1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sukses i madh i ekipeve gjermane në futboll

Bahri Cani25 Tetor 2013

Ekipet gjermane në futboll kanë arritur këtë javë sukses të jashtëzakonshëm: nga gjashtë ekipe sa u paraqitën në arenën ndërkombëtare, katër kanë fituar.

https://p.dw.com/p/1A5wy
Ribery dhe Robben
Ribery dhe RobbenFotografi: Christof Stache

Në Ligën e Kampionëve kanë fituar të tri ekipet gjermane. Bajerni i Mynihut i cili mbron titullin e më të mirit në Ligën e Kampionëve, ka shënuar fitore të lehtë ndaj Viktorisë me rezultat 5:0. Bavarezët kanë fituar të tri ndeshjet e deritanishme dhe janë shumë pranë kualifikimit në të tetën e finales. Një befasi shumë të madhe me një fitore të thellë shënoi Bayer Leverkuzen, i cili në fushën e vet mposhti kampionin e Ukrainës Shahtjor Donjeck, me rezultat të bindshëm 4:0. Në këtë ndeshje në veçanti ka shëndritur qendërsulmuesi Stefan Kießling, i cili dy herë u shënua në listën e golashënuesve. Ekipi i Leverkuzenit tani është në pozitën e dytë, pas Mançester Junajted, i cili ka fituar në San Sebastian, duke i falënderuar një autogoli, me rezultat jo bindës 1:0. Mançesteri, Bajeri dhe Shahtjori edhe më tutje janë kandidatët kryesor për dy pozitat e para që sigurojnë vazhdimin e garave në Ligën e Kampionëve.

Stefan Kiessling
Stefan KiesslingFotografi: Getty Images

Shalke i vetemi që humbi ndeshjen

Ndeshja më interesante këtë javë megjithatë u zhvillua në Londër, ku Arsenali priti Borusia Dortmund. Pas një ndeshje kualitative me shansa të mira nga të dyja anët, ekipi gjerman shënoi fitore me rezultat 2:1. Pas tri ndeshjeve të para, edhe në këtë grup tri ekipe vazhdojnë gaën për dy vendet e para: Borusia, Arsenali dhe Napoli.

Ekipi i vetëm gjerman i cili ka humbur këtë javë është Shalke nga Gelzenkirheni. Shalke pësoi bindshëm në fushën e vet nga Çelsi i Londrës me rezultat 0:3. Megjithatë edhe ky ekip gjerman ka shansa reale që të kualifikohet në garat e mëtutjeshme, pasi që aktualisht zë vendin e dytë me 6 pikë, sa ka edhe ekipi londinez i trajnuar nga portugezi Jose Murinjo. Në vendin e tretë është Bazeli me 4 pikë.

Garat në Ligën e Evropës

Branislav Ivanoviq
Branislav IvanoviqFotografi: Martin Rose/Bongarts/Getty Images

I suksesshëm në arenën ndërkombëtare ishte mbrëmë edhe ekipi gjerman në garën e Ligës së Evropës, Ajntraht Frankfurt. Lojtarët e trajnerit Armin Veh fituan Makabin nga Tel Avivi me rezultat 2:0 dhe në këtë mënyrë gati që siguruan kualifikimin në garat e mëtutjeshme. Ajntrahti ka fituar të tri ndeshjet e para dhe zë vendin e parë në grupin e tij. Ndërsa ekipi tjetër gjerman Frajburgu, ka barazuar 1:1 në ndeshjen me ekipin Estoril nga Portugalia. Frajburgu i ka zvogluar në këtë mënyrë dukshëm shansat që të vazhdojë garat në Ligën e Everopës.