1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steinmeier bëri që të gjitha pyetjet të shkojnë huq, përgjegjësia gjithashtu

Deutsche Welle30 Mars 2007

Shtajnmajer dhe Shili dëshmojnë para Komisionit hetimor të BND-së të Bundestagut gjerman

https://p.dw.com/p/Arkw
Frank-Walter Steinmeier para komisionit hetimor
Frank-Walter Steinmeier para komisionit hetimorFotografi: AP

Para një komisioni hetimor të BND-së në Bundestagun gjerman për rastin Kurnaz dje dëshmuan ministri i jashtëm gjerman Frank-Valter Shtajmajer dhe ish-ministri i brendshëm gjerman Oto Shili. Politikani socialdemokrat Shili morri përgjegjësinë politike për rastin e ish - të burgosurit në Guantanamo, Murat Kurnaz. Para komisionit hetues të BND-së, Shili tha se nuk e ka vështirë ta marrë këtë përgjegjësi, sepse të gjitha veprimet e ministrisë që ka udhëhequr kanë qenë korrekte. Në këtë mënyrë Shili ka lehtësuar pozitën e ministrit të jashtëm Frank-Valter Shtajnmajer, i cili dëshmoi pas tij para komisionit hetues. Në kohën e arrestimit të turkut me nënshtetësi gjermane, Shtajnmajer ishte shef i zyrës së ish-kancelarit Gerhard Shrëder.

Dëshmitë e Shilit dhe Shtajnmajerit janë temë qendrore në të përditshmet e sotme gjermane. Fillimisht në «Stuttgarter Nachrichten» lidhur me këtë lexojmë:

"Nuk guxon që parimet juridike të injorohen vetëm që shërbimet e fshehta në kuadër të mbrojtjes nga rreziku të gjejnë të dyshuarit. Të jesh i dyshimtë nuk do të thotë ende se je fajtor. Në rastin e Kurnazit politika ka dashur të mbroj shtetin dhe për këtë ka shpërfillur përkujdesjen për një person të vetëm. Për këtë lëshim ajo, pra politika nuk mund të shpallet e pafajshme", lexojmë në «Stuttgarter Nachrichten».

Ndërkaq nga «Frankfurter Allgemeine Zeitung» po për të njëjtën temë shkëpusim:

"Para komisionit hetimor për BND-së të Bundestagut gjerman ish-ministri i brendshëm Otto Shili edhe njëherë ishte në formë të mirë. Ndërkohë që vetë komisioni është thelluar duke hulumtuar në akte për këtë rast, ish-ministri Shili u mbrojt në mënyrë paushalle për atë çfarë ka ndodhur në vitin 2002. Ai mori përsipër përgjegjësinë politike për rastin Kurnaz dhe deklaroi se këta hapa janë ndërrmarrë në kuadër të mbrojtjes nga rreziku terrorist. Atij nuk i kujtohej që të jetë marrë vetë në atë kohë me të burgosurin e Guantanamos, që më vonë u bë shumë i njohur. Në këtë mënyrë ai bëri që të gjitha pyetjet të shkojnë huq, përgjegjësia gjithashtu", thuhet ndër të tjera në «Frankfurter Allgemeine Zeitung».

Shfletojmë tani gazetën «Rhein-Neckar-Zeitung» e cila botohet në Heidelberg. Në të theksohet:

"Operacioni i gjuetisë ndaj elefantëve i cili paracakton ministrin e jashtëm Shtajnmajer si viktimë është pjekur për aktin e fundit: Happy End. Për shefin aktual të diplomacisë gjermane. Ai ndërkohë ndodhet jashtë rrezes së shigjetes të komisionit të Shërbimit të fshehtë BND, në të cilin ndodhen pjesë të opozitës së sotme dhe të djeshme", nënvizon «Rhein-Neckar-Zeitung».

Rasti Kurnaz dhe seanca dëgjimore në Komisionit hetimor të Bundestagut gjerman komentohet sot edhe nga «Allgemeine Zeitung» e cila botohet në Mainz.

"Ajo çfarë solli ish-ministri i brendshëm para Komisionit hetimor të BND-së i përshtatet plotësisht paturpësisë me të cilën jemi mësuar deri tani. Hapur, politikani në pension Shili, provoi ta mbronte shokun e tij të partisë socialdemokratin Shtajnmajer, në vitin 2002 shef i zyrës së ish-kancelarit Gerhard Shrëder. Pa marrë parasysh se cila është e vërteta askush nuk guxon të sillet me një parlament kështu siç sillet tani ish-ministri Shili. Imazhin e tij si Rambo ai vetëm sa po e forcon më shumë", përfundon «Allgemeine Zeitung».

Ndërkaq në «Neue Westfälische» të Bielefeldit lexojmë:

"Eshtë shumë e vështirë që qeveria kuq e gjelbër të lirohet plotësisht nga përgjegjësia. Nga njëra anë është e diskutueshme nëse qeveria në kohën mes vitit 2002 dhe 2005 ka bërë krejt çka është dashur për të nxjerr nga burgu Murat Kurnazin. Nga ana tjetër vetë Shtajnmajer pat deklaruar këtë janar se as sot nuk do të vendoste ndryshe. Marrë parasysh përjetimet e Kurnazit këto fjalë të ftohta të ministrit janë shumë të forta. Ministrit të jashtëm me siguri që nuk do t`i binte namuza po t'i kërkoj falje 25 vjeçarit", konstaton «Neue Westfälische».