1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Studentët shqiptarë dhe gjermanë me një ekspozitë në Tiranë

Arben Muka12 Tetor 2007

Në Tiranë është hapur një ekspozitë krejt e veçantë që ka për autorë studentë të arteve pamore nga Shkolla e Arteve në Karlsruhe, Gjermani dhe nga Akademia e Arteve të bukura në Gjermani.

https://p.dw.com/p/BqHx
Punim i artistes Anila Rubiku
Punim i artistes Anila RubikuFotografi: DW

E hapur në ditët e Tetorit Gjerman në Shqipëri ekspozita e studentëve shqiptarë dhe atyre gjermanë nuk është e rastisshme. Bashkëpunimi mes tyre ka nisur prej kohësh. Mischa Kuball, një profesor dhe artist i njohur i artit bashkëkohor në Gjermani dhe Edi Hila, profesor arti dhe artist i spikatur në Shqipëri ishin të parët që mbështetën kooperimin e studentëve të tyre nga Shkolla e Arteve në Karlsruhe dhe Akademia e Arteve të Bukura në Tiranë. Urat e komunikimit mes Karlsruhes dhe Tiranës po mbahen gjallë nga kontaktet e drejtëpërdrejta, siç janë vizitat e ndërsjellta, por dhe nga komunikimet online mes studentëve dhe pedagogëve.

Referentja për kulturën dhe shtypin në ambasadën gjermane në Tiranë Irene Eidenmuller, një nga organizatoret kryesore të hapjes së

ekspozitës në Galerinë Kombëtare në kryeqytet thotë se "ky bashkëpunim ka nisur më shumë se një vit më parë mes studenteve nga të dy shkollat. Unë nuk i njihja më parë punimet e tyre, por tani që janë ekspozuar për artëdashësit në Tiranë jam e bindur plotësisht për mbështetjen që u kemi dhënë atyre, që i kemi bërë pjesë të aktiviteteve të Tetorit Gjerman në Shqipëri."

Ekspozita ka punime në instalacione, video art dhe dritë-art. Njëri prej studentëve gjermanë H. Neumann ka prezantuar punime të cilat vijnë si pikëvështrime turistike, për të sjellë, siç thotë ai "qytetet me vlerat e tyre turistike, si ato e shfaqin vetveten para vizitorëve. Kam marrë spunto nga vende në Greqi, por dhe këtu në Shqipëri."

Irvin Cena është një i sapodiplomuar në Akademinë e Arteve të bukura në Tiranë. Ai kujton me mjaft emocion periudhën kur ka qenë mes 4 studentëve shqiptarë të përzgjedhur për të kryer një semestër studimesh në Gjermani mes miqve të tij në Shkollën në Karlsruhe.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të aktiviteteve të Tetorit Gjermnan, por bashkëpunimi mes dy institucioneve është konsoliduar për të vazhduar më tej me veprimtari të tjera të përbashkëta, qoftë në Shqipëri qoftë në Gjermani.