1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Traktati dy plus katër"

Angelina Verbica7 Tetor 2010

Procesi i përgatitjes së nënshkrimit të Traktatit për zgjidhjen përfundimtare në lidhje me Gjermaninë më 12 shtator 1990 në Moskë dhe zhvillimet e mëvonshme prezantohen në një ekspozitë në ambasadën gjermane në Tiranë

https://p.dw.com/p/PWsf
Vizitorë të ekspozitësFotografi: DW

Traktati “Dy plus Katër”, ose siç u pagëzua zyrtarisht “Traktati për zgjidhjen përfundimtare në lidhje me Gjermaninë”, u nënshkrua në Moskë më 12 shtator të vitit 1990. Ky akt, që mori bekimin e dy Gjermanive të asaj kohe, Republikës Federale Gjermane dhe Republikës Demokratike Gjermane, si dhe katër superfuqive, SHBA-ve, Francës, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik ishte një proces i gjatë dhe i mundimshëm politik dhe diplomatik. Ai nuk ishte si një traktat për paqen, por në fakt funksionoi si i tillë. Në mënyrë të padiskutueshme Traktati i hapi rrugën ribashkimit të Gjermanisë, sepse për herë të parë qysh prej vitit 1945 ekzistonte përsëri një shtet gjerman krejtësisht sovran, si nga brenda, ashtu dhe nga jashtë. Kjo kronololgji ngjarjesh, në mënyrë të dukshme, ose në prapaskenë, vjen nëpërmjet një set-i prej dhjetra posterash të vendosur në ambjentet e Ambasadës së Gjermanisë në Tiranë.

Ngjarjet e dy dekadave më parë prezantohet pörmes fotove dhe nga tekste ekstraktë

Plakatausstellung zu 20 Jahre Zwei plus Vier Vertrag in Tirana Albanien
Stawomir P. Kowalski, konsull në ambasadën polake në TiranëFotografi: DW

Stawomir P. Kowalski, konsull në ambasadën polake në Tiranë, thotë se në atë periudhë ka qënë në moshë të re. Disa prej ngjarjeve i kujtohen të padetajizuara, ndërkohë që më pas ka lexuar duke u informuar më në hollësi. Gjithësesi prezantimin e procesit të Traktatit “Dy plus Katër” në këtë formë, me foto dhe shpjegime Kowalski e vlerëson si mjaft të dobishme për të interesuarit.

“Natyrshëm që nga perspektiva e këtyre 20 viteve, që kanë kaluar, unë realisht që nuk mund ta imagjinoja një Europë të Bashkuar pa një Gjermani të Bashkuar. Ngjarjet e atyre viteve janë domethënëse dhe në vetë marrëdhëniet mes gjermanëve dhe polakëve. Prej shekullit të 18 historia e Polonisë ka qënë histori pushtimi, ndarje e zhvendosje të saj prej fuqive të huaja, ku thuajse gjithnjë në to ishin pjesmarrës prusianët, ose Rajhu Gjerman. Është një shembull i qartë se si mund të kapërcehen çështjet e bartura nga historia dhe të ndryshohen qëndrimet dhe këndvështrimi mbi marrëdhëniet mes shteteve. Nga ajo kohë janë bërë hapa të mëdhenj dhe të rëndësishëm përpara”, thotë ai për DW.

Ekspozita është një rikthim i ngjarjeve të vrullshme historike

Për Mikelin nga Tirana gjithshka në ekspozitën e posterave në Ambasadën Gjermane të krijon përshtypjen e një “filmi”. Në këtë “film” është dhe Shqipëria, thotë ai, sepse ashtu si gjithë Lindja ish komuniste dhe realiteti shqiptar u afektua nga rënia e Murrit të Berlnit, por dhe nga procesi i ribashkimit të kombit gjerman.

“Bashkimi i dy Gjermanive hapi për mendimin tim një perspektivë të qartë për vendet e lindjes, që dhe ato të ecnin drejt vendeve përendimore. Ndaj dhe filluan dhe proceset demokratike të asaj kohe. Atëhere filluan dhe proceset demokratike në Shqipëri, filloi lëvizja e studentëve të dhjetorit '90”.

Plakatausstellung zu 20 Jahre Zwei plus Vier Vertrag in Tirana Albanien
Vjollca Muçaj duke folur për DWFotografi: DW

Vjollca, një e apasionuar në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, shikon me interes gjithshka nga procesi i unifikimit të Gjermanisë, si dhe impaktin në zhvillimet e mëpasme në kontinentin europian dhe më gjerë. Ajo përsërit një citim nga ish ministri i jashtëm gjerman Genscher në OKB, në shtator të vitit 1990, se Gjermania e bashkuar “do të japë kontributin e saj për paqen dhe lirinë në Evropë dhe në botë”. Traktati “Dy plus Katër” ishte një instrument thelbësor në favor të sigurisë dhe paqes, thotë ajo për DW-në. “Sepse bëri ribashkimin e dy Gjermanive, me dy sisteme krejt të kundërta. Të sistemit demokratik, që ishte pjesa përendimore dhe të një sistemi totalitar komunist, që ishte pjesa lindore. Ishte shumë e vështirë të mendoje që një pjesë e familjes ishte e ndarë. Unë kam parë dhe pjesë filmash të cilët tregojnë gjurmët. Por duke parë zhvillimet që ka pjesa lindore këto gjurmë janë në shuarje”.

Nga gjurmimi i çdo hapi drejt Traktatit “Dy plus Katër” për vizitorët kuptohet qartë se ky akt me rëndësi të jashtëzakonshme historike në vetvete ishte si një përgjigje ndaj një situate të re që ishte krijuar në vjeshtën e vitit 1990, por dhe ndaj një detyrimi të vjetër: Që prej vitit 1949 kushtetuta i detyronte gjermanët të “realizonin me vetëvendosje të lirë unifikimin dhe lirinë” e vendit të tyre.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica