1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tarifa ndaj Serbisë përplas forcat politike në Kosovë

Bekim Shehu
2 Mars 2020

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shkruan letër presidentit Tramp dhe sekretarit të shtetit Pompeo. SHBA-së po kërkojnë me ngulm heqjen e tarifës ndaj Serbisë.

https://p.dw.com/p/3Yl5K
Kosovo erhöht Einfuhrzölle - Grenze zu Serbien
Fotografi: Getty Images/C. Koall

Debat i ashpër po zhvillohet në Parlamentin e Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme pas paralajmërimit të kryeministrit Kurti për heqjen e tarifës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Heqja e tarifës po kërkohet me ngulm nga SHBA-ja. Seanca kundër heqjes së tarifës u inicua nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në opozitë, e drejtuar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, që i vendosi tarifë mallrave të Serbisë.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, deputeti Daut Haradinaj, që është vëllai i Ramush Haradinajt, tha se "vendosja e tarifës nuk ishte e rastësishme, ishte masë ndëshkimi ndaj Serbisë, e cila nuk e kursente asnjë formë për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Taksa ishte fillimisht goditje ekonomike ndaj Serbisë”, tha Haradinaj, duke shtuar se tarifa nuk është kundër miqve të Kosovës.

Kosovo Delegation Europäisches Parlament in Pristina
Fotografi: Office of the Kosovo prime minister/L. Likaj

Taksa kundër Serbisë e jo miqve

"Taksa u vendos kundër Serbisë dhe asnjëherë të vetme nuk është vendosur ndaj aleatëve tanë që e ndihmuan shtetësinë e Kosovës. Presioni për heqjen e taksës edhe pse ishte i madh, nuk i lëkundi institucionet tona. Kosova nuk duhet as tash të dorëzohet para Serbisë”, shtoi Daut Haradinaj.

Heqja e menjëhershme e tarifës 100% ndaj mallrave të Serbisë, është kërkesë e SHBA-së, përmes të ngarkuarit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shkroi një letër sot me (02.03.) Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, ku i njofton në lidhje me pozicionin e Qeverisë së re të Kosovës në raport me dialogun ndaj Serbisë dhe tarifës doganore.

Letra e Kurtit

Kurti në letër shkruan: "Qeveria ime dhe unë jemi të përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të mbetura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ne mbetemi të bindur se kjo duhet bërë përbrenda procesit të dialogut, i cili do të kulmonte me njohjen e ndërsjellë të dy shteteve”, shkruan Albin Kurti, i cili qartëson edhe njëherë planin e tij, sesi ai mendon ta heqë tarifën ndaj mallrave të Serbisë.

"Duke filluar nga 15 marsi, ne do të fillojmë heqjen e tarifave për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, të cilat janë vendosur nga qeveria e kaluar. Fillimisht, do hiqen tarifat për lëndët e para. Këtë e bëjmë si shprehje e gjestit të mirë diplomatik dhe si shenjë për përkushtimin tonë për të punuar afër me Shtetet e Bashkuara në dialogun me Serbinë”, thuhet në letrën e Kurtit.

Kosovo Pristina | Parlament des Kosovo stimmt über neue Regierung ab: Albin Kurti
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu

"Ne shpresojmë se veprimet tona do të kthehen me reciprocitet nga Beogradi, nga i cili presim t'i largojë të gjitha barrierat jotarifore për tregtinë me Kosovën, si dhe të ndalojë fushatën për çnjohjet e Kosovës. Ne po ashtu ftojmë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për krijimin e mekanizmave monitorues dhe sanksionues, për të siguruar që dy palët t'i përmbahen zotimeve të bëra gjatë marrëveshjeve të tanishme si dhe atyre në të ardhmen”, theksohet në letrën e Kurtit.

Mosmarrëveshjet me LDK

Por, partneri i koalicionit ne qeverinë Kurti, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk po pajtohet tërësisht me planin e Kurtit. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, thotë se "tarifa duhet të hiqet qashtu siç kërkon SHBA”. "Nëse dikush luhatet, LDK, deputetët e saj dhe anëtarët e Qeverisë do të mbështesin pa asnjë rezervë dhe me besim e bindje të plotë për heqjen e menjëhershme të tarifës, dhe atë jo vetëm se po e kërkon partneri ynë strategjik SHBA, por se jemi të bindur se kjo është në interes të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Isa Mustafa.

Qëndrimin e liderit të LDK-së, e ka përshëndetur i ngarkuari i Presidentit Tramp për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell. Ai ka thënë se heqja e taksës 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, do t'i hapte rrugë zhvillimit ekonomik. Grenell kryetarin e LDK-së e ka quajtur kryetarin e LDK si "lider të guximshëm".

Kosovo Regierungsbildung Albin Kurti und Isa Mustafa
Fotografi: Getty Images/AFP

"Heqja e tarifave që nesër do të ishte një fillim i mbarë për më shumë përparim, e kjo do të lëvizte shumë shpejt. Por zhvillimi ekonomik nuk mund të ndodhë nëse nuk hiqen tarifat”, ka shkruar në Tëitter, ambasadori Richard Grenell.

Plani i kryeministrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paraqitur planin e tij për heqjen e tarifës. Ai ka njoftuar se më 15 mars do të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Nëse Serbia ndalë fushatën për çnjohje dhe zotohet për heqjen e barrierave jotarifore, nga 1 prilli, taksa do të hiqet prej një periudhe prej 90 ditësh, ka thënë Kurti. Por ky plan i Kurtit u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara. Ambasadori Grenell, menjëherë pasi Kurti paraqiti planin e tij për heqjen e taksës deklaroi se kryeministri i Kosovës bën "gabim serioz”, pasi sipas tij, kërkesa e SHBA-së është që tarifat të hiqen plotësisht.

Qeveria e kaluar e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, në nëntorin e vitit 2018 vendosi taksë 100% ndaj produkteve të Serbisë, për shkak të një fushate diplomatike lobuese të Serbisë kundër njohjeve të Kosovës dhe kërkesës së saj drejtuar shteteve të ndryshme që ta tërheqin njohjen e Kosovës. Rikthimi i Prishtinës dhe Beogradit në dialog është kërkesë e vazhdueshme e faktorit ndërkombëtar dhe tarifa ndaj mallrave të Serbisë është bërë pengesë për rifillimin e këtij dialogu.