1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thaçi: Kosova duhet t’i flasë botës me një zë

Bekim Shehu
19 Korrik 2020

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha pas kthimit nga Haga se ka respekt të plotë për procesin e zbardhjes së të vërtetës dhe të rolit të tij në UÇK dhe luftën çlirimtare për liri dhe pavarësi.

https://p.dw.com/p/3fYag
Niederlande Den Haag | Hashim Thaci, Präsident Kosovo
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/P. Nijhuis

Pas katër ditë marrjeje në pyetje nga prokuroria speciale Hashim Thaçi, u kthye në Kosovë përmes Shqipërisë. Në kufirin me Kosovën ai u prit nga qindra përkrahës që valvitnin flamujt e ish- UÇK -së. Në një fjalö drejtuar publikut të shtunën në mbrëmje (18.07) presidenti Thaçi, bëri thirrje për dialog mes forcave politike në Kosovë, për debat të shëndetshëm mes qeverisë dhe opozitës dhe theksoi nevojën për unitet në raport me dialogun me Serbinë.

Thaçi: Historia e rezistencës së Kosovës e paprekshme

Në fjalön e tij lidhur me procesin e Hagës ai tha se historia e rezistencës së Kosovës do të bëhet njëherë e përgjithmonë e paprekshme nga askush. "Ju them me bindje se ky proces jo vetëm që nuk do ta rishkruajë këtë histori të shkruar me gjakun dhe sakrificën e një populli të tërë në luftën për liri, por përkundrazi, nga ky proces, cilado qoftë rrjedha dhe kohëzgjatja e tij, historia e lavdishme e rezistencës, mbijetesës dhe triumfit mbi një pushtues, që kërkoi të shfaroste popullin shqiptar të Kosovës nga faqja e dheut me fshesën e fashizmit etnik, do të bëhet njëherë e përgjithmonë e paprekshme nga askush", tha Thaçi.

Der Präsident von Kosovo Hashim Thaci in Den Haag vor einem Sondergericht
Fotografi: DW/A. Bajram

Presidenti tha se në Hagë është intervistuar për 30 orë dhe "në ballafaqim me organin e akuzës” është njoftuar "për pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar” dhe u është përgjigjur pyetjeve të tyre.

Respekt tek drejtësia

"Kam respekt të plotë për procesin e zbardhjes deri në fund, të së vërtetës dhe të rolit tim në luftën çlirimtare për liri dhe pavarësi. Ky proces është në vazhdën e 21 vjetëve të akuzave, shpifjeve e fabrikimeve mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe shtet. Por, ky proces do të vulosë njëherë e përgjithmonë rolin historik të UÇK-së si një rol i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm për lirinë e fituar për të gjitha gjeneratat që do ta gëzojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe demokratik”, tha Thaçi.

Pas përfundimit të intervistimit të mbi 30 orë nga Prokuroria Speciale, presidenti tha se "i mbetet prokurorit dhe gjykatësit që të vlerësojnë me paanshmëri dhe me mendje të hapur dëshminë e tij”, duke u shprehur i bindur se "ata lehtë mund të vijnë në përfundimin se unë se nuk kam bërë asnjë lloj krimi apo shkelje të pretenduara”.

Dialogu me Serbinë

Thaçi foli edhe për procesin e dialogut me Serbinë, dhe bëri thirrje për unitet rreth këtij procesi. "Kosova sot ka nevojë më shumë se kurrë për dialog të civilizuar mes forcave politike, për stabilitet institucional, për qeverisje të mirë dhe unitet qytetar e politik, veçanërisht në dialogun për njohjen e saj përfundimtare nga Serbia dhe nga krejt bota. Kosova sot duhet ta kultivojë shumëllojshmërinë e mendimit dhe të jetojë me debatin e shëndetshëm mes Qeverisë dhe opozitës. Por, njëkohësisht duhet t'i flasim botës me një zë dhe të zhvillojmë dialogun me Serbinë me një unitet shembullor çfarë e kishim në Rambuje, në Vjenë dhe në Bruksel”, tha presidenti Thaçi.

Deutschland Serbien und Kosovo unterzeichnen Abkommen über Bau von Autobahn und Bahnstrecke
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Hoppe

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë rifilloi në Bruksel në të njejtën kohë, kur Prokuroria Speciale merrte ne pyetje  presidentin Hashim Thaçi.

Në aktakuzën ende të pakonfirmuar Prokuroria Speciale e akuzon Hashim Thaçin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin si dhe disa të tjerë, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë, si përgjegjës "për 100 vrasje të paligjshme” dhe krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë "qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Kjo aktakuzë do të shqyrtohet dhe do të konfirmohet apo hidhet poshtë nga gjyqtari i procedurës paraprake, francezi Nikola Giju. Nëse aktakuza kofirmohet, atëherë presidenti Thaçi, ka deklaruar se ai do të japë dorëheqjen nga posti i presidentit.