila tani do të shqyrtojë materialin e rregjistruar me video për të arrestuar fajtorët. Fatkeqësisht nga precendentët dihet se sa e vështirë është kjo gjë.