1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Takim historik? - Samiti BE - Partneriteti me Lindjen

R. Goncharenko/Eliana Xhani27 Nëntor 2013

Samiti BE - Partneriteti me Lindjen në Vilna duhej të ishte historik. Por marrëdhëniet e BE-së me gjashtë ish-republikat sovjetike duken më të vështira nga sa pritej.

https://p.dw.com/p/1APTz
Fotografi: Petras Malukas/AFP/Getty Images

Zhvillimi i marrëdhënieve veçanërisht të ngushta me ish republikat sovjetike, pa perspektivën e një anëtarësie me të drejta të plota në BE - kjo është oferta e të ashtuquajturit Partneritet me Lindjen. Samiti i ardhshëm mes BE dhe Partneritetit me Lindjen mbahet në 28 dhe 29 nëntor në Vilna, pasi Lituania ka aktualisht presidencën e Këshillit të BE-së.

Karte Östliche Partnerschaft der EU
Harta e BE dhe e vendeve të "Patneritetit lindor"Fotografi: DW

Gjashtë ish republika sovjetike marrin pjesë në program: tri në Evropën Lindore (Bjellorusia, Moldavia dhe Ukraina) si dhe tri në Kaukazin jugor (Armenia, Azerbajxhani dhe Gjeorgjia). Edhe Rusia ishte ftuar por refuzoi të marrë pjesë.

E preferuara, Ukraina, heq dorë

Ngjarja kryesore e samitit në Vilna duhej të ishte nënshkrimi i marrëveshjes së asociimit mes BE-së dhe Ukrainës, negociatat për të cilën kanë përfunduar. Ukraina për një kohë të gjatë konsiderohej si vendi shembull mes vendeve pjesëmarrëse në Partneritetin me Lindjen. Kievi ka marrë ndihma të shumta financiare, sipas të dhënave zyrtare të BE-së rreth gjysëm miliard euro nga viti 2007 deri 2010. Ky vëllim ndihme është dy herë më i lartë se ai për Republikën e Moldavisë dhe tri herë më i madh se ai për Gjeorgjinë. Gjatë viteve të kaluara ndihmat u shtuan.

Ukraina ishte vendi i parë i Partneritetit me Lindjen, që mbylli me sukses në 2011 negociatat për marrëveshjen e asociimit, e cila parashikon edhe krijimin e një zone tregtie të lirë. Por dënimi i ish kryeministres Julia Timoshenko dhe paditë kundër opozitarëve të tjerë, u bënë shkas për kritika nga BE-ja. Për këtë arsye në vitin 2012 u shty siglimi i marrëveshjes.

Ajo do të nënshkruhej në Vilna. Por Kievi u dorëzua ndaj trysnisë nga Moska. Vetëm një javë para samitit Ukraina vendosi të pezullonte përgatitjet për marrëveshjen e asociimit me BE-në. Ministritë përgjegjëse u udhëzuan nga qeveria ukrainase t"të zhvillojnë një dialog aktiv me Rusinë dhe vendet e Unionit Doganor si dhe me shtetet e GUS-it".

Moldova është e preferuara e re e Evropës

Moldawien Chisinau proeuropäischer Protest
Protesta proeuropiane të qytetarëve të MoldavësFotografi: Reuters

Vendin e Ukrainës duket se po e zë tani Republika e Moldavisë. Ajo vlerësohet si vend model në Partneritetin me Lindjen. Kisinau dhe Brukseli duan të siglojnë në Vilnius një marrëveshje asociimi, e cila në vitin 2014 duhet të nënshkruhet para përfundimit të mandatit të Komisionit aktual Evropian. BE e lëvdoi Republikës e Moldavisë për reformat e ndërmarra por edhe sepse atje nuk ka probleme me demokracinë, si në vende të tjera të Partneritetit me Lindjen.

Dy javë para samitit në Vilna, Presidenti i Komisionit të BE-së Barroso, bëri një deklaratë sensacionale: Komisioni do t'i rekomandojë BE-së, të heqë dvizat për qytetarët e Moldavisë. Kështu Moldavia mund të bëhet vendi i parë i Partneritetit me Lindjen që të marrë të drejtën e hyrjes pa vizë në BE. Deklarata e Barrosos është një shembull i parimit "more for more": sa më shumë reforma ndërmerr një vend, aq më shumë i zgjat dorën Brukseli.

Gjeorgjia në kurs pro-evropian, por ...

Menjëherë pas Moldavisë vjen Gjerogjia. Tbilisi synon të siglojë gjithashtu një marrëveshje asociimi në Vilnius, e cila duhet të nënshkruhet në 2014. Në Vilnius vendi do të përfaqësohet nga Presidenti i ri George Margvelashvili.

Por nëse Tbilisi mund të integrohet në BE me të njëjtat ritme si Kishinau, varet në masë të madhe nga mënyra si do të zhvillohet situata në vend. Brukseli e ka këshilluar qeverinë e re gjeorgjiane të mos ecë në gjurmët e Ukrainës dhe të mos përndjekë penalisht drejtuesit e opozitës. Nëse ish-presidenti Mihail Sakashvili do të përfundonte pas hekurave, kjo mund të vononte nënshkrimin e marrëveshjes së asocimit mes Gjeorgjisë dhe BE-së, mendojnë vëzhguesit.

Armenia: Rusia rezultoi më e fortë

Russlands Präsident Wladimir Putin und Armeniens Präsident Sargsjan
Presidenti Vladimir Putin dhe presidenti i Armenisë, SargsjanFotografi: imago/ITAR-TASS

Vendi i katërt që ka treguar interesim për nënshkrimin e një marrëveshje asociimi me BE-në, ishte Armenia. Në verë Jerevani dhe Brukseli mbyllën negociatat në Bruksel. Ashtu si Gjeorgjia dhe Moldavia, edhe Armenia donte ta siglonte marrëveshjen në samitin e Vilnës dhe ta nënshkruante në 2014. Por në fillim të shtatorit Presidenti i Armenisë Sersh Sarkisjan u takua me Presidentin rus Vladimir Putin. Më pas Jerevani bëri prapaktheu. Armenët tani nuk duam më thellimin e marrëdhënieve me BE-në por bashkimin me Unionin Doganor me Bjellorusinë dhe Kazakistanin, të drejtuar nga Rusia.

Azerbajxhani - Gazi mbi gjithçka?

Fqinji i Armenisë, Azerbajxhani nuk dëshëron të anëtarësohet në Unionin Doganor të Rusisë. Por Baku nuk planifikon as të nënshkruajë ndonjë gjë në Vilnius. Marrëdhëniet e vendit me BE-në domnohen nga çështjet e energjisë. Në qershor 2013 një konsorcium ndërkombëtar, që shfrytëzon fushat e gazit nëntokësor "Shah Deniz", përcaktoi rrugën për transportin e gazit azerbajxhanas në Evropë. Në BE shpresohet që të reduktohet kështu varësia nga furnizimet ruse me gaz.

Ndoshta është kjo arsyeja përse megjithë kritikën nga Evropa ndaj zgjedhjeve të fundit presidenciale në Azerbajxhan, Presidenti Ilham Alijev u ftua në samitin e Vilniusit. Nëse ai do të shkojë në samit, është e paqartë, pasi Baku reagoi i zemëruar ndaj kritikës nga BE-ja.

Bjellorusia: samiti sërish pa Lukashenkon

Presidentin bjellorus Aleksandër Lukashenko askush nuk do ta shohë në samitin e BE-së me Partneritetin në Lindje. Kështu ndodhi edhe në samitin e mëparshëm në Varshavë, në vitin 2011. Pritet që në Vilna të vijë vetëm një përfaqësues i Ministrisë së Jashtme bjellorusse.

Bjellorusia është i vetmi vend pjesëmarrës në Partneritetin me Lindjen, ndaj të cilit BE ka vendosur sanksione për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe përndjekjes së opozitarëve. Ekspertët dyshojnë për efektivitetin e këtyre sanksioneve. Disa politikanë evropianë bënë thirrje që samiti i Vilnës të shfrytëzohet për të nxjerrë nga rruga pa krye marrëdhëniet me Bjellorusinë.