1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thaçi nuk dekreton serbin Laban si gjyqtar kushtetues

Bekim Shehu
24 Maj 2018

Deri në verifikimin e plotë të së kaluarës Presidenti Hashim Thaçi nuk e dekreton serbin Radomir Laban si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

https://p.dw.com/p/2yGgP
Justiz Gerechtigkeit Symbolbild
Fotografi: www.Finanzfoto.de - Fotolia.com

Ky vendim erdhi pas reagimit të opozitës kosovare dhe organizatave për të drejtat e njeriut, të cilat e kundërshtuan emërimin e zotit Laban, për shkak se autoritetet në Serbi pohojnë se Radomir Laban, ka ikur në Kosovë për t'iu shmangur një dënimi për korrupsion në Serbi. 

Radomir Laban u propozua për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese  nga lista "Srpska”, që është pjesë e parlamentit të Kosovës me 10 deputetë, si dhe pjesë e qeverisë. Një javë më parë gjatë votimit, Radomir Laban, mori 71 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës duke u zgjedhur kështu gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese si përfaqësues i komunitetit serb. Mirëpo, që të fillojë detyrën, Laban duhet të dekretohet nga Presidenti i Kosovës.

Verfikim i personit

Nga zyra e Presidentit Hashim Thaçi u tha se dekretimi i zotit Laban nuk do të ndodhë deri në verifikimin e plotë të së kaluarës së tij, nga organet kosovare të drejtësisë. "Për shkak të dyshimeve të ngritura për të kaluarën e Radomir Laban, Presidenti i  Kosovës nuk do ta bëjë dekretimin e tij derisa organet kompetente të sigurisë,  nuk e bëjnë verifikimin e plotë”, thuhet nga zyra e presidencës së Kosovës.

Mediet në Serbi dhe Kosovë njoftuan se sipas autoriteteve serbe, Radomir Laban, ish-zyrtar i doganave, ishte dënuar në vitin 2012 në Serbi me gjashtë vjet burg, si pjesë e një grupi doganierësh dhe afaristësh të akuzuar për kontrabandë milionëshe. Pas shpalljes së dënimit, Radomir Laban, kishte ikur nga Serbia në Kosovë. Për shkak të marrëdhënieve jo të mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vendimi  i gjykatës serbe ishte i pamundur të zbatohej në Kosovë.

Zyrtarë të misionit EULEX, kanë konfirmuar se ata kanë marrë një kërkesë nga një gjykatë në Serbi për ekstradimin e zotit Laban, por nën mandatin që ka EULEX, nuk mund ta ekstradojë zotin Laban atë Serbi.