1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tekstet në fillimin e vitit të ri shkollor në Maqedoni

6 Shtator 2011

Viti i ri shkollor në Maqedoni nis me një sërë problemesh si mungesa e hapësirave kuadri përkatës mësimor dhe mungesa e teksteve. inistria e arsimit premton që tekstet shkollore të diskutueshme do rishqyrtohen.

https://p.dw.com/p/12ThO
Klasë mësimi në Shkup
Klasë mësimi në ShkupFotografi: DW/Fatos Musliu

Edhe ky vit shkollor filloi me mungesë të teksteve të veçanta, siç është për shembull historia për klasën e 6-të të arsimit fillor. Botimi i këtij libri është pezulluar, meqë disa historianë kanë vlerësuar atë si fyes për historinë e shqiptarëve. Historiani Skënder Hasani thotë se në Maqedoni pas vitit 1991 ka pasur tendenca për krijimin e një hitorie ekskluzivisht maqedonase, duke anashkaluar historinë e popujve të tjerë, që jetojnë në këtë vend. Kjo ka bërë që librat e historisë të mos reflektojnë realitetin e përbërjes etnike në Maqedoni: “Kemi një bastardim, nuk i plotësojnë as kriteret didaktiko-metodike, as logjike e as shkencore dhe është me fyerje etnike, që shkojnë deri në atë masë sa fyejnë popullin shqiptar. Ato tekste për fat të keq ende po përdoren edhe në këtë vit shkollor”.

Nxënës në Shkup
Fotografi: Petr Stojanovski

Skënder Hasani ka qenë anëtar i Komisionit për pëpilimin e tekstit të historisë për klasën e gjashtë. Ai ka dhënë dorëheqje, meqë nuk është pajtuar me faktet historike të prezentuara në këtë tekst shkollor: “Kishte tendenca që populli shqiptar të fyhet që në gjenezë si vandalist dhe si kusar, ku që në fëmijëri u jepej  fëmijëve maqedonas të kenë paragjykime se populli shqiptar apo mocanikët e tyre shqiptarë janë vandalistë dhe të rriten gjenerata të tëra, duke pasur paragjykime të ndryshme për popullin shqiptar”, thote Hasani.

Sipas tij në Maqedoni nuk ekziston gatishmëri që tekstet shkollore të përpilohen dhe të hartohen sipas realitetit të krijuar pas vitit 2001, ku Maqedonia duhet të jetë një shtet multietnik, multikulturor dhe me synime euroatlantike.

Arsimtarët e lëndës së historisë kanë shprehur shqetësimin e tyre

Kjo se nxënësit e arsimit fillor nuk arrijnë dot që të marrin shënime në mungesë të librave. Ata kërkojnë që problemi i teksteve shkollore sa më parë të mbyllet, sepse mungesa e librave do të ndikojë në suksesin e nxënësve.

Roma Kinder beim Unterricht
Nxënës në ShkupFotografi: Petr Stojanovski

Zëvëndësministri i Arsimit, Safet Neziri, thotë se Ministria nuk ka aspak përgjegjësi për  përmbajtjen e teksteve shkollore, meqë kompetente për lejimin e teksteve shkollore është Komisioni nacional dhe grupi i recenzentëve, të cilët e kanë për obligim të identifikojnë dhe korigjojnë gabimet para botimit të librave. Por Neziri është këmbëngulës për të mos lejuar tekste shkollore, të cilat në njëfarë mënyre mund të acarojnë marrëdhëniet ndëretnike në vend: “Ne si ministri kemi obligim edhe ligjor edhe kushtetues, që të shohim vërtetë çfarë po ndodh me atë tekst shkollor. Ne nuk guxojmë të lejojmë dikush të ofendohet ose të bastardohet, edhe të dhenat historike, apo edhe gjuhësore“, thotë Neziri.

Ndërkohë pas shumë iniciativave edhe këtë vit nuk është realizuar ideja për unifikimin e disa teksteve shkollore në mbarë trojet shqiptare. Sipas historianit Skënder Hasani faji qëndron te moskoordinimi i elitave arsimore shqiptare: “Nuk kemi qasje serioze për të qenë kompaktibel me rrethanat, sepse unifikimi nuk i pengon integrimet euroatlantike. As një ligj i Maqedonisë, as në Kosovë e as në Shqipëri, nuk pengojnë të kemi tekste të unifikuara”, vlerëson historiani Skënder Hasani.

Autor: Fatos Musliu   

Redaktoi: Angjelina Verbica