1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Takim i NATO-s për Ukrainën

12 Tetor 2022

Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s po diskutojnë sot vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg beson se Kremlini është nën presion dhe Ukraina po fiton terren.

https://p.dw.com/p/4I6CK
Brüssel PK Jens Stoltenberg NATO
Fotografi: YVES HERMAN/REUTERS

"Presidenti rus Putin po dështon”, tha Stoltenbergu, duke iu referuar tentativës së aneksimit të territoreve të Ukrainës, mobilizimit të pjesshëm dhe "retorikës së papërgjegjshme bërthamore” nga Kremlini. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s e quajti të gjithë këtë përshkallëzimin më serioz deri sot që nga fillimi i luftës së agresionit rus, por edhe një shenjë e qartë se pushtimi nuk po shkon ashtu siç e kishin imagjinuar liderët në Moskë.

Stoltenbergu i premton Ukrainës ndihmë ushtarake shtesë

Javën e ardhshme, Aleanca e Mbrojtjes Perëndimore do të fillojë manovrat për të mbrojtur territorin e Aleancës me armë bërthamore. Aftësitë bërthamore të NATO-s do të përdoren për të ruajtur paqen, për të parandaluar shantazhet dhe për të penguar agresorët. Në çdo rast, NATO monitoron forcat bërthamore ruse nga shumë afër. Por Moska e di gjithashtu se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të luftohet kurrë.

NATO do të mbrojë më mirë infrastrukturën

Pas sabotimit të tubacioneve Nord Stream dhe sulmit kundër Deutsche Bahn, NATO do të forcojë gjithashtu mbrojtjen e objekteve të rëndësishme të furnizimit si linjat e energjisë, të të dhënave ose gazit. Në Detin e Veriut dhe në Detin Baltik, Aleanca ka dyfishuar praninë e saj me më shumë se 30 anije, të mbështetura nga avionë zbulimi ajror dhe nëndetëse. Çdo sulm i qëllimshëm ndaj infrastrukturës kritike të një aleati, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, do të përballet me një përgjigje të fortë dhe të përbashkët.

Jens Stoltenberg
Fotografi: Kenzo Tribouillard/AFP

Përpara konferencës dyditore të ministrave të mbrojtjes të NATO-s, "Grupi i Kontaktit për Ukrainën", i ftuar nga Shtetet e Bashkuara, do të diskutojë fillimisht dërgesat e reja të armëve për ushtrinë ukrainase. Ky është tashmë  takimi i gjashtë. Grupi u formua në prill, në bazën ajrore amerikane të Ramsteinit në Rheinland-Pfalz.

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë njoftuar së fundmi synimin e tyre për të vënë në dispozicion raketa të tjera moderne për mbrojtjen ajrore. Flitet edhe për një samit virtual të NATO-s. Që në fillim të javës së ardhshme, krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve të Aleancës mund të takohen me videokonferencë për të diskutuar situatën aktuale dhe për të premtuar mbështetje shtesë për Ukrainën.

aud (tgsch, S.Ueberbach/ARD)