1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tensione në pikëkalimet kufitare me Serbinë

7 Shtator 2024

Organizatorët e bllokimit të rrugëve nga pjesa serbe e kufirit, një pjesë e tyre me maska, kërkojnë që Kosova ta tërheqë policinë nga komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

https://p.dw.com/p/4kNwo
Pika e kalimit, Merdare, radhë automjetesh në kufi
Pika e kalimit, MerdareFotografi: Valdrin Xhemaj/REUTERS

Autoritetet e Kosovës mbyllën për qarkullim dy pikëkalime kufitare me Serbinë, atë në Bernjak dhe pikën më të frekuentuar në Merdare, pasi grupe serbësh në pjesën e teritorit të Serbisë bllokuan rrugët të premten në mbrëmje në tri pikëkalimet kufitare mes dy vendeve. Organizatorët e protestave që thonë se janë disa organizata joqeveritare serbe. Ata bllokuan rrugët dhe fillimisht lejonin të kalojnë vetëm qytetarët që posedonin dokumente serbe, por jo edhe ata të Kosovës dhe bashkëatdhetar me pasaporta të shteteve të BE-së.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se "dy pikëkalime janë mbyllur për qarkullim të premten në mbrëmje, pasi persona të maskuar në pjesën serbe të kufirit po i ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste qytetarët që duan të kalojnë tranzit përmes Serbisë”. "Në mbrojtje të jetës dhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë, edhe kjo pikë si ajo në Bërnjak do të jetë e mbyllur deri në ndalim të veprimeve të tilla selektive e fashiste e normalizim të plotë të situatës", shkroi Sveçla në Facebook, pas mbylljes së pikës kufitare në Merdare.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, Portret, me kostum dhe kravatë të kuqe me pika të bardha
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal SveçlaFotografi: Olivier Matthys/AP/dpa/picture alliance

Bllokuesit e rrugëve nga pjesa serbe: Të largohet policia e Kosovës nga veriu

Organizatorët e bllokimit të rrugëve nga pjesa serbe e kufirit, kërkojnë që Kosova ta tërheqë policinë nga komunat me shumicë serbë në veri të vendit, të lejojë përdorimin e dinarit serb, i cili u ndalua për qarkullim në fillim të këtij viti, si dhe të lejojë punën e komunave paralele serbe në veri të Kosovës. Njëri nga organizatorët e bllokadave të rrugëve Rasha Rojeviq, kryetar i Shoqatës së Qytetarëve të Mitrovicës së Kosovës, u tha medieve se udhëtarët e automjeteve me dokumente "vetëm kosovare nuk do të lejohen të kalojnë" kufirin në Merdare, Jarinë dhe Bërnjak, si përgjigje ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në Kosovë javën e kaluar.

"Pse? Njerëzit tanë, vëllezërit dhe motrat tona, nuk mund të ngasin me leje mjeti të lëshuara nga Republika e Serbisë. Kjo është thjesht një përgjigje e njëjtë me mënyrën se si Kryeministri i Kosovës Albin Kurti vepron në Kosovë”, tha Rojeviq.

Reagim i Ministrisë së Jashtme në Prishtinë

Ndërkohë që autoritetet e Serbisë akoma nuk kanë reaguar për situatën e krijuar në pikat kufitare me Kosovën, Ministria e Jashtme e Kosovës ka reaguar ashpër. Bllokimin e rrugëve në territorin e Serbisë vetëm për qytetarët kosovarë, ajo e cilësoi si "akt fashizmi, në sy të policisë serbe”. Sipas MPJD, kjo situatë është duke u mbikëqyrur nga automjete të policisë serbe, e cila nuk ndërhyn për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve. Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka ftuar Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës "të reagojnë për ndaluar përshkallëzimin e rrezikshëm të Vuçiqit përpara se ai të shkaktojë luftë”.

Pika kufitare, Merdare, pame ilustruese, njerëz qëndrojnë në pritje
Pika në Merdare, pamje ilustrueseFotografi: Visar Kryeziu/AP/picture alliance

"Në pikën kufitare midis Kosovës dhe Serbisë në Bërnjak, grupe serbësh të maskuar po ndalojnë makinat me targa gjermane dhe nuk lejojnë kalimin e shqiptarëve. Policia e Vuçiqit po mbështet këtë përshkallëzim racist, duke parë dhe mos vepruar. Vuçiqi vazhdon të tradhtojë Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian, duke folur për integrimin evropian ndërkohë që përshkallëzon situatën. Shpresojmë që Gjermania do të kërkojë kalim të lirë, pavarësisht çështjes së litiumit”, shkroi në platformën X, kryediplomatja e Kosovës.

Ministria e Jashtme e Kosovës u bëri thirrje qytetarëve dhe qytetarëve nga vende të tjera, që udhëtojnë drejt Kosovës apo nga Kosova në drejtim të shteteve tjera të marrin masa të kujdesshme dhe të përdorin pikat e tjera kufitare.

