1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steinmeier: Bisedimet do të jenë të vështira

Anila Shuka, Berlin16 Shkurt 2006

Ministri gjerman i punëve të jashtme, Frank Walter Steinmeier, i premtoi të dërguarit të posaçëm të OKB-së në Kosovë, Martti Ahtisaarit, mbështetjen e plotë të Gjermanisë në përfundimin e suksesshëm të bisedimeve për statusin.

https://p.dw.com/p/Aqft
Ahtisaari dhe Steinmeier në Berlin
Ahtisaari dhe Steinmeier në BerlinFotografi: AP

Steinmeier u shpreh i kënaqur me faktin që bisedimet po vazhdojnë edhe pas vdekjes së presidentit Rugova. Kjo edhe falë zgjidhjes së menjëhershme të çështjes së pasardhësit të presidentit "me një person, që na bën të shpresojmë se procesi i krijimit të një opinoni të përbashkët brenda Kosovës po avancon me shpejtësi” - tha Steinmeier në Berlin, pas një takimi që pati të mërkurën mbasdite me Ahtisaarin.

Ministri i jashtëm i Gjermanisë nënvizoi paraprakisht se bisedimet do të jenë të vështira dhe se ato do të kërkojnë kompromise nga të gjitha palët. Qëllimi mbetet arritja e një Kosove demokratike dhe shumëetnike, shtoi Steinmeier më tej.

Të dy politikanët e vlerësuan takimin e datës 20 shkurt në Vjenë e ku do të trajtohet çështja e decentralizimit. Kryenegociatori i statusit të Kosovës, Martti Ahtisaari tha, se “Është një nga takimet, ku kemi filluar nga bazamenti për t’iu afruar problemeve të tjera që duhen zgjidhur”. Sepse kur flasim për të drejtat e pakicave, çështja kyçe është decentralizimi.”

Ahtisaari raportoi më tej se edhe mbas bisedimeve të Vjenës, më datat 20 dhe 21 shkurt, axhenda e tij do të jetë shumë e ngarkuar. Më 27 shkurt ai do të udhëtojë për në Beograd, ku gjatë të mërkurës ka qenë duke zhvilluar bisedime me përfaqësues të kishave ndihmësi i tij, ambasadori austriak Albert Rohan. Paralelisht me takime të vazhdueshme me përfaqësues të serbëve dhe shqiptarëve, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së dhe qeveritë antare të Grupit të Kontaktit, mes tyre dhe asaj amerikane, ku pritet të shkojë në fillim të marsit, Ahtisaari është në kontakt të vazhdueshëm edhe me Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. “Sepse çfarë do që të ndodhë, ne duhet të japim garancitë që njërzit mund të jetojnë të dyja palët si në Serbi ashtu edhe në Kosovë, në një shoqëri me të ardhme prosperuese,” – tha ish-presidenti i Finlandës.

I pyetur lidhur me deklaratat më të fundit të kryeministrit serb, Vojisllav Kostunica, sipas të cilit pavarësia e Kosovës është thyerje e të drejtës ndërkombëtare, Steinmeri u përgjigj, se “Pikërisht kjo është dëshmi e vështirësisë së bisedimeve dhe askush nga ne nuk e lakmon pozitën e Ahtisaarit. ” Më tej ai shtoi: “Sigurisht që tani palët po përpiqen “t’i ngrenë çmimet,” por jam i sigurtë, që Ahtisaari do të jetë në gjendje t’i bëjë ballë kësaj situate”.

Pyetjes se çfarë e bën kaq optimist që bisedimet do të përfundojnë me sukses, Steinmeier iu përgjigj: “Nuk jemi në vitin e shtatë të bisedimeve, por në të parin. Deri tani është krijuar një përshtypje, të cilën e dokumentova edhe gjatë bisedimeve që zhvillova vetë në Kosovë me përfaqësuesit kryesorë të palëve.“ Steinmeieri relativizoi optimizmin me fjalët: “Askush nuk po flet për eufori, por mendoj se ka ardhur koha që një përpjekje ia vlen”.

Ahtisaari nga ana e tij iu përgjigj pyetjes: “Është e vërtetë se brenda një viti nuk mund të krijohet një situatë, kur njerzit fillojnë të dashurojnë njëri – tjetrin, mjafton që ata të fillojnë ta tolerojnë njëri tjetrin.” Ai sqaroi më tej, se misioni i tij është të krijojë disa mekanizma për zgjidhjen e problemeve afatgjate, e jo t’i zgjidhë problemet. “Po të ishte Kosova në gjendje, që në fund të vitit të realizojë standardet që kërkon prej saj Bashkësia Ndërkombëtare, atëherë vitin tjetër do të duhej të fillonim bisedimet për antarësimin e saj në Bashkimin Evropian”.

Ahtisaari gjithashtu ka theksuar se nuk sheh ndonjë dallim thelbësor mes Putinit dhe Grupit të Kontaktit, sa i përket çështjes së Kosovës.

“Ndoshta ekzistojnë disa dallime taktike në gjirin e Grupit të Kontaktit, por kur vjen fjala për çështjet thelbësore ata janë të bashkuar,” - tha ai, duke iu referuar përvojës së tij të krijuar gjatë asistimit në shumë takime të Grupit të Kontaktit. Ai tha se Putini nuk e ka pasur fjalën kryesisht për Kosovën, por për rajone të tjera. “Është e drejta e tij ta bëjë një gjë të tillë,” = tha Ahtisaari. Dy ditë para takimit të grupit të kontaktit në Londer, në fillim të shkurtit, Putin kishte thënë se kërkonte një zgjidhje unviersale për Kosovën, që do të vlente edhe rajone të tjera krize, duke pasur parasysh këtu në radhë të parë Republikat e Kaukazit.

Javën e kaluar ministri gjerman i punëve të jashtme, Frank Walter Steinmeier, kishte theksuar për herë të parë se çështja e Kosovës duhet të përfundojë brenda vitit 2006. Që me ardhjen në qeveri të socialdemokratit Steinmeier, duket se në diplomacinë gjermane po lëviz diçka. Do të jetë Gjermania ajo që në fillim të vitit 2007, kur të ketë në dorë kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian do t’i duhet të hartojë planin për konkretizimin e të ashtuquajturës perspektivë evropiane të rajonit të Ballkanit.