1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagon Moska pas shpalljes së diplomatit person “non grata”

22 Janar 2021

Ka reaguar zyrtarisht Moska pas shpalljes si person "non grata" të një diplomati rus. Ajo e quan veprimin si provokim për të dëmtuar marrëdhëniet ruso-shqiptare.

https://p.dw.com/p/3oHCJ
Russland Auswärtiger Amt in Moskau
Fotografi: Imago Images/ITAR-TASS/M. Japaridze

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme të  Shqipërisë njoftoi të enjten,(21.01) për shpalljen "non  grata”- person i padëshëruar- të Sekretarit të dytë të ambasadës ruse në Tiranë, Alexey Krivosheev, për  mosrespektim të rregullave anti COVID -19 të vendosura nga qeveria Rama.

Moska reagoi të premten menjëherë përmes Zv.Ministrit të Jashtëm, Aleksandër Grushko, njofton Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Sipas këtij njoftimi, Grushko e quan dëbimin e diplomatit rus "një provokim për të dëmtuar marrëdhëniet ruso-shqiptare” dhe "paralajmëron për një përgjigje ndaj këtij hapi jo miqësor” në reagimin, botuar të premten në gazetën ”Sputnik”.

Shqipëria publikon arsyet e dëbimit të diplomatit rus

Në njoftimin zyrtar të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të  Shqipërisë theksohet se diplomati rus, "në mënyrë të përsëritur ka thyer masat e marra nga autoritetet për mbrojtjen e popullsisë "nga infektimi me virusin COVID-19.

Albanien Außenministerium in Tirana
Fotografi: Mimoza Dhima

"Që nga muaji Prill, 2020, por edhe në fillim të këtij viti, Qeveria shqiptare ka pasur ankesa dhe denoncime të vazhdueshme mbi shkeljet e hapura nga ana e një diplomati të Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë të masave mbrojtëse", thekson njoftimi. Duke argumentuar vendimin e marrë, në njoftim theksohet se " përfaqësues të lartë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme kanë kontaktuar me ambasadorin e Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë, Mihail Afanasiev, duke ia bërë me dije shqetësimin për shkeljet e vazhdueshme të masave anti-COVID-19 nga diplomati”.

"Sfidimi i përsëritur i rregullave dhe masave mbrojtëse ndaj pandemisë dhe shpërfillja e shqetësimeve të institucioneve të shtetit shqiptar lidhur me to, nuk mund të justifikohen e nuk mund të tolerohen më tej”, thuhet në njoftim.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë e konsideron vendimin "të imponuar nga mosrespektimi i ligjeve dhe rregullave të shtetit shqiptar” dhe uron që "të mirëkuptohet plotësisht nga pala ruse” . Në vendim theksohet  se "Shqipëria e siguron palën ruse për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve”.

Reagon Ambasada ruse në Tiranë

Ambasada e Rusisë në Tiranë i ka quajtur "të pabazuara akuzat” ndaj diplomatit, Alexey Krivosheev dhe ka reaguar ndaj dëbimit të tij. Mediat e Tiranës, publikuan të enjten, (21.01) në orët e vona të mbrëmjes një deklarate të ambasadorit rus në Shqipëri, Mihail Afanasiev, të botuar në mediat ruse, ku akuzat e Shqipërisë për thyerje të masave anti Covid cilësohen të pabazuara. Deklarata thekson se "zbulimi i emrit të diplomatit rus bie në kundërshtim të hapur me praktikën e vendosur ndërkombëtare diplomatike. dhe vë në dukje gjithashtu mospërmendjen e masave anti-Covid që diplomati rus i dëbuar  ka thyer.

Shqipëria ka regjistruar  69,238 raste të konfirmuara të infeksionit me COVID-19, që nga marsi i vitit 2020 kur ajo u përfshi në pandeminë globale të këtij virusi dhe 1,291 viktima.

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana