1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Studentët e huaj - rrallë për punë në Gjermani

23 Prill 2012

Gjermania ka liberalizuar ligjin e qëndrimit në Gjermani edhe për të tërhequr forca të kualifikuara pune. Por shumë studentë nuk duan të qendrojnë pas studimeve në Gjermani. Të tjerë kanë njohuri të gabuara.

https://p.dw.com/p/14j8G
Të rinj nga Argjentina në Gjermani
Të rinj nga Argjentina në GjermaniFotografi: Colegio Temperley

Gjermania duhet të bëjë më shumë për t'i fituar si forca pune në Gjermani studentët e huaj që përfundojnë universitetet gjermane. Kjo del nga studimi "Talentet në lëvizje", i organizuar në pesë vende të BE, që u prezantua të enjten në Berlin nga Këshilli i Ekspertëve të Fondacioneve gjermane për Integrim dhe Migrim. Studimi arrin në përfundimin se Gjermania i shfrytëzon shumë pak potencialet e emigrantëve me kualifikim të lartë për ekonominë gjermane. Dhe për këtë ka shumë shkaqe.

Në përgjithësi interesi për të qendruar në Gjermani është i madh: dy ndër tre të pyetur e përfytyrojnë që të qëndrojnë në Gjermani pas studimeve. Por janë shumë më pak ata që qendrojnë vërtet në Gjermani.

Bie teza: studimi vetëm rrugë për emigrim

Kjo në një kohë kur kushtet kuadër shihen nga studentët si të mira ose të pranueshme; shumica shohin shanse të mira për të gjetur vend në tregun gjerman të punës. Studentët e inxhinierisë dhe ata të shkencave natyrore shohin më shumë shanse për të gjetur punë në Gjermani se studentët e shkencave sociale.

Kinezi Li Zhiang, studion për inxhinieri në Berlin: "Shkaku i parë për mua: unë studioj inxhinieri. Dhe padyshim që besoj se Gjermania është më e mira në këtë drejtim. Përvoja e punës në Gjermani është gjithmonë më e mira."

Pohimi që dëgjon shpesh se studentët e huaj e përdorin shkollimin e tyre vetëm si trampolinë për të emigruar përgjithmonë në Gjermani, kundërshtohet nga studimi. Shumica duan të punojnë një ose dy vjet në Gjermani dhe të avancojnë përsa i përket profesionit - shkaqe private, familjare janë shumë më pak të rëndësishme - për t'u kthyer pastaj në vendin e origjinës ose për të vazhduar emigrimin në një vend tjetër. Shumë e ndiejnë se janë të mirëpritur, para së gjithash studentë në shkollat e larta, të cilat ofrojnë një konsultim të vazhdueshëm për studimin dhe karrierën.

Studentisches Leben in Deutschland Meldung
Fotografi: picture-alliance/dpa

Pengesat: informacioni, gjermanishtja, diskriminimi

Por njëkohësisht, në një numër i madh të pyeturish ndihen të diskriminuar në jetën e përditshme për shkak të statusit si i huaj- gjë që bëhet shpesh shkas për t'u larguar nga vendi. Kjo prek në radhë të parë të huaj nga vende myslimane dhe më pas ata nga vende afrikane. Këtu Gjermania paraqitet më dobët se vendet e tjera të BE të anketuara.

Tregu gjerman i punës është vërtet i hapur për specialistët e huaj dhe gjendja ekonomike në Gjermani është më e mirë se kudo tjetër. Por zyrat e punës dhe universitetet nuk bashkëpunojnë mirë me njëra-tjetrën, konkludon më tej studimi.

Në pengesë të madhe për qendrim në Gjermani kthehet përpjekja për të marrë informacione juridike relevante për kushtet e punës dhe të qendrimit- gati gjysma e atyre që studiojnë në Gjermani nga shtete të tjera e ndien veten jo të informuar si duhet. Një në dy studentë të huaj nuk e di pas studimit se çfarë duhet të bëjë për të qendruar në Gjermani. Prandaj autorët e studimit kërkojnë që për ta eleminuar këtë të ofrohen këshillime në universitete si dhe në institucione të tjera.

Problemi i gjuhës është pengesa tjetër për të qendruar në Gjermani. Meqenëse për të marrë një vizë studenti aktualisht të duhen vetëm pak njohuri të gjermanishtes, sipas studimit, shumë studentë besojnë se mund t'ia dalësh mbanë shumë mirë në Gjermani edhe pa njohuri të gjermanishtes. më shumë se një e treta e të anketuarve tha se nuk flet gjermanisht. Prandaj Këshilli i Ekspertëve gjermanë i sheh të domosdoshme kurset e gjermanishtes krahas studimit ose ushtrimit të profesionit.

Autoritetet gjermane janë më tolerante

Gisella Fincke, kryetare e Këshillit të Ekspertëve, që organizoi sondazhin thotë se kanë marrë fund kohët kur Shërbimi Akademik Gjerman, DAAD ndihej i detyruar t'i kthente në atdhe pas studimeve të gjithë ata që mbaronin studimet në Gjermani. Por ende ka mungesë bashkëpunimi midis Zyrës për të Huajt, që përpiqet ta pengojë qëndrimin e të huajve dhe shkollave të larta, që nuk ndihen të detyruara të përpiqen për integrimin e studentëve në Gjermani. Ngritja e qendrave të kontaktit në universitete si me zyrën e të huajve, ashtu edhe me Agjencinë Federale të Punës është një kërkesë urgjente që shtrohet.

Midis gjashtë muajve dhe dy vjetëve kanë kohë studentët nga vende jashtë BE për të gjetur punë në Francë, Britani të Madhe, Hollandë dhe Gjermani. Qeveria gjermane do ta zgjasë tani kohën e gjetjes së punës në një vit e gjysmë, nga një vit që është aktualisht. Më tej studentët do të lejohen në një masë më të madhe që të punojnë gjatë studimit dhe kërkimit të vendit të punës. Bundestagu gjerman do ta vendosë liberalizimin në fund të javës së ardhshme, në kuadër të legjislacionit të Blue-Card për forcat e specializuara të elitës.

Për studimin u invervistuan 6.200 studentë në 25 universitete në Gjermani, Britani të Madhe, Francë, Hollandë dhe Suedi. 10 përqind e numrit të përgjithshëm të studentëve në Gjermani janë të huaj. 140.000 studentë vijnë nga vende jashtë BE.

Autor: Auron Dodi (epd, dojçlandradio)

Redaktoi: Bahri Cani