1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trazira në Kopenhagë mes të rinjve radikalë dhe policisë

Albrecht Bretischuh 2 Shtator 2007

Pikërisht një gjysmë viti pas trazirave në lagjen Nërrebro të Kopenhagës natën në të gdhirë të së djelës (02.009) sërish mijëra të rinj u konfrontuan dhunshëm me policinë.

https://p.dw.com/p/Bair
Gjatë trazirave në Lagjen Nërrebro në KopenhagëFotografi: AP

Përpara një gjysmë viti, pasi policia ndërhyri për të liruar një shtëpi të zaptuar prej të rinjve radikalë-anarkistë u shkaktuan trazira të rënda. Për të kujtuar pikërisht këtë ndërhyrje dhe shembjen e kësaj shtëpie, të shtunën në mbrëmje rreth 1000 demonstrues marshuan nëpër rrugët e lagjes së Kopenhagës, Nërrebro. Gjatë dmeonstratës u shkaktuan trazira të dhunshme. Një grup prej rreth 400 radikalësh të ashtuquajtur "autonomë" u përlesh me policinë nëpër rrugë deri në mes të natës. Gurë dhe shishe molotov u hodhën ndaj makinave të policisë, në një mikrobus bosh shpërtheu zjarr. Mads Firlings nga policia e Kopenhagës: "Nëse vë zjarr në një ambjent ku banojnë njerëz, nëse hedh gurë ndaj njerëzve, këto veprime unë mund t´i quaj si mjaft brutale."

Lagja Nërrebro gjatë natës së shkuar u shndërrua në një zonë lufte, ajo nuk qe më demonstratë, por dhunë e hapur. Kështu shprehet një tjetër zëdhënës i policisë. Të rinjtë u vunë zjarrin kazanëve të mbeturinave dhe krijuan barrikada nëpër rrugë, ndër të tjera duke vendosur karrocat e supermerkatove, e kjo pasi më parë i kishin plaçkitur disa supermerkato. Policia përdori gazin lotësjellës. Ja se si reagoi njëri prej pjesëmarrësve në trazira ndaj ndërhyrjes së pakompromis të policisë: "Ç´ka ndodhur me ata, mos kanë luajtur mendsh. Tani po nis vërtetë: Ne do të bëjmë atë që mund të bëjmë, e ky ishte vetëm fillimi."

Gjatë trazirave u arrestuan 63 persona, vë në dukej gazeta "Politiken", ndërsa nuk ka asnjë të dhënë për të plagosur.

Në fillim të marsit, pas lirimit të shtëpisë së të rinjve nga forcat speciale të policisë dhe konfrontimeve që vazdhuan për ditë me radhë me banorët e shtëpisë dhe simpatizantët e tyre pati 600 arrestime. Shumë prej "turistëve të trazirave" u mbajtën në arrest, sepse sipas të dhënave të policisë së Kopenhagës ata ishin përgjegjës për shkallëzimin e situatës. Kjo shtëpi që mbahej e bllokuar prej autonomëve qysh nga vitet 80-të ishte një pikë e preferuar takimesh e të majtëve. Pasi një shoqatë fetare me emrin "shtëpia e babait" e bleu këtë godinë, u zhvilluan bisedime të shumta mes qytetit dhe të rinjve, por këto tratativa nuk patën asnjë rezultat.

Në Nërrbero ndërkohë është rivendosur qetësia, disa banorë si edhe Anders Kristiansen (Christiansen) kanë nisur të rregullojnë, por ai nuk do të banojë më në këtë lagje: "Kjo është dhunë për hir të dhunës. Ne kemi një takim me sekserin dhe duam të largohemi që këtej. Ne nuk mund ta durojmë dot më këtë gjendje."