1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thaçi së shpejti në bankën e të akuzuarve të Speciales

5 Nëntor 2020

Presidenti i dorëhequr i Kosovës Hashim Thaçi do të dalë para Gjykatës së Hagës lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij për krime lufte në Kosovë. Ç'do të thotë kjo për ish-funksionarët e tjerë të UÇK dhe për dëshmitarët?

https://p.dw.com/p/3kubq
	
Kosovo | Präsident Hashim Thaci wegen Kriegsverbrechen angeklagt
Fotografi: AFP/A. Nimani

Kryeprokurori amerikan, Jack Smith, dëshiron ta shohë Hashim Thaçin në gjyqin e Gjykatës Speciale Ndërkombëtare e Kosovës në Hagë. Dhe këtë ai e bëri të ditur qysh në qershor 2020. Një hap i pazakontë në publik ky, të cilin Smith e arsyetoi asokohe, duke thënë se Thaçi e kishte penguar në mënyrë aktive punën e Gjykatës.
 
Hashim Thaçi ka qenë komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila u shpërbë në vitin 1999. Aktakuza ndër të tjera përfshin tortura dhe përndjekje, dhe bën fjalë për rreth 100 vrasje. Thaçi vetë i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe thotë se janë një përpjekje për të njollosur Luftën e Kosovës për liri. Specialja është krijuar vetëm nën presionin ndërkombëtar dhe është një padrejtësi historike. 

Thaçi vetë ishte ai që në vitin 2015 u bëri presion deputetëve të Kosovës që të miratonin ngritjen e Speciales, por vëzhgues në Kosovë besojnë se Thaçi kujtonte se kundër tij personalisht nuk do të kishte hetime. 

Gjykata Speciale ndërkombëtare e Kosovës quhet zyrtarisht "Dhomat e Specializuara të Kosovës & Zyra e Prokurorit të Specializuar". Ajo u ngrit në vitin 2015 për të hetuar krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit që ndodhën ose filluan në Kosovë nga  fillimi i janarit 1998 dhe deri në fund të dhjetorit 2000. Kjo ishte një periudhë plot ngjarje para, gjatë dhe pas Luftës së Kosovës. Bëhet fjalë për ekzekutime, vrasje politike, tortura, dhuna seksuale, trafikim të armëve, drogës dhe organeve, si edhe vrasje të personave civilë, edhe pas largimit të serbëve, në qershor 1999, dhe kur në Kosovë kishin marshuar forcat e NATO-s, konkretisht KFOR-i. 

Viktimat kanë qenë serbë, por edhe persona civilë shqiptarë, që pretendohet të kenë bashkëpunuar me serbët, por edhe pjesëtarë të pakicës rome. Vrasje të pretenduara me motive politike u kryen kryesisht kundër anëtarëve të "Lidhjes Demokratike" (LDK), partia e Ibrahim Rugovës, e cila bëri rezistencë paqësore kundër Beogradit. Edhe "Raporti i Marty", siç njihet ai në Kosovë,  konsiderohet gjithashtu si një shtysë e rëndësishme për formimin Gjykatës Speciale.

Dëshmitarët luajnë një rol të veçantë  para Tribunalit Special të Hagës në Kosovë. Krimet në fjalë kanë ndodhur shumë kohë më parë dhe gjurmët në terren janë të pakta.  Prokuroria e Hagës e mban shumë të fshehtë se kush është dëshmitar i mundshëm, por në fund të shtatorit pati një incident që shkaktoi një indinjim  të madh:  Shoqata e Veteranëve të UÇK-së në Prishtinë publikoi dokumente të brendshme të Gjykatës Speciale që i ishin dorëzuar në mënyrë anonime. Aty duhet të ketë pasur edhe emra dëshmitarësh të rremë.. Kryetari i shoqatës, Hysni Gucati dhe zëvendësi i tij u arrestuan në fund të Shtatorit 2020 dheu transferuan në Hagë për pengimin e gjyqësorit dhe shantazhim ndaj e dëshmitarëve.

Kosovo Priština | Protest gegen Befragung von Hashim Thaci in Den Haag
Fotografi: picture-alliance/Anadolu Agency/E. Keci

Shumë kosovarë e konsiderojnë gjykatën speciale si një gjykatë anti-UÇK

Gjykata Speciale e Hagës është pjesë e sistemit gjyqësor kosovar. Ka dy institucione të pavarura nga njëra-tjetra: Gjyqësorin me të gjitha shkallët deri te Gjykata Kushtetuese dhe Prokurorinë. Ajo u ngrit nga Parlamenti I Kosovës në Prishtinë, në vitin 2015, pas një qëndrese të madhe dhe debatesh të gjata. Kjo ndodhi nën presion të madh nga Brukseli dhe Uashingtoni dhe kundër vullnetit të deklaruar të lobit me ndikim të UÇK-së në Kosovë, ku hyn edhe Shoqata e Veteranëve të UÇK-së. Në  shtator 1999, UÇK-ja u shpërbë zyrtarisht dhe u çarmatos, por një numër protagonistësh të atëhershëm të rangut të lartë tani janë me ndikim në biznes dhe politikë.

Gjykata vazhdimisht thekson se gjyqi bëhet kundër individëve dhe jo kundër organizatave. "Njerëzit mbajnë  përgjegjësi për krimet që ata kanë kryer si individë, jo si përfaqësues të një grupi, një komuniteti ose një grupi etnik," tha Solene Moutier nga Gjykata Speciale e Hagës në Prishtinë disa muaj më parë. Por shumë njerëz në Kosovë janë absolutisht të bindur se Gjykata Speciale është drejtuar ekskluzivisht kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe se kësisoj riaktivizohen shumë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që pala serbe në mënyrë demonstrative ka kryer në Kosovë. 
 

ARD