1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Standard & Poor's: Perspektiva e Greqisë negative

14 Qershor 2011

Agjencia e vlerësimit të aftësisë kredituese Standard& Poor's pret një ristrukturim të afërt të borxhit të Greqisë. Kjo agjenci e uli sërish aftësinë e Greqisë për të marrë kredi - me tri shkallë njëherësh

https://p.dw.com/p/11a0T
Kriza financiare në Greqi
Kriza financiare në GreqiFotografi: AP

Klasifikimi për aftësinë afatgjatë kredituese të Greqisë ulet nga B në CCC, bëri të ditur të hënën (13.06.) Standard & Poor's. Me këtë, edhe shtete si Pakistani, Ekuadori ose Xhamajka vlerësohen më të besueshme për të marrë kredi se sa helenët.

Standard & Poor's pret ristrukturim të afërt të borxhit të Greqisë

Agjencia deklaroi si argumentim se gjasat për një të ashtuquajtur ristrukturim të butë të borxhit janë shtuar. Kur hua të vjetra këmbehen me të reja, me një kohëzgjatje më të madhe, duhet pasur frikë se kreditorët duhet të heqin dorë nga një pjesë e parave që kanë dhënë hua. Këtë Standard & Poor's e vlerëson si pamundësi pagese.

Kryeministri grek Giorgos Papandreou
Kryeministri grek Giorgos PapandreouFotografi: picture-alliance/dpa

Me klasifikimin e ri, Greqia ëshë vetëm katër shkallë larg shkallës më të ulët, kategorisë D. Një vlerësim i tillë do t'ia ndalonte Bankës Qendrore Evropiane që të pranonte kredi shtetërore greke si siguri. Kjo mund të ketë pasoja të paparashikueshme për sistemin evropian të bankave.

Athina reagon e zhgënjyer

Perspektivën afatgjatë për Greqinë Standard & Poor's e përcaktoi si negative. Në vitin 2012 Athina ka mundësi që të mos jetë në gjendje të sigurojë vetë para në tregjet financiare. Qeveria greke reagoi me zhgënjim ndaj këtij vendimi. Standard&Poor's nuk mban parasysh që Greqia ka nisur reforma të ashpra dhe mbetet anëtar i Eurozonës, u tha në Athinë.

Ministrat e financave të BE konsultohen për paketën e re të ndihmave

Mosbesimi i shprehur me uljen në shkallën e klasifikimit të Greqisë besohet se do ta nxisë diskutimin për një paketë të re ndihmash për Greqinë. Shefat e sektorëve do të diskutojnë veç kësaj si mund të shmangen në të ardhmen kriza të ngjashme borxhesh.

Ndërkohë, Shoqata Federale e Bankave gjermane i ka sinjalizuar qeverisë gatishmëri për bisedime për një pjesëmarrje të kreditorëve privatë në një paketë të re ndihme për Greqinë. Kryetari i kësaj shoqate, Michael Kemmer i quajti propozimet e paraqitura një ditë më parë nga ministri i Financave, Schäuble në parlament si të arsyeshme.

Në Bruksel diskutohet përsëri për Greqinë
Në Bruksel diskutohet përsëri për GreqinëFotografi: Picture-Alliance/dpa

"Tani bëhet fjalë më pak për atë që bankat të mos