1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Rezolutë dhe emërtim i një rruge “Ukraina e lirë“

8 Mars 2022

Parlamenti i Shqipërisë miratoi në unanimitet një rezolutë në mbështetje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës. Mbështeten sanksionet kundër Rusisë.

https://p.dw.com/p/489Rd
Albanien I Amtsenthebungsverfahren gegen Präsident Ilir Meta
Fotografi: AP/picture alliance

Rezoluta e Parlamentit të Shqipërisë të hënën, (07.03. )në mbështetje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës përballë agresionit rus ishte unanime. Po ashtu Parlamenti i Shqipërisë u solidarizua me qëndresën e popullit ukrainas kundër agresionit rus.

Rezoluta e cilëson agresionin rus "një akt që dhunon rendin ndërkombëtar, shkel hapur dhe në mënyrë flagrante Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, Memorandumin e Budapestit, Marrëveshjet e Minskut, si edhe një sërë dokumentesh të tjerë ndërkombëtarë dhe dypalësh, që Rusia ka firmosur me vullnet të lirë.” Përmes kësaj rezolute Parlamenti i Shqipërisë ”mbështet sanksionet ekonomike dhe masat diplomatike të ndërmarra nga partnerët strategjikë ndaj Federatës Ruse si edhe ndihmën ushtarake dhe humanitare për Ukrainën dhe popullin e saj”.

Deputetët shqiptarë bënë thirrje "për ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të forcës nga Federata Ruse në Ukrainë dhe për tërheqjen e forcave ushtarake ruse nga territori i Ukrainës sipas kufijve të njohur ndërkombëtarisht”. Në rezolutë aktet e ushtrisë ruse kundër civilëve të pafajshëm cilësohen "krime lufte” dhe kërkohet përballlja në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për shkaktarët e agresionit rus ndaj Ukrainës.

Parlamenti i kërkon qeverisë Rama "të vazhdojë angazhimin, në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha vendet aleate në NATO, BE, Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, OSBE, Këshillin e Europës dhe partnerë të tjerë për të mbështetur sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Ukrainës dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe sigurisë europiane”. Rezoluta kërkon "forcimin me prioritet të përpjekjeve për integrimin evropian të Shqipërisë dhe rajonit si mbështetjen e pazëvendësueshme për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë”.

Një amendament, i kërkuar nga deputeti i LSI, Petrit Vasili, që në rezolutë të përfshihet edhe një kërkesë e Parlamentit drejtuar qeverisë për të nxjerrë Shqipërinë nga nisma "Ballkani i Hapur” dhe të shfuqizojë marrëveshjet e deritanishme të kësaj nisme, në kushtet kur Serbia mban qëndrim në mbështetje të Rusisë, nuk u miratua.

Rruga "Ukraina e Lirë” para ambasadës ruse në Tiranë

Me një vendim unanim, Këshilli Bashkiak i kryeqytetit emëroi të hënën "Ukraina e Lirë” rrugën para ambasadës ruse, ku ndodhen edhe ambasadat e Ukrainës dhe të Serbisë. "Vendimi është një mesazh që po jepet nga shumë qytete. Ambasada e Rusisë, do të duhet që, si gjithë ambasadat e tjera që ndodhen aty, të shkruajnë në kartëvizita adresën në rrugën "Ukraina e Lirë,” tha  kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Shoqëria civile dhe qytetarët e Tiranës kanë protestuar kundër agresonit rus ndaj Ukrainës, në rrugën që të hënën u emërua ”Ukraina e Lirë”.

Ukraine Russland Krieg Angriff in Charkiw
Sulme në Kharkov, ku një sulm ajror shkatërroi edhe konsullatën e ShqipërisëFotografi: Sergey Bobok/AFP

Sulmi ajrur rus shkatërron konsullatën e Shqipërisë në Kharkov  

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtne, Olta Xhaꞔka, dënoi sulmin ajror me predha të aviacionit rus ndaj selisë së konsullatës së nderit të Shqipërisë në Kharkov. "Shqipëria dënon ashpër agresionin rus që çoi në shkatërrimin e Konsullatës së Nderit në Kharkov. Autorët duhet të mbajnë përgjegjësi, #StopAgresionit Rus, #QëndronMeUkrainën” theksoi ministrja Xhaꞔka në një postim në twitter.

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana