1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

TRADUKI - Përkthimi në fokus

30 Shtator 2018

Rrjeti i përkthimit TRADUKI vepron prej dhjetë vjetësh në Ballkan. Me ndihmën e tij janë përkthyer mbi 900 libra. Në disa vende të rajonit, si në Shqipëri, ka vënë standarde të reja në marrëdhëniet me përkthyesin.

https://p.dw.com/p/35icN
Jubiläum zehn Jahre Übersetzernetzwerk Traduki
Fotografi: DW/A. Shuka

Kur pyet ambasadorin e ri të Kosovës në Berlin, Beqë Cufajn, se çfarë mendimi ka për TRADUKI-n, ai të përgjigjet menjëherë: "Është projekti kulturor më i mirë e më i qëndrueshëm në Ballkan që nga rënia e Murit të Berlinit". Si shkrimtar Cufaj ka përfituar vetë nga mbështetja financiare e TRADUKI-t. Edhe botimi i romanit të tij të fundit project@party, përkthyer në gjermanisht nga përkthyesi i shpërblyer me disa çmime, Joachim Röhm, -  u ndihmua nga TRADUKI. Një ndihmë që e rrit ndjeshëm pagën e përkthimeve letrare, që as në vendet më të pasura të Europës, nuk është dhe aq e majme. Por përkrahja financiare e lehtëson edhe vendimin e shtëpive të vogla botuese për të sjellë në treg  vepra nga gjuhët e vogla. TRADUKI përkrah projekteve që kanë të bëjnë me letërsinë në Ballkan (me përjashtim të Greqisë), Gjermani, Zvicër, Austri dhe Lihtenshtajn.

Fuqizim  përmes kontratave

Ana Kove, Schriftstellerin
Ana KoveFotografi: privat

Për përkthyesit nga Ballkani, megjithatë, subvencioni nga TRADUKI është pagesa e vetme që ata marrin. "Është dy-tri herë më e lartë se çmimi i tregut për përkthime letrare në Shqipëri", shpjegon Ana Kove nga Tirana. Me mbështetjen e TRADUKI-t ajo ka arritur të sjellë në shqip "Lulëkuqja dhe Kujtimi" (Paul Celan) dhe së shpejti edhe librin e Herta Müller-it, "Herztier".  "Besueshmëria kontraktuale e TRADUKI-t më ka impresionuar shumë. Për përkthyesin dhe letërsinë jo-tregtare, TRADUKI është një mbështetje e madhe, një përvojë unike ", thotë Kove.

Fjala vetë, traduki, vjen nga esperantoja e do të thotë përkthim, duke zbuluar njëkohësisht edhe qëllimin e rrjetit. Ai u krijua dhjetë vjet më parë me nismë të Fondacionit gjerman S. Fischer si  bashkëpunim mes sektorit publik dhe privat me synim për të financuar përkthime letrare, por duke i dhuruar përkthyesit një pozitë më të mirë.  „Tek ne vërtet që mund të aplikojnë vetëm shtëpitë botuese, por kontratat i bëjmë veç me shtëpinë botuese e veç me përkthyesen ose përkthyesin e saj", sqaron Hana Stojiç, drejtuese e programit të TRADUKI-t. „Me t'u pranuar projekti i përkthimit dhe pasi përkthimi i faqeve të para të jetë vlerësuar pozitivisht nga kontrolluesit e TRADUKI-t, përkthyesi merr një të tretat e honorarit. Pjesa tjetër i paguhet pasi dorëshkrimi i përkthimit të jetë pranuar nga kontrolluesit e TRADUKI-t." Veç kësaj, TRADUKI ngul këmbë që emri i përkthyesit të jetë në faqe të parë dhe përfaqëson të drejtat e përkthimit për pesë vitet e para pas botimit. Më pas të drejtat i kalojnë automatikisht përkthyesit.

Hana Stojic, Traduki Projektleiterin im DW Interview
HAna StojicFotografi: DW/A. Shuka

Model në rajon

Mbi  900 libra ka mbështetur deri tani rrjeti, më shumë se 800 syresh kanë shkuar për përkthime në gjuhët e Europës Juglindore. Ata jo vetëm që kanë bërë që në këto vende të vijnë në treg më shumë libra cilësorë të përkthyer, por edhe kanë forcuar pozitën e përkthyesit kundrejt shtëpive botuese, siç sqaron Mimoza Hysa, drejtuese e drejtorisë së librit në Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë. Vetë përkthyese nga italishtja, ajo kujton kohët para TRADUKI-t, kur nuk kishte fare kontrata me përkthyesit dhe një pjesë e shpërblimit të përkthyesit humbte rrugës: "Shumë shtëpi botuese kërkonin nga donatorët e tyre më shumë honorar për përkthimin se sa u jepnin në të vërtetë përkthyesve", sqaron Hysa. Ajo shton Ministria e Kulturës e Shqipërisë për këtë arsye ka marrë modelin e TRADUKI-t për sponsorizimet që u bën përkthimeve letrare duke i bërë kontratat direkt me përkthyesit, sikurse TRADUKI. Por ndërkohë edhe në Shqipëri po hyn gradualisht kultura e kontratës: Së paku, shtëpitë botuese me emër ofrojnë prej dy-tre vitesh kontrata për përkthyes.

Deutschland Leipziger Buchmesse Traduki
Njё platformё takimesh: Ministrat e Kulturёs sё Shqipёrisё, Maqedonisё dhe Malit tё Zi nё Panairin e Librit nё Lajpcig, 2018Fotografi: DW/A. Shuka

TRADUKI vetë financohet nga kontributet e anëtarëve të tij. Në fillim vetëm katër shtete ishin anëtare dhe derdhnin para në fondin e përbashkët: Gjermania, Austria, Zvicra dhe Sllovenia. Ndërkohë, rrjetit i janë shtuar gjithnjë e më shumë vende dhe institucione dhe trajtohen si anëtarë me të drejta të barabarta. Rrjeti është zgjeruar me Kroacinë, Shqipërinë, Rumaninë, Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Lihtenshtajnin. "Vendet e Ballkanit mund të përfitojnë nga fondi edhe pa qenë anëtare, por ne gëzohemi veçanërisht kur ata vijnë vullnetarisht dhe janë të gatshëm të paguajnë", thotë Antje Contius, bashkëthemeluese e TRADUKI-t dhe drejtore e ekzekutive e fondacionit "S. Fischer" që koordinon nga Berlini aktivitetet e rrjetit.

Serbia bllokon Kosovën

Për Antje Contius janë takimet e panumërta ndërmjet letrarëve, përkthyesve, botuesve dhe aktorëve të politikave të librit, të cilat mundësohen edhe nga rezidencat e shumta në rajon, efekti më i bukur anësor i TRADUKI-t. Ato kulmojnë në Panairin e Librit në Lajpcig me shumë aktivitete dhe "Natën Ballkanike" që është bërë tashmë një nga mbrëmjet letrare më të preferuara të atyre ditëve.

Së shpejti rrjetit do t'i bashkohet edhe Bullgaria. Dhe kështu do të mbeten vetëm dy vende jashtë: Bosnja-Hercegovina dhe Kosova. Kjo e fundit ka vite që po përpiqet të anëtarësohet, por e pengon Serbia, sepse nuk pranon që Kosova të hyjë si shtet i pavarur, thotë Antje Contius. Vetëm disa hapa nga zyra e saj në Berlin valëvitet flamuri i Kosovës para Ambasadës. Shefi i ri i saj nuk pranon të pajtohet kurrsesi me këtë gjendje. Anëtarësimi i Kosovës në këtë rrjet është për simpatizantin e TRADUKI-t, Beqë Cufajn, një nga prioritetet kryesore të punës së tij si ambasador.