Miroslav Lajçak në Prishtinë

Tensionet e ngritura në muajt e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, për situatën në veri të Kosovës pas mbylljes nga qeveria e Kosovës të institucioneve paralele të Serbisë në veri, sollën të premten në Prishtinë të ngarkuarin e BE-së për dialogun Miroslav Lajçak. Ndërmjetësi evropian synon që mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi t'i diskutojë në Bruksel në kuadër të dialogut.

Takim i Miroslav Lajcak me Besnik Bislimin
Takim i Miroslav Lajcak me Besnik BisliminFotografi: Office of the Kosovo Government

Miroslav Lajçak, të premten në Prishtinë takoi kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, me të cilin tha se janë pajtuar për takimin e radhës në kuadër të kryenegociatorëve që do të mbahet në Bruksel, por nuk dha datën e takimit dhe detaje të tjera. "Biseduam se sa progres është arritur nga takimet e fundit. Diskutuam çështjen e Urës së Ibrit dhe hapjen e saj për transport. Qëndrimi i BE-së është i mirënjohur, duhet të hapet, por, hapja duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës”, ka thënë Mirosllav Lajçak. Ai kritikoi Prishtinën dhe Beogradin për siç tha "deklaratat”, e tyre që nuk i ndihmojnë procesit të dialogut dhe normalizimit.

Lajçak rikujtoi edhe njëherë zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, si "pjesë e rrugës evropiane të të dyja vendeve”. "Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht obligative në tërësinë e saj dhe jemi duke punuar në implementim. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe kemi diskutuar edhe me Kosovën, edhe me Serbinë, si të përshpejtojmë zbatimin. Letra e ish-kryeministres Ana Brnabiq është tërhequr. Ka deklarata këtu e atje që nuk ndihmojnë fare. Por, marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj dhe përtej kësaj, marrëveshja tashmë është bërë pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, tha Lajçak.

Kryeministrja e atëhershme e Serbisë, Ana Brnabiq, në dhjetor të vitit të shkuar i dërgoi BE-së një letër, përmes së cilës, thoshte se Serbia shpreh rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur në Bruksel, dhe Aneksin për zbatim, të arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Në letër Brnabiq shkruante se "marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës”.

Pamje nga një takim i dialogut në Bruksel, Vucic, Kurti, Lajcak dhe i ngarkuari për politikën e Jashtme, Borrell -shtator 2023
Pamje nga një takim i dialogut në Bruksel, Vucic, Kurti, Lajcak dhe i ngarkuari për politikën e Jashtme, Borrell -shtator 2023Fotografi: EU-Kommission

Kosova mbetet e përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Ohrit

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, pas takimit me Lajçak, përmes një komunikate për medie tha se "hapja e urës kryesore të Mitrovicës mbi Ibër është çështje e trajtuar dhe dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese dhe konkluzioneve të vetë raportit të Komisionit Evropian të vitit 2020, që vlerëson se punimet në urë kanë përfunduar dhe ajo duhet të hapet pa vonesa dhe pa pengesa të mëtejme”.

Sipas Bislimit, Qeveria e Kosovës "mbetet e përkushtuar për zbatim të plotë e të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit dhe e bindur që nënshkrimi i saj është garanca e duhur dhe nevojshme për zbatimin e plotë nga Serbia dhe llogaridhënien për shkeljet e vazhdueshme prej saj”.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla në një podium diskutimi
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla Fotografi: Christoph Soeder/dpa/picture alliance

Gërvalla: Duhet strategji se ku na çon procesi i negociatave

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka reaguar pas deklaratave të Lajçak. Ajo u shpreh, se "është papranueshme tërheqja e pjesshme e Serbisë nga letra e dërguar në Bashkimin Evropian në fund të vitit të kaluar”. "Besoj se Lajçaku, flet për tërheqje të pjesshme të asaj letre, e cila megjithatë nuk tërhiqet nga mosnjohja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, gjë që është qasje e papranueshme.

Gërvalla theksoi, se "përshtypja që të krijohet në këtë proces të ashtuquajtur të normalizimit të BE-së në raport me Kosovën dhe Serbinë është se sa më shumë që normalizohet pozita e serbëve të Kosovës, sa më shumë që ata çlirohen nga ndikimi i bandave kriminale dhe mundohen t'i kthehen jetës normale e integrimit në shoqërinë tonë, aq më shumë largohet Serbia nga ai normalizim i ashtuquajtur i synuar në Bruksel”.

Ministrja e Jashtme e Kosovës theksoi nevojën e rishikimit të procesit në tërësi. Ajo tha, se personat e rinj që vijnë në Bruksel "duhet të kenë strategji se ku çon procesi i negociatave dhe si do të udhëhiqet”. Emisari i BE-së, Lajçak ka mandat në këtë detyrë deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm, në kuadër të rolit si lehtësues i dialogut.

Kosova dhe Serbia vitin e shkuar janë pajtuar me një marrëveshje të mbështetur nga Bashkimi Evropian, marrëveshje kjo prej 11 nenesh, e cila ndër të tjera parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore. Nga Prishtina dhe Beogradi kërkohet që t'i zbatojnë po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut që nga viti 2011.