1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steinmeier: „Besimplot dhe me respekt për njëri-tjetrin“

24 Dhjetor 2017

Mund të kemi besim! Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier në fjalimin tradicional me rastin e festës së Krishtlindjeve shprehet për më shumë guxim ndaj të papriturave të botës së sotme.

https://p.dw.com/p/2psVf
Deutschland Schriftsteller beim Forum Bellevue des Bundespräsidenten |
Fotografi: picture-alliance/dpa/B. von Jutrczenka

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier në fjalimin tradicional të Krishtlindjeve theksoi se këtë moment të qetësisë dhe paqes që sundon në ditët e Krishtlindjeve do të dëshiroja ta ruanim për të gjithë vitin. „Kam qenë këtë vit që po mbaron në shumë rajone në vendin tonë të bukur, kam njohur vende që duan gjithçka, por jo qetësi. Vende, ku prej kohësh nuk ka një pikë karburanti, apo dyqane ushqimesh, ku janë mbyllur edhe restorantët, ku rrugët tek mjeku janë bërë gjithnjë e më të gjata, dhe është hequr lidhja e fundit me autobus. Nga këto rajone kam mësuar, se ka një qetësi, që mund të bëhet e rrezikshme. Sepse për ata që qëndrojnë aty, jeta është bërë e vështirë! Unë e kuptoj, kur njerëzit aty ndjehen të pakënaqur dhe të harruar".

Por presidenti gjerman, Steinmeier thekson në fjalimin e tij se ka njohur edhe njerëz, si në landin e Saksonisë dhe Meklenburg-Pomeranisë, të cilët e mbushin me jetë këtë qetësi, sidomos të rinj. „Janë njerëz, që e duan vendlindjen si një vend që u jep arsye për të qëndruar aty, ndoshta edhe të kthehen. Qytetaret dhe qytetarët aty, por edhe kryetarët e bashkive më kanë impresionuar thellë." Këta njerëz, jo vetëm aty, por kudo në Gjermani meritojnë të inkurajohen e të mbështeten nga politika, thekson presidenti gjerman.

Gjermania i ka tejkaluar krizat dhe është ripërtërirë

„E ardhmja nuk është fat! Ne mundemi si në plan të madh ashtu edhe të vogël të kapërcejmë ndjenjën e pafuqisë dhe tëhuajtjes, po qe se ndërmarrin diçka bashkë, po qe se nuk shohim vetëm përgjegjësinë e të tjerëve, por pranojmë edhe tonën."

Steinmeier në fjalimin e krishtlindjeve thekson se Gjermania i ka tejkaluar gjithnjë krizat në dekadat e shkuara, dhe se është ripërtërirë. „Kemi mbetur një vend, ku arsyeja ekonomike dhe drejtësia sociale janë parime orientuese për politikën. Por ashtu jemi një vend, që e ka forcën dhe vullnetin të ruajë unitetin dhe të nxisë bashkëjetesën. Për të dyja këto kemi shumë punë përpara!"

Steinmeier hedh vështrimin edhe në zhvillimet aktuale në botë, duke theksuar se jetojmë në një kohë që na konfronton vazhdimisht me të papriturën. „Ajo na bën edhe të pasigurtë! Ne dëshirojmë vazhdimësinë, dëshirojmë siguri. Por nëse ne njerëzit nuk do të ishim të guximshëm e të hapur ndaj së panjohurës të papritur, atëherë edhe barinjtë para Betlehemit do të ishin shpërndarë. Ndoshta jo çdo e papritur është arsye për frikë. Kjo vlen edhe krijimin e qeverisë, që po zgjat në mënyrë të pazakontë. Por unë ju siguroj: Shteti vepron në bazë të rregullave, që kushtetuta jonë parasheh shprehimisht për raste të tilla, megjithëse në dekadat e fundit nuk është dashur që ato të zbatohen. Prandaj: Mund të jemi besimplotë."

Presidenti gjerman uron Krishtlindje të bekuara për të gjithë, dhe iu drejtohet me një përshëndetje Krishtlindjesh edhe atyre njerëzve në Gjermani që nuk janë rritur me traditën e krishterë apo që i përkasin një feje tjetër, të gjithë atyre që e përjetojnë këtë moment feste në Gjermani. „Le të kemi respekt për njëri-tjetrit!"