Strukurat paralele çështje politike që kërkon zgjidhje
18 Shkurt 2010Komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Mark Fitzgerald, erdhi në Kosovë për të parë nga afër përmbylljen e fazës së parë të reduktimit të forcave paqerujatëse. I angazhuar që të menaxhojë tërë procesin e reduktimit të KFOR-it, në fazën e parë që u përmbyll në fillim të këtij muaji, ishte komandanti i KFOR-it gjenerali gjerman Markus Bentler.
10 mijë ushtarët do të qëndrojnë ende
Të dy ushtarakët e lartë të NATO-s, thanë në një konferencë për media se prej dhjetë mijë, numri i trupave të KFOR-it që ndodhen aktualisht në Kosovë do të mbetet edhe për një kohë, derisa Aleanca Veriatlantike të konstatojë, se situata e sigurisë ka shënuar përmirësime të mëtejme për të vazhduar më pas me zvogëlimin e trupave. “Ne do të vazhdojmë të analizojmë situatën e sigurisë bazuar në rrethanat dhe kushtet, në të cilat do të kalojë vendi. Dua të siguroj qytetarët e Kosovës, se reduktimet eventuale të mëtejme do të bazohen vetëm mbi një analizë të mirëfilltë të situatës së sigurisë,” tha admirali Mark Fitzgerald.
Institucionet kosovare do të marrin më shumë përgjegjësi
Ai tha se forcat paqerujatëse në muajt e ardhshëm do të vazhdojnë të bartin shumë përgjegjësi tek institucionet kosovare të sigurisë, siç janë Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës. “Ne do të vazhdojmë ta zhvillojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës, deri sa ajo të arrijë kapacitetet e plota për t`u përgjigjur në kriza të ndryshme. Kjo forcë do të angazhohet në deminimet, në ndihma mjekësore, në operacionet e shpëtimit në katastrofat natyrore, siç ishte rasti më Shqipërinë. Bartja e përgjegjësive do të ndodhë edhe tek policia e Kosovës, sa i përket ruatjes së objekteve të trashëgimisë kulturore, të cilat deri tash janë ruajtur nga KFOR-i,” tha admirali Mark Fitzgerald.
Strukturat paralele kërcënim për situatën e sigurisë
Institucionet e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, tashmë kanë hartuar një strategji për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, banuar me shumicë serbe. Strategjia ka për qëllim integrimin e kësaj pjese dhe rrjedhimisht edhe shuarjen e strukturave paralele serbe. Forcat paqeruajtëse nuk janë të përfshira në këtë strategji, mirëpo komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Mark Fitzgerald, tha se strukturat paralele gjithmonë janë kërcënim për situatën e sigurisë. “Çdo strukturë paralele është kërcënim të situatën e sigurisë dhe ambientin e qetë. Kjo natyrisht nuk është në të mirë të Kosovës dhe këtë nuk e dëshirojnë as forcat paqerjatëse. Sa i përket këtyre strukturave paralele unë nuk mund të them se ne si KFOR, nuk do të përdorim forcën për shpërbërjen e tyre, sepse kjo është më shumë çështje politike, që kërkon zgjidhje. Mirëpo ne jemi këtu duke vëzhguar dhe nëse kërcënohet situata e sigurisë në atë shkallë që të nevojitet ndërhyrja jonë, atëherë ne jemi të gatshëm të veprojmë,” tha admirali Mark Fitzgerald
Autor: Bekim Shehu
Redaktoi : Aida Cama