1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sulmohen të krishterë në një shtëpi botuese në Turqi - Motivi i paqartë

Ulrih Pik (Ulrich Pcik)19 Prill 2007

Gjatë një sulmi ndaj një shtëpie botuese të krishterë në Turqi të mërkurën më 18 prill gjeti vdekjen një punonjës gjerman dhe dy turq. Atentatori i kishte lidhur viktimat e tij nga duart dhe këmbët dhe u kish prerë gurmazin.

https://p.dw.com/p/AqWW
Sulm në një shtëpi botuese në Turqi
Sulm në një shtëpi botuese në TurqiFotografi: AP

Ndonëse policia në Malatja ka arrestuar ndërkohë pesë të pandehur, të gjithë djem në moshën 20 vjeç, dhe ka sekuestruar armët me të cilat dyshohet të jetë kryer krimi, motivet janë ende të pandriçuara. Duket se zbardhja e motivit do të jetë e vështirë. Ministri i brendshëm turk, Abdulkadir Aksu deklaroi. "Kemi të bëjmë me një rast për drejtësinë. Ndaj ne i mbajmë të fshehta hetimet. Nuk dua të jap asnjë informacion tjetër, në mënyrë që garantohen hetime të patrazuara dhe të detajuara."

Tre persona, dy turq dhe një gjerman, ishin lidhur dhe u ishte prerë gurmazi në ambjentet e shtëpisë botuese të krishterë. Kjo sipërmarrje është një bashkëpunim turko-amerikan, që qysh nga viti 2001 është vendosur në Malatja dhe shet atje edhe bibla e kryqe.

Sipas të dhënave të shtypit lokal si dhe të pronarit të shtëpisë botuese ka pasur herë pas here kërcënime ndaj ndërmarrjes, e cila megjithatë nuk kish kërkuar mbrojtjen e personave. I pyetur nëse të krishterët kanë pasur edhe rolin e misionarëve, gjë që është e ndaluar, guvernatori i Malatjasë, Ibrahim Dashëz tha: "Ne këtu në Malatja nuk kemi ndonjë reagim apo revoltë kundër punës misionare. Por kanë qarkulluar fjalë për një gjë të tillë, njerëzit flasin për këtë, ashtu si kudo në Turqi."

Eshtë megjithatë e qartë, se me këtë atentat në qytetin lindor të Anadollit dhuna kundër të krishterëve në Turqi ka arritur kulmin. Kjo pasi ky është akti i katërt kundër të krishterëve brenda 14 muajve. Në shkurt të vitit 2006 në Turqi bëri bujë vrasja e një fetari italian në qytetin Trabzon në Detin e Zi. Pak më vonë në Samsun, gjithashtu përgjatë Detit të Zi, u plagos rëndë nga të goditurat me thikë një prift francez. Në janar të këtij viti u vra në rrugë në mes të Stambollit gazetari armeno-turk Hrant Dink. Ky i fundit e kishte prejardhjen nga Malatja, përreth këtij qyteti dikur kanë jetuar shumë armenë të krishterë.

Ndërkaq ky akt është dënuar ashpër nga politika dhe opinioni edhe në Gjermani. Për Deutsche Wellen deputetja socialdemokrate në Bundestag, Lale Akgyn, lidhur me aktin në Malatja deklaroi: "Unë e dënoj ashpër ngjarjen në Malatja. Vrasja e njerëzve për shkak të orientimit fetar të tyre është absolutisht e papranueshme. Në botëkuptimin bazë të demokracisë përfshihet edhe shumëllojshmëria fetare. Ndaj duhet të pranohet bashkëjetesa mes njerëzve të besimeve të ndryshme. Ne duhet të pranojmë gjithashtu, që njerëzit kanë të drejtë edhe të misionojnë, ndonëse kjo nuk i pëlqen dikujt. Por kurrësesi nuk mund të ushtrohet dhunë ndaj njerëzve që misionojnë. Edhe kjo është një e drejtë themelore elementare, ashtu siç është edhe drejta për të ndryshuar fenë. Askush nuk ka të drejtë të abuzojë me këto parime, vetëm sepse atij nuk i pëleqen diçka në to. Në asnjë mënyrë nuk mund të pranohet vrasja e punonjësve të një shtëpie botuese, që shet literaturë fetare. Unë pres, që njerëzit të venë në jetë të drejtat e tyre dhe që autorët sa më shpejt të nxirren para drejtësisë".