Interpol Assange
2 Dhjetor 2010Meqenëse nuk dihet se ku ndodhet Assange, urdhëri i arrestit u lëshua në mungesë. Në rast se Julian Assange do të arrestohet, atëhere ai do t'u dorëzohet autoriteteve suedeze. Julian Assange e përdori Suedinë si bazë për Wikileaks, sepse aty ka rregulla mjaft të forta për mbrojtjen lirisë së shtypit. Assange shkoi në Stokholm me ftesë të Partisë së Piratëve, e cila i kishte premtuar se në të ardhmen do t'i merrte në mbrojtje serverat e Wikileaks.
Assange akuzohet për dhunë seksuale
Më 14 korrik 2010 ai u njoh në Stokholm me dy femrat, që e denoncuan rreth një javë më pas për përdhunim në polici. Më 18 gusht Assange kërkoi leje qëndrimi dhe pune në Suedi. Dy ditë më pas prokuroria Maria Jellstrand lëshoi në bazë të denoncimit të dy femrave urdhër arresti në mungesë. Një ditë më pas prokurorja Ewa Finné e anuloi këtë urdhër. Disa ditë më vonë Assange merret në pyetje nga policia dhe pas kësaj prokurorja Marianne Ny lëshon sërish urdhër arresti. Në protokollin e marrjes në pyetje nga policia Assange kishte thënë se atë natë kishte bërë disa herë seks me njërën prej femrave në fjalë. Ai theksoi se kishte përdorur prezervativë. Njëra prej grave thotë se nuk kishte përdorur prezervativë. Ajo thotë se i kishte refuzuar ndonjëherë përpjekjet e Assanges për t'iu afruar seksualisht, por në një mënyrë të tillë, që nuk kishte qenë tepër e qartë. Prej deponimeve të tilla nuk është e qartë, nëse ato do të jenë të vlefshme për organet e drejtësisë.
Assange e konsideron këtë si fushatë komplotuese kundër tij
Në një intervistë ai tha se nuk e ka të qartë, nëse kemi të bëjmë me një larje hesapesh për arsye personale, apo politike, por se sapo të mbledhë dëshmi dhe materiale për këtë do të dalë sërish në publik.
Autor: Albrecht Breitschuh/Pandeli Pani
Redaktoi: Angjelina Verbica