Test botkuptimi para se të fitosh shtetësinë gjermane
6 Janar 2006Qëllimi i hartimit të këtij pyetësori ishte i thjeshtë, shpjegon për Dojçve Velen në shqip, zëdhënësja e ministrisë së punëve të brendshme të landit Baden Vyrtemberg: "Jemi të mendimit që shtetësia gjermane duhet t'u jepet atyre që janë të bindur në vetvete për drejtësinë e rendit tonë liberalo-demokratik dhe që i pranojnë ligjet tona. Organet përkatëse e kanë për detyrë të konrollojnë, se a e plotëson kandidati këto parakusht. Biseda të tilla nuk do të ketë vetëm me myslimanët, por me të gjithë ata për të cilët dyshohet të mos e njohin si duhet ligjin themeltar gjerman."
Këtu hyjnë të gjithë ish-shtetasit e 157 vendeve antare të Konferencës Islamike, e ku që prej vitit 1992 bën pjesë edhe Shqipëria. Katalagu i pyetjeve të hartuara që në shtator nga ministria e brendshme e Baden Vyrtembergut hyri në fuqi më 1 Janar 2006. Ai përmban afro 30 pyetje të tilla si për shembull: "Në se vajza juaj vishet me rroba të modës dhe burri juaj nuk është dakord, çfarë do të bëni ju?" Ose: "Në Gjermani ka disa homoseksualë që mbajnë poste politike. Çfarë mendoni ju?" E të tilla pyetje, për shumë politikanë, jo vetëm të panevojshme, por edhe tepër intime. Sabine Lojthojzer Shnarrenberger, nga grupi parlamentar i liberalëve në Bundestag thotë për Dojçe Velen në shqip: "Ky katalog vetëm sa shton diskriminimin e myslimanëve e nuk thotë asgjë për besnikërinë e kandidatit ndaj kushtetutës gjermane." Ajo kërkon që pyetësori të hiqet nga praktika e punës së Ministrisë së Baden Vyrtembergut."
Protestat më të forta kanë ardhur nga ana organizatave myslimane dhe ato të migrantëve. Drejtori i qendrës për studimet rreth Turqinë në Esen, Faruk Sen, i tha redaksisë turke të Dojçe Veles: "Të caktosh 30 pyetje enkas për myslimanët, nuk është asgjë tjetër, veçse dallim fetar dhe racizëm. Kjo bie tërësisht në kundërshtim me parimin e ligjit themelor për barazi qytetare."
Këshilli Qendror i Myslimanëve ka kërcënuar me padi deri në Gjykatën Kushtetuese. Minsitria e Baden Vyrbemburgut, megjithë kritkën e ashpër që ka marrë këto ditë nga të katër anët, është e vendosur ta mbajë katalogun. "Jemi të aftë të mësojmë. Do të fillojmë njëherë nga puna e pastaj të shohim, se ç'mund të përmirësojmë me kalimin e kohës," - i tha zëdhënësja e saj Dojçe Veles në shqip.