1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sukses për presidencën portugeze të BE

Bernd Rigert19 Tetor 2007

Marrëveshja e reformuar është ndoshta më e mira, që ishte e mundur të arrihej në kushtet konkrete.

https://p.dw.com/p/BsYI
Fotografia e përbashkët e takimit të Lisbonës
Fotografia e përbashkët e takimit të LisbonësFotografi: AP

Qeveria polake ua tregoi të gjithëve si veprohet. Me këmbëngulje dhe me kokëfortësi mund të përparosh në BE. Në fund të negociatave për dy marrëveshjet e reja të BE, kryetarët e tjerë të shteteve dhe të qeverive të BE ishin vetëm të nevrikosur dhe kërkonin thuajse me çdo çmim një rënie dakord. Më mirë të konfirmojmë tani se jemi në gjendje të veprojmë, duke pranuar një marrëveshje me shumë shënime në fund, se sa të dështojmë edhe njëherë. Kjo ishte deviza. Në trenin polak të stërmundimit të të tjerëve kërcyen së fundi edhe italianët dhe siguruan gjithashtu me sukses një mandat shtesë në Parlamentin Evropian.

Pazaret e bëra në këtë drejtim qytetarit normal të BE gjithsesi nuk mund t'ia shpjegojë askush. Binjakëve polakë Kazhinski (Kaczynski) u mundësohet një fitore në fushatën elektorale, pasoja praktike ndaj BE nuk do të ketë klauzola e Janinës, për të shmangur vendimet e marra me shumicë votash. Sepse deri tani, në këshillat e ministrave thuajse nuk kanë ekzistuar hedhjet në votë për marrjen e vendimeve. Klauzola e Janinës, e cila ekziston që në fillim të viteve '90, është praktikuar vetëm një herë të vetme.

Për Poloninë kishte më tepër rëndësi që të demonstronte se është në gjendje të luftojë për interesat e saj kombëtare. Për këtë ajo padyshim që mund të orientohet në modele. Sepse Britania e Madhe arriti në mënyrë mjeshtërore që t'i zbatojë interesat e saj të veçanta.

Mbështetësit e një projekti të ri për kushtetutën mund të tërheqin megjithatë vëmendjen në faktin se pjesë të rëndësishme të kushtetutës - të zbutura disi- qe e mundur të shpëtohen. Në të ardhmen do të vlejë shumica e dyfishtë e përbërë nga shtetet dhe popullsia për marrjen e vendimeve. Sektorët e politikës për marrjen e vendimeve me shumicë janë zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme. Të drejtat për të bashkëvendosur të parlamentit të ri zgjerohen edhe më tej.

Këto arritje nuk mjaftojnë për të folur për arritjen e një hapi të madh epokal, por marrëveshja e reformuar është ndoshta më e mira, që ishte e mundur të arrihej në kushtet konkrete. E sigurtë është që marrëveshja nuk do të jetë e vlefshme për një kohë shumë të gjatë dhe se duhet të përmirësohet më e vonta atëherë, kur Turqia të anëtarësohet në BE. Por në thelb kjo nuk është tragjike, historinë e tij 50 vjecare BE e ka kaluar gjithmonë duke i shtuar një marrëveshje një tjetër. Tani, kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE duhet të bindin parlamentet dhe popujt e tyre që marrëveshja e vështirë për t'u lexuar duhet të ratifikohet. Sepse pikërisht në aprovimin e shteteve dështoi kushtetuta. Një tekst të bukur kishim para vetes tri vjet më parë, tani ajo që ka rëndësi është ajo që ajo t'i mbijetojë vërtet referendumet popullore dhe të fitojë fuqi ligjore.