Steve Bannon tek djathtistët e BE si kundërpeshë për Sorosin
23 Korrik 2018Steve Bannon, sipas një raportimi të portalit amerikan të lajmeve, "The Daily Beast", do të krijojë një lëvizje të re me emrin „The Movement" e me këtë të shkaktojë një revoltë të re populiste të djathtë para zgjedhjeve për Parlamentin Europian në pranverën e vitit 2019. Sipas njoftimit, 64 vjeçari, pas zgjedhjeve në SHBA në nëntor do të kalojë gjysmën e kohës në Europë. Bannon synon të krijojë një „supergrup populist të djathtë" në Parlamentin Europian, të cilit do t'i përkasin deri një e treta e deputetëve.
Trazim i procesit parlamentar
Një grupim i tillë i fuqishëm do të mund të trazonte seriozisht procesin parlamentar dhe Bannon mund t'i japë një ndikim të madh brenda lëvizjes populiste, thuhet në raportimin e „Daily Beast". Qëllimi është mbështetja e grupeve populiste, që shpesh operojnë pa struktura profesionale politike dhe buxhete. Për këtë do të ofrohet mbështetje në institute studimore për mbledhjen e të dhënave, sondazhet etj. Bannon kërkon të jetë një kundërpeshë për investitorin amerikan, George Soros, fondacionet e të cilit „Open Society Foundation" mbështesin grupet liberale veçanërisht në Europën Lindore dhe Qendrore. Presidenti Trump pas fitores në zgjedhjet presidenciale e vendosi Bannon si kryestrateg e kryekëshilltar në Shtëpinë e Bardhë. Për shkak të diferencave në qëndrime, rrugët e Trump dhe Bannon u ndanë në gusht të vitit të kaluar.
la/uh/qu (dpa)