1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Teste gjenetike për emigrantët në Francë?

Klaudia Deg (Deeg)21 Shtator 2007

Ishte një nga premtimet e Nikola Sarkozisë: rregulla më të ashpra për ata që duan të emigrojnë. Tani ka dalë një ide tjetër e tij: test gjenetik për emigrantët, për të vërtetuar se ata janë vërtet të afërt me familjen.

https://p.dw.com/p/Bi9u
Pasqyrim grafik i një testi të DNA-së
Pasqyrim grafik i një testi të DNA-sëFotografi: AP

Të huajt nën 65 vjeç, të cilët duan të bashkohen më të afërmit e tyre në Francë, duhet që që në atdheun e tyre të bëjnë një test të gjuhës frënge dhe të provojnë dijet e tyre për vlerat e Republikës. Ai që nuk e kalon një provim të tillë, lejohet të futet në Francë vetëm po të marrë pjesë në këtë vend në një kurs. Veç kësaj, familja në Francë duhet të vërtetojë se ka të ardhura minimale. Diskutime të ashpra shkaktoi para së gjithash një ide: testi gjenetik për emigrantët, për të vërtetuar se ata janë vërtet të afërt me familjen, tek e cila duan të shpërngulen në Francë.

Koservatorët e quajnë metodën moderne

Tieri Mariani (Thierry Marriani), deputet i partisë konservatore në pushtet UMP për propozimin e tij: "Metoda është moderne dhe më e sigurtë se sa pasaportat, nga vende për të cilat saktësitë në këtë drejtim nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe. Çfarë është më mirë? Një vit e gjysmë pritje apo një test vullnetar gjenetik, rezultatin e të cilit e ke brenda dy javësh?" Tekstin e ligjit disi e zbutën, dhe kështu ai mundi të fitojë një shumicë votash në Asamblenë Nacionale: testi i DNA-së është vullnetar dhe ky rregull do të futet hë për hë si test deri në fund të vitit 2010. Pas kësaj, një komision do të vendosë, nëse testi gjenetik ka kuptim të bëhet edhe më tej apo jo. Nëse një emigrant vërteton përmes një testi të DNA-së lidhjen e tij farefisnore, shpenzimet për testin atij ia paguan shteti. Mbështetësit e kësaj ideje tërheqin vëmendjen se shtete të tjera evropiane tashmë e praktikojnë një gjë të tillë.

Grigny, në rrethinat e Parisit
Grigny, në rrethinat e ParisitFotografi: AP

Radikalët e djathtë e përkrahin testin e ADN-së

Politikanë radikalë të djathtë, si shefi i Frontit Nacional Zhan Mari Le Pen e përshëndetën këtë hap: "Të gjitha mjetet e identifikimit janë të mira. Pse të mos të përdoret një metodë kaq moderne? Unë nuk kam frikë nga katologizimi i mijëra dosjeve të DNA-së. Ajo për të cilën druhem unë është vala e pafund e emigrantëve, që vazhdojnë të vijnë edhe më tej në Evropë dhe në Francë."

Jean-Marie Le Pen duke dhënë votën
Jean-Marie Le Pen duke dhënë votënFotografi: AP

Kritika masive të opozitës

Grupe të të drejtave të njeriut, politikanë të opozitës, por edhe deputetë të UMP-së e anëtarë të qeverisë kanë formuluar kritika masive. Sipas tyre, me këtë ligj vihet në pikëpyetje vetë thelbi i ligjeve franceze. Deri tani, testet gjenetike në Francë lejohen vetëm për synime mjekësore dhe luftimin e kriminalitetit. Aksel Khan, gjenetist dhe anëtar i Partisë Socialiste: "Bëhet fjalë për një ndërhyrje kundër normave në zemrën e familjes. Ajo që na duket perverse dhe jomorale për familjet franceze, duhet të bëhet e detyrueshme për familjet e huaja. Për familjet franceze është vendosur para shumë kohësh, se bërthama e një familjeje nuk mund të përkufizohet vetëm në aspektin biologjik, pra gjenetik."

Vendimin e merr Senati

Bekimin e tij ligjit tani duhet t'ia japë edhe senati. Dhe shumica e deputetëve në senat vijnë nga parti konservatore. Martin Hirsch, një i majtë në qeveri, i cili është përgjegjës për luftën kundër varfërisë do të përpiqet t'i bindë senatorët: "Unë jam kundër testeve gjenetike. Unë mbështetem te senati. Me të kam bashkëpunuar edhe për çështje të tjera të bioetikës. Sepse: parimet etike bëjnë pjesë në identitetin francez, në identitetin nacional"