1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të rinjtë e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për ndryshime

5 Nëntor 2020

Brankica Smilaniq nga Bosnjë-Hercegovina dhe Elion Kollçaku nga Kosova shprehin opnionin e tyre mbi problemet e rinisë në Ballkanin Perëndimor.

https://p.dw.com/p/3kt2j
Online-Konferenz Youth Westbalkan
Fotografi: Anila Shuka/DW

Brankica Smilaniq, Banjalukë: Ne të rinjtë nuk e kemi në dorë shkopin magjik, por nuk do të presim edhe 10 vite të tjera!

Lajmërohuni... shënoni kodin...  Kështu fillon pothuajse çdo konferencë përmes Zoom-it kohët e fundit. Por konferenca e fundit ishte ndryshe. Ishte kjo një konferencë ndërkombëtare, me titull: "Të rinjtë, migracioni dhe sfidat demografike në Ballkanin Perëndimor", e organzuar nga Shoqata për Evropën Juglindore dhe instituti Aspen në Berlin. Në konferencë morën pjesë ekspertë dhe vendimmarrës nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe shtetet anëtare të BE dhe institucionet e BE. Platforma kishte edhe një mundësi "shoqërimi" online, që më ka befasuar për mirë, sepse na ofroi mundësi për shoqërim dhe komunikim. Ajo që u ka munguar konferencave ndërkombëtare është edhe zëri i të rinjve, e në këtë rast kemi pasur mundësinë të themi mendimet tona. Të rinjtë që duan të shkojnë jashtë, por edhe ata që nuk duan të shkojnë, kanë qenë panelistë të konferencës. E kësaj radhe është dëgjuar edhe zëri i të rinjve nga rajoni.

Kur dëgjoni ministrat dhe kryeministrat e vendeve të rajonit, siç është Meliza Haradinaj-Stublla nga Kosova apo ministri Srgjan Darmanoviq nga Mali i Zi, që thonë se nuk e kanë të qartë tërësisht se çfarë do të ndodhë me vendet tona, atëherë nuk është habi që të rinjtë nga vendet tona janë të dëshpëruar. Nuk kemi dëgjuar asgjë konkrete dhe të re. Nga ana tjetër, konferenca u ka ofruar të rinjve mundësinë që t'ju drejtohen këtyre politikanëve drejtpërdrejt dhe pa frikë. Kjo është një shenjë e mirë se jemi në rrugën e duhur.

Pas konferencës megjithatë nuk kam pasur përshtypjen se gjërat do të ndryshojnë shpejtë. Kemi dëgjuar vetëm për problemet, të cilat i dimë edhe ne dhe për atë që kanë bërë politikanët, por nuk kemi parë ndonjë mesazh të qartë se çfarë do të ndryshojë. Ata disa herë përsëritën se nuk kanë në dorë shkopin magjik apo sferën e kristalit për të ndryshuar gjërat dhe për të parashikuar se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Por ne nuk kemi kohë të presim edhe 10 vite të tjera. Na duhen ndryshime sa më shpejt që është e mundur e jo sfera e kristaltë për të parashikuar të ardhmen, ndryshe njerëzit do të ikin nga vendet e tyre. Sepse ata nuk po shohin dritë në fund të tunelit.

Na duhen të dhënat se sa të rinj do të kthehen në vend, pasi të kenë shkuar për vizitë në ndonjë vend tjetër, në radhë të parë në Gjermani. Sepse jo të gjithë të rinjtë shkojnë atje për gjithmonë. Të rinjtë që shkojnë atje dhe kthehen sërish, kanë nevojë për një politikë më të mirë dhe pa korrupsion.

Më kujtohet që drejtuesja e një paneli, Valbona Zeneli, nga qendra George C. Marshall, në ditën e dytë të konferencës, në një pyetje të pjesëmarrësve, u përgjigj se të gjitha paratë e BE janë shfrytëzuar në mënyrën e duhur në vendet e Ballkanit Perëndimor (BP). Por ne e dimë që kjo nuk është e vërtetë. Ku janë shfrytëzuar 9 miliardë eurot e dedikuara për BP? Dhe a mund të zgjidhim problemin me korrupsionin? Këto janë pyetjet e mia për politikanët e BE dhe ata të rajonit.

Elion Kollçaku, Prishtinë: Ka ardhur koha e fundit që qeveritë e vendeve të BP të veprojnë!

Konferenca "Të rinjtë, migracioni dhe sfidat demografike në Ballkanin Perëndimor“ na ka dërguar një mesazh shumë të fuqishëm në tri ditët e fundit. Fakt është që të rinjtë po ikin, në këtë rast miqtë e mi, moshatarët e mi dhe ky është një problem shumë serioz, të cilin qeveritë në vendet e BP duhet ta zgjidhin urgjentisht. Ballkani Perëndimor po humb çdo ditë potencialin e vet. Mjekët, infermierët, inxhinierët, arkitektët dhe profesionistët e tjerë po largohen nga këto vende.

Të dhënat se 71% e të rinjve do të ikë nga vendet e BP, sipas Barometrit Ballkanik, të publikuar në qershor të vitit 2020 nga Shoqata për bashkëpunim rajonal, janë frikësuese. Të rinjtë po largohen për të gjetur një perspektivë më të mirë dhe për të bërë karrierë në vendet e BE, ku kanë shumë më shumë mundësi sesa në vendet prej nga vijnë.

Perspektiva evropiane natyrisht që është një prej shkaqeve kryesore për largimin e tyre, por e vërtetë është që ata ikin edhe për shkak të korrupsionit, nepotizmit, papunësisë dhe pamundësisë që të kenë një shkollim të mirë.

Përveç kësaj, liberalizimi i vizave edhe më tej është një problem shumë i madh për rininë kosovare. Ne nuk mund të udhëtojmë, nuk mund të mësojmë dhe shkëmbejmë përvojat me të rinjtë e tjerë nga vendet e BE apo rajonit. Më lehtë e kemi të shkojmë në vendet e largëta, sesa të udhëtojmë në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe studimet. Unë kurrë nuk e kam vizituar Bosnjë-Hercegovinën dhe do të jetë shumë vështirë që të takoj partneren time në kuadër të projektit të DW, Balkan Booster, Brankicën.

Si të rri në një vend ku vetëm para shtatë ditësh u bë publik lajmi për vjedhjen e 2 milionë eurove nga thesari i Kosovës, ku nuk ka mundësi të punësohesh, madje edhe nëse ke ndonjë master...Unë vazhdoj të shtroj pyetjen: çfarë mund të na motivojë që të mbetemi në vendet tona, kur as ministrat dhe personat në pozitat më të larta shtetërore nuk kanë përgjigje të bindshme dhe motivuese për këtë?

Unë e dua vendin tim, por e dua edhe karrierën time, dua punë dhe perspektivë. A ma mundëson këtë shteti im? Jo. A ndihmojnë projektet të tilla të BE, si ky? Po, ndaj konferenca të tilla janë shumë të rëndësishme. Por të rinjtë e Ballkanit Perëndimor kanë më shumë nevojë për ndryshime sesa për konferenca.

 

Brankica Smilaniq dhe Elion Kollçaku janë pjesë e projektit të DW, Balkan Booster.