1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steinmeier lavdëron dhe paralajmëron Greqinë

Janis Papadimitriu / Bahri Cani10 Janar 2014

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier lavdëroi gjatë vizitës në Greqi reformat ekonomike në këtë vend. Por ai kërkoi edhe vazhdimin e reformave të domosdoshme dhe kursimeve të rrepta.

https://p.dw.com/p/1AoRq
Takimi i ministrave të Jashtëm Steinmeier dhe Venizelos
Fotografi: picture-alliance/dpa

Pas takimit me homologun e tij grek Evangelos Venizelos, të enjten në mbrëmje (09.01.2014), Steinmeier deklaroi në konferencën e përbashkët për shtyp se "etapa e parë e rrugës ka përfunduar" dhe për këtë Greqia meriton shumë respekt. Mirëpo Greqia ka para vetes një rrugë të gjatë deri tek dalja përfundimtare nga kriza dhe rimëkëmbja ekonomike. "Shpresoj shumë dhe jam i bindur që Greqia do ta çojë këtë rrugë deri në fund", theksoi politikani i SPD.

Ministri i Jashtëm gjerman i hodhi poshtë të gjitha spekulimet për mundësinë e ndihmave të tjera financiare për Greqinë. Steinmeier sugjeroi që të mos spekulohet tepër lidhur me paketat e ndihmave, në kohën kur Greqia gjendet në rrugën e përmirësimit të gjendjes. Ministri i Jashtëm gjerman është diplomati më i lartë që e ka vizituar Athinën prej marrjes së Presidencës së radhës së BE. Në Athinë ai do të takohet sot (10.01.2014) edhe me presidentin Karolos Papulias, kryeministrin Antonis Samaras si dhe sipërmarrës dhe nxënës grekë.

Për ministrin e Jashtëm grek dhe zëvendëskryeministrin, Evangelos Venizelos, vizita nga Berlini ishte një rast i mirë që të flasë mirë për reformat e bëra në vendin e tij. "Falë angazhimit dhe sakrificave të popullit grek, kemi arritur një ekuilibër dhe një tepricë primare në buxhet", tha Venizelos.

Pa dallime në mendimet politike

Teprica primare miliardëshe në buxhet do të thotë që Greqia për herë të parë në 10 vitet e fundit ka pasur në buxhet më shumë të hyra se sa të dala. Qeveria greke beson se autoriteti statistikor evropian Eurostat në prill të këtij viti do të konstatojë një tepricë në buxhet prej më shumë se 2,5 miliardë euro, që do të thotë se ekziston mundësia e rishikimit të programeve të ndihmave. Në fillim të vitit ministri i Jashtëm Venizelos ka kërkuar në një intervistë me F.A.S. që donatorët ndërkombëtarë t'i respektojnë afatet për pagesën e kredive të garantuara më parë dhe që të shtyhen afatet për kthimin e kredive.

Në këtë çështje, socialistët grekë kanë pritur mbështetje më të fuqishme në veçanti nga Berlini, sepse në koalicionin e ri qeveritar të udhëhequr nga kancelarja Angela Merkel tani janë edhe socialdemokratët. Por ministri Steinmeier ishte shumë i qartë: nuk mjafton që vetëm një vit të shënohet tepricë, sepse duhet arritur një zhvillim i qendrueshëm.

Mendime të ndryshme ka edhe sa i përket vlerësimit të punës së deritanishme të Trojkës, ku bëjnë pjesë BE, BQE dhe FMN. Ministri grek Venizelos ka folur disa herë për "kontrollin demokratik" të Trojkës nga Parlamenti Evropian, ndërsa homologu i tij gjerman mori në mbrojtje Trojkën: "Në Trojkë përfaqësohen institucionet e duhura. Trojka e merr përgjegjësinë vetëm për vlerësime, ndërsa vendimet merren prej qeverive dhe parlamenteve kombëtare."

Gara me kohën

Parlamenti grek në Athinë - salla plenare
Ekuilibrat në parlamentin grek duket se kanë ndryshuar ndërkohëFotografi: Reuters

Steinmeier ka kërkuar disa herë nga Athina që partitë në pushtet - konservatorët dhe socialistët - ta shfrytëzojnë periudhën legjislative deri në vitin 2016 për të vazhduar reformat. Por Venizelos duket se nuk ka kaq shumë kohë në dispozicion, sepse në sondazhet e fundit thuhet se partia e tij do t'i fitojë vetëm 4 - 5 % të votave në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, të cilat do të mbahen këtë vit. Më së shumti vota sipas këtyre sondazheve do të fitojnë aleanca e të majtëve radikalë (SYRIZA) e udhëhequr nga Alexis Tsipras, i cili është edhe kandidat i të Majtës Evropiane për postin e Presidetit të Komisionit të BE.

Shefi i opozitës Tsipras mbetet konseguent në kritikat e tij ndaj qeverisë. Kritikat i ka përsëritur edhe mbrëmjen e inaugurimit të Presidencës së radhës greke. Në momentin e fundit ai vendosi të mos marrë pjesë në këtë ceremoni duket e quajtur kryeministrin konservator grek Antonis Samaras si një "nxënësin e bindur dhe të zellshëm të kancelares gjermane Angela Merkel".