Topolanek: Ekonomia dhe energjia prioritetet e presidencës çeke të BE-së
15 Janar 2009Presidenca çeke e radhës filloi me kriza të rënda në sferën e politikës së jashtme. Për Bashkimin Evropian aktualisht problemi kryesor janë mosmarrëveshjet e vazhdueshme për gazin mes Rusisë dhe Ukrainës. Për kryeministrin Mirek Topolanek këtu nuk bëhet fjalë vetëm për banesat përkohësisht të ftohta. "Rreziku nga ngushtica energjitike mund të shkatërrojë menjëherë dhe në aspektin afatgjatë jo vetëm ekonominë por edhe lirinë dhe sigurinë tonë".
Prandaj politika energjetike do të jetë një nga prioritetet e presidencës sonë, nënvizoi Topolanek, i cili dëshiron të rrisë rezervat e gazit të BE-së nga 90 në 120 ditë. Një çështje tjetër ka të bëjë me pozitën gjeografike të vendit, i cili ndodhet në mes të Evropës dhe në pozicionin e urës së dikurshme që lidhte Lindjen dhe Perëndimin: "Nën drejtimin e presidencës çeke do të vazhdojnë negociatat për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. Ne do të bëjmë gjithçka që Bashkimi Evropian të pranojë në radhë të parë Kroacinë sa më shpejtë që të jetë e mundur. Shembulli pozitiv i Kroacisë është kusht për të mbajtur në fuqi të ardhmen evropiane të vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor".
Reformimi i institucioneve të BE-së duhet t´i paraprijë zgjerimit
Megjithatë shumë në BE thonë se për një zgjerim të ri së pari do të jetë e nevojshme reforma e brendshme e parashikuar në Marrëveshjen e Lisbonës. Irlandezët duhet të mbajnë për këtë një referendum të dytë. Edhe në Republikën Çeke ky ratifikim nuk është kryer ende. Edhe vet Topolanek qëndron me gjysmë zemre pas Marrëveshjes për Reforma. "Nëqoftëse në Republikën Çeke do të mbahej një referendum për Marrëveshjen e Lisbonës, ajo do të refuzohej edhe atje".
Martin Shulc (Schulz), kryetar i grupimit parlamentar socialist shprehu mirëkuptim për vështirësitë e brendëshme politike të vendit me një president që refuzon Marrëveshjen e Lisbonës. Sipas Shulcit ndërkohë janë mënjanuar edhe disa dobësi në sferën e politikës së jashtme si ato të misionit në Lindjen e Mesme nën drejtimin e ministrit të jashtëm çek Karel Shvarcenberg. "Në fillim të presidencës suaj, ditët e para kisha pak dyshim. Zoti Shvarcenberg mendonte se Izraeli po e shfyrtëzon me të drejtë vetmbrojtjen dhe doli përkrah njërës palë në kohën kur Bashkimi Evropian nevojitej si ndërmjetësues. Kjo është korrigjuar, në rregull, kjo është gjë e mirë. Ju vet thoni se në konfliktin rreth gazit ne nuk ndërhyjmë si ndërmjetësues. Ndërkohë edhe kjo është korigjuar, këtë e keni bërë mirë. Nëse ajo çfarë në fillim ishte e pranishme si pasiguri, bën në të vërtetë që rezultatet e aktiviteteve tuaja të jenë pozitive, atëherë e keni mbështetjen e plotë të fraksionit tonë".
Ndërkaq presidenti i Komisionit të BE-së Hoze Manuel Barrozo (José Manuel Barroso) lavdëroi angazhimin e çekëve ndër të tjera në zënkat për gazin dhe i tërhoqi vërjetjen Rusisë dhe Ukrainës:
"Nëse Rusia dhe Ukraina nuk u përmbahen marrëveshjeve kjo do të thotë se këto dy vende nuk mund të konsiderohen më si partnerë korrekt për furnizim me energji të Bashkimit Evropian", tha Barrozo.
(EA/VFB)