1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

TIFF 2009 : Filmi, Shqipëria dhe Gjermania

12 Dhjetor 2009

Edicioni i shtatë të Fesitivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë nuk ishte vetëm një konkurim produksionesh, por dhe një axhendë e ngjeshur debatesh mes artistëve, krijuesve e kritikëve.

https://p.dw.com/p/L0t0
Filmklappe Klappe Film Movie KameraFotografi: picture-alliance/ dpa

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë, TIFF 2009, ishte si një kolazh vlerash e nivelesh realizmi kinematografik nga shumë vende të botës. Vetëm për të siguruar të drejtën e konkurimit në TIFF aplikuan nga 72 vende, autorë të rreth 150 filmave me metrazh të gjatë dhe reth 1 mijë filmave me metrazh të shkurtër. Por kupën e fituesit e morën produksioni spanjoll “Gruaja pa piano” i regjisorit Javier Rebollo dhe ai grek me titull: “Akademia e Platos”, me regji të Filipos Tsitos. Regjisori më i mirë u vlerësua Gjergj Xhuvani me filmin shqiptaro-italian “Lindje, perëndim, lindje”.

Iris Elezi, pedagoge në Akadaminë “Marubi".
Iris Elezi, është pedagoge në Akadaminë “Marubi" dhe thotë se ka ndier ndihmën e Gjermanisë.Fotografi: DW

Ditët e TIFF u ndoqën me vëmendje dhe një sërë realizimesh nga kinemaja gjermane, si “Gjashtë pikë gjashtë” i regjizorit Fabian Kaufmann, “Destinacioni Final” i Philip Widmann, “Një ditë prilli” i Klerë Walka, produksioni gjermano - turk “Burrë mbi urë” etj.

Filmi gjerman më ka pëlqyer jashtë mase

Skenografi Everst Imeraj i ndoqi të gjithë filmat gjermanë në Festival. Më shumë duke se i ka bërë përshtypje filmi “Ujë lambik” i regjizores Elina Fesa. Një trill që niset nga detaje të zakonshme jetësore dhe përfundon në një luftë psikologjike të personazhit kryesor. “Ishte një film interesant, shumë neomodern do të thoja. Një ndërthurje e kulturave të kapura mjaft mirë nga regjia. Filmi gjerman në tërësi mua më ka pëlqyer jashtë mase. Nuk flas vetëm për vete, por dhe për të tjerët. Shikoj një interesim të gjerë dhe dua të them se filmi gjerman po ngall diskutime artistike, letrare e shoqërore”, thotë Imeraj për DW.

Një nga prezantimet që u pëlqye nga të ftuarit në TIFF 2009 ishte dhe filmi “Udhëtimi” i regjisores nga Berlini, Sylvia Scheldebauer. Duke treguar për DW realizmin e saj, ajo thotë se ishte një film që bazohet tërësisht mbi xhirime të kryera nga të tjerët. “Kjo do të thotë se unë nuk kam rregjistruar asgjë. Janë pamje arkivale nga të tjerët, filmime krejt personale e familjare, si të thuash kujtime të vjetra. Ndofta pa ndonjë vlerë për atë që i ka patur. Të konsideruara si inventar i vjetër i padobishëm. Dhe duhet të keni parasysh se rreth 80 përqind e xhirimeve janë bërë në kushte amatore, pa pajisje regjistrimi profesionale. Por kjo lëndë ka një gjeografi të pasur nga Amerika Veriore e Qëndrore në Evropën Lindore. Shikoni, është një film poetik. Është ajo ndjesia që kap cilindo për një ngjarje të kaluar, psh., pas emigrimit, apo për ngjarje që të janë ngulitur thellë në mëndje e që kanë ndodhur kur je ndodhur larg vendlindjes”.

TIFF 2009
TIFF 2009Fotografi: DW

Kontakte artistësh

Regjizorja ndjehet e mrekulluar nga prezantimi në Festival i aq shumë filmave nga të gjitha llojet e rrymat, mes tyre dhe filma eksperimentalë, dokumentarë etj. “Festivalet janë një ballafaqim i mjeshtërisë së autorëve të kinemasë. Një vlerësim konkret për atë që ke arritur. Por janë dhe raste shumë të favorshme për kontakte mes artistëve nga vende të ndryshme. Aty lindin ide për bashkëpunime e plane në të ardhmen”- thotë ajo për DW.

Duke ju referuar kontakteve intensive që ka patur me kolegët shqiptarë Scheldebauer thotë se ka mësuar që produksioni kinematografik po gjallërohet në vitet e fundit. Por ajo nuk e fsheh dhe habinë e realitetit artistik të Tiranës. “Vërtet jam e çuditur nga fakti se këtu në Tiranë janë vetëm dy kinema. Për mua është e pabesueshme. Por shpresoj që gjërat të lëvizin shpejt dhe ti përgjigjen kërkesave që ka kjo degë e artit, por dhe nevojave të qytetarëve që e pëlqejnë filmin. Që duan kushte normale për ta shijuar atë. Fakti që TIFF –i është në edicionin e tij të shtatë tregon se shumë shpejt gjërat do të ndryshojnë realisht në Shqipëri”.

Prezenca e Sylvia Scheldebauer në Tiranë ka patur dhe një objektiv tjetër profesional. Ajo zhvilloi një mësim të hapur me studentët e degës së filmit të Akademisë së Filmit të Multimedias “Marubi” në Tiranë. “Ishte prezantimi i 14 produksioneve eksperimentale të autorëve të njohur dhe atyre të rinj gjermanë. Prezantimi kishte të bënte jo vetëm me familjarizimin e kineastëve të ardhshëm shqiptarë me standartin gjerman. Por ishte dhe një hap tjetër i shkëmbimit të eksperiencave në të ardhmen. Duke u ndjekur dhe me veprimtari të tjera në të ardhmen”.

Sylvia Schedelbauer
Sylvia SchedelbauerFotografi: DW

Iris Elezi, është pedagoge në lëndën “Analiza e filmit” në Akadaminë “Marubi”. Ajo thotë për DW se qysh nga krijimi Akademia ka patur dhe ka një suport e partneritet shumë të ngushtë me Gjermaninë. Ajo përmend faktin se vetëm pak kohë më parë tek “Marubi” u zhvillua “Java e filmit gjerman”. Ku jo vetëm u shfaqën filma, por dhe u zhvilluan debate të gjalla mes studentëve, pedagogëve e shikuesve të ndryshëm për aspekte profesionale të tyre. “Kemi patur rast të kemi shkëmbime me simotrat në Gjermani. Shkëmbime studentësh e pedagogësh. Na kanë ardhur kamera –operatorë të sukseshëm, të cilët përveç se kanë sjellë punën e tyre, kanë punuar dhe me studentët tanë. T`i mësojnë nga gjërat më të thjeshta tek ato më të thellat, se si mund ta shikojmë botën ku jetojmë sot.”

Ajo e konsideron privilegj për vetë atë dhe studentët e saj që zhvilluan një mësim të hapur me Schedelbauer. “Përveç se ajo është një regjisore fenomenale, si një nga emrat më të përmendura momentalisht në botë, është dhe një montazhiere fantastike. Në këtë festival ne patëm mundësi të shikonim dhe një punë të saj me regjizorin amerikan Craig Baldwin”, thotë Elezi për DW.

Elezi ka dhe vetë një eksperincë të vetën në kontaktet me kineastët gjermanë në Berlin. Ajo thotë se vetëm në një qëndrim disa ditor atje, diskutimet me kolegët, pjesëmarrja në një workshop me një skenograf të njohur gjerman e ka bërë të ndjehet mirë dhe të përfitojë shumë profesionalisht. Ajo mezi pret të kthehet sërish në Gjermani, veçanërisht në Berlin, të cilin ka dëshirë ta quajë si “kryeqytetin evropian të kulturës dhe artit”.

Autor : Arben Muka

Redaktoi : Aida Cama