1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thaçi: Zaev shfajësohet për deklaratat për ndryshim kufijsh

Bekim Shehu
11 Korrik 2019

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha, se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i ka telefonuar për t'i kërkuar falje lidhur me deklaratat, ku ai e përmend presidentin Thaçi në një plan për ndryshim kufijsh.

https://p.dw.com/p/3Lvf4
Kosovo Präsident Hashim Thaci | ARCHIV
Fotografi: Reuters/L. Hasani

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i ka kërkuar falje për disa deklarata që u bënë publike nga dy komedianë të njohur rus Vovan dhe Leksus, ku Zaev kishte rënë pre në një telefonatë të rreme. Zaev në këtë telefonate e kishte përmendur emrin e Presidentit të Kosovës, si i përfshirë në bisedime me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq për ndarje të Kosovës. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut e kuptoi se ishte pre e një mashtrimi, kur dy komedianët rus e publikuan inçizimin e telefonatës në kanalin e tyre në youtube. Zoran Zaev kishte rënë pre e komedianëve rus, të cilët përmes telefonit i janë prezantuar si ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në këtë bisedë telefonike është folur edhe për bisedimet Kosovë-Serbi dhe kryeministri Zaev kishte shprehur shqetësimin që “Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai serb Aleksandër Vuçiq, po përpiqen të shkëmbejnë territore”, duke theksuar se këtu mund të ketë ndikim edhe Rusia, plan ky që mund të ketë pasoja negative në Ballkan. 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas publikimit të këtij incizimi tha se ai është telefonuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev për të sqaruar deklaratat e tij. “Kam biseduar në telefon me kryeministrin Zaev. Ai më ka thirrur mua që të sqarohet për deklaratat e tij dhe çfarë ka biseduar me dy komedianët rus duke menduar që po flet me ish-presidentin Poroshenko. Me ka thënë shumë qartë që ka qenë një rrethanë, në të cilën ka rënë pre e mashtrimit dhe gjithçka që ka folur për komunat e Kosovës që do t'i jepen Serbisë ka folur duke u bazuar në thashetheme në dezinformata dhe të dhënat dhe lansimet e gazetës ruse Sputnik dhe thashethemeve ruse. Më ka kërkuar falje mua dhe Kosovës. Në të njejtën kohë ka theksuar se gjërat për të cilat ai ka folur me mashtruesit janë gjëra që nuk qendrojnë në raport me Kosovën”, tha në një deklaratë për medie Presidenti Thaçi.

Edhe presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj në shënjestër të telefonatave

Ai tha se disa muaj më parë ka pasur përpjekje që edhe ai vetë të bëhet pre e mashtrimit të komedianëve rusë, por që kabineti i tij e ka kuptuar rrengun dhe e kanë shmangur telefonatën. Publikimi i deklaratave të kryeministrit maqedonas Zoran Zaev, që “Thaçi e Vuçiq kanë plane për shkëmbim territori”, nxitën reagime në Kosovë. Kryeministri Ramush Haradinaj, në një postim në facebook, pa e përmendur emrin e Presidentit Thaçi, shkroi se “askush nuk do të na ndajë. Sovranitetin, integritetin dhe paprekshmërinë e Kosovës, do ta mbrojmë me çdo çmim”. Këtë reagim, Haradinaj e bëri pas publikimit të telefonatës së Zoran Zaev, ndërsa, sot në një konferencë për medie edhe kryeministri kosovar e pranoi që edhe ai vetë ka qenë pre e një telefonate nga komedianët rus, pas një telefonate të vërtetë që ka zhvilluar me ish-presidentin ukrainas Petro Poroshenko. 

“Me presidentin Petro Poroshenko kam folur, por edhe me komikët pastaj. Një ose dy biseda kam pas me të nga një linjë e sigurt. Ndërsa, ka ndodhur një bisedë nga një linjë e hakeruar, që kanë thirrur prej tij. Për fat të mirë biseda ime nuk ka dalë nga shablloni dhe nuk e kanë publikuar”, tha Ramush Haradinaj. 

Reagimet e opozitës


Ndërkohë, partia opozitare Lëvizja Vetëvndosja, vazhdon të besojë që Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Alaksandër Vuçiq kanë plane të fshehta për ndarje të Kosovës. Argument sipas tyre është edhe publikimi i telefonatës së Zoran Zaev, prandaj, ky subjekt politik kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme, për siç thonë, “ta larguar Thaçin nga pozita e Presidentit”. “Ky njeri i shantazhuar me dosje të reja e të vjetra nuk mund ta përfaqësojë Kosovën në bisedime me Serbinë. Si i shantazhuar nga Serbia, ai po vepron në interes të Serbisë edhe nëse eventualisht  nuk e dëshiron një gjë të tillë. Ju bëjmë thirrje forcave politike që të shkojmë sa më parë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe ta largojmë këtë person nga kjo pozitë. E gjithë kjo vjen kur në vend kemi një qeveri të korruptuar. Ne e dimë që Thaçi nuk jep dorëheqje as kur kapet nga skandalet e as kur kapet si shkelës i kushtetutës”, tha në një konferencë për medie deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi.


Sidoqoftë, dialogu Prishtinë-Beograd tash e një vit po mbahet i bllokuar për shkak që Prishtina dhe Beogradi ia hedhin fajin njëra-tjetrës. Aktiviteti diplomatik i Serbisë kundër Kosovës dhe si kundërpërgjigje e kësaj, vendosja e taksës nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve të Serbisë, janë dy faktorët që po mbajnë të bllokuar dialogun. Për shkak të këtyre zhvillimeve u anulua edhe takimi i Parisit (vazhdimësi e Samitit të Berlinit), që planifikohej të mbahej me një korrik në Paris dhe ku do të flitej vetëm për mundësinë e arritjes së një marrrëveshjeje Kosovë-Serbi, që do të përmirësonte raportet ndërmjet dy vendeve.