1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thaçi: Zyrtarisht mandati cilësdo parti që siguron shumicën

Bekim Shehu
22 Prill 2020

Presidenti Thaçi takoi të mërkurën të gjitha subjektet politike parlamentare në Kosovë. Përveç Vetëvendosjes gjithë të tjerët u deklaruan për krijimin e një shumice të re parlamentare që do të formojë qeverinë.

https://p.dw.com/p/3bH50
Kosovo Pristina | Parlament des Kosovo stimmt über neue Regierung ab: Albin Kurti
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu

Të gjitha partitë politike parlamentare, përveç Lëvizjes Vetëvendosja, u shprehën të mërkurën (22.04), se janë kundër shpërbërjes së Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje të reja. Ato mbështesin krijimin e qeverisë nga një shumicë e re parlamentare. Kjo u bë e ditur gjatë një takimi që transmetohej drejtpërdrejt në media, ku presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mblodhi në zyrën e tij të gjitha subjektet politike parlamentare. Secili u deklarua për pozicionin e partisë që përfaqëson.

"Si rrjedhojë e diskutimeve, si dhe duke marrë parasysh që të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvend, me përjashtim të njërës, janë për formimin e Qeverisë së re, ndodhemi para pyetjes: Si rrjedhojë e vullnetit tuaj që vendi të ketë qeveri të re të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, duke respektuar në tërësi dhe përpikmëri Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës, do t'i jap mandatarin cilësdo parti që dëshmon se ka shumicën në Kuvend për të formuar qeverinë e re”, deklaroi presidenti Thaçi, në përfundim të takimit.

Kundër këtij takimi, ishte Lëvizja Vetëvendosja që u përfaqësua nga Albulena Haxhiu, e cila tha se "Thaçi është duke bërë shkelje kushtetuese me thirrjen e partive të tjera për t'u konsultuar për të formuar qeverinë e re”.

Hashim Thaci
Fotografi: picture-alliance/AA/D. Aydemir

Para takimit letër e Thaçit për Kurtin

Gjatë paradites së mërkurë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, sërish i shkroi letër Albin Kurtit kryeministër në detyrë, njëherësh edhe kryetar i lëvizjes Vetëvendosje, të cilin e paralajmëroi së do të nisë konsultimet me partitë politike për formimin e qeverisë së re. Ka disa herë që presidenti Thaçi, i kërkoi Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes si partia e parë që doli në zgjedhjet e fundit, që të dërgojë emrin e mandatarit për formimin e qeverisë së re të Kosovës, pas rrëzimit të qeverisë Kurti me mocion mosbesimi më 25 mars në parlamentin e Kosovës. Albin Kurti nga ana e tij nuk ka pranuar të dërgoj ndonjë emër, por ai kërkon që në Kosovë serish të ketë zgjedhje pas pandemisë së COVID-19.

Në letrën që e publikoi presidenti Thaçi, thuhet se ai e ka njoftuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, se "pas mungesës së përgjigjes në lidhje me caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë, në bazë të autorizimeve kushtetuese, presidenti do t'i fillojë bisedimet me liderët e partive të tjera politike”.

"Me keqardhje konstatoj se me veprimet tuaja nuk e keni shfrytëzuar të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për ta formuar qeverinë, në pajtim me Vendimin e KQZ-së për certifikim të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, shkruan Thaçi në letër duke e njoftuar Kurtin se "do të veprojë në bazë të kompetencave që garantohen me Kushtetutë dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014”.

"Më duhet t'ju rikujtoj që në pajtim me mandatin kushtetues është përgjegjësi e imja që ta ruaj stabilitetin e vendit dhe ta garantoj funksionimin demokratik të institucioneve”, shkruan presidenti. Këtë vendim për konsultime me partitë politike për formimin e qeverisë së re, Thaçi e ka marrë pasi qAlbin Kurti dhe Vetëvendosje nuk i janë përgjigjur atij me emër për mandatar për krijimin e qeverisë së re, pavarësisht tri thirrjeve publike të bëra nga Presidenti më datë 2, 10 dhe 15 prill në adresë të Albin Kurtit.

Symbolbild - Kosovo-Parlament berät über Misstrauensvotum
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Nimani

Albin Kurti: Zgjedhje pas pandemisë

Thirrjeve të presidentit Thaçi për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë, Albin Kurti i është përgjigjur me letra të natyrës tjetër, duke e argumentuar se pse nuk mund të ketë qeveri të re, por vendi sipas tij të shkojë në zgjedhje pas pandemisë së COVID-19. "Jo, nuk hezitojmë t'ju përgjigjemi. Jo, nuk e refuzojmë kërkesën tuaj. Por jam i detyruar ta përsëris atë që kam pyetur në letrën time të fundit, e për të cilën nuk kam marrë përgjigje. Shprehimisht kam thënë: E kam të qartë që situata aktuale nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve, dhe kjo është diçka që ne nuk po kërkojmë të bëhet tani, par sapo të krijohen kushtet pas kalimit të pandemisë. Mirëpo ajo që nuk e kam të qartë është standardi i dyfishte që Ju dhe partitë politike po tentoni ta impononi në rrugë jokushtetuese, pas këtij mocioni mosbesimi i cili nuk dallon në aspekt formal dhe material nga praktikat e mëhershme. Ndoshta do të mund të na sqaroni ketë?”, shkroi Albin Kurti në një letër dërguar presidentit Thaçi më datë 17 prill.

Sipas Kurtit, qeveria aktuale në detyrë duhet ta vazhdojë punën deri në përfundimin e pandemisë së koronavirusit dhe më pastaj vendi të shkojë në zgjedhje. Sipas Albin Kurtit formimi i një qeverie të re pa partinë fituese, në këtë rast pa Vetëvendosjen, do ta detyrojë Kurtin që një rast të tillë ta procedojë në Gjykatën Kushtetuese. Menjëherë sapo presidenti paralajmëroi se do të nisë konsultimet me partitë politike për kalimin e mandatit të një subjekt tjetër politik për formimin e qeverisë së re, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK ) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) filluan takimet në përpjekje për të arritur koalicionin qeverisës. Një takim zhvilluan të merkurën liderët e dy partive, Isa Mustafa (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK), ku u tha se "është diskutuar vetëm për lidhjen e koalicionit, por jo edhe për ndarjen e pozitave'. Këtë e bëri të ditur Besnik Tahiri, nga AAK, i cili tha se megjithatë duhet të pritet vendimi i presidentit Hashim Thaçi në lidhje me mandatin kushtetues që duhet t'i jepet subjektit politik në këtë rast LDK-së si partia e dytë që doli në zgjedhjet e fundit për formimin e qeverisë.

Takime të ngjashme priten edhe me Nismën Socialdemokrate dhe Aleancën Kosova e Re, të cilat janë deklaruar se mund të jenë pjesë e koalicionit të ri. Po ashtu takime duhen zhvilluar edhe me Listën Serbe si dhe komunitetet e tjera joshumicë që së bashku kanë 20 vende në parlament. Për krijimin e qeverisë së re duhen së paku 61 vota nga 120 deputetë sa i ka parlamenti i Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e udhëhequr nga Kadri Veseli, është deklaruar se ajo nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re, por do të qëndrojë në opozitë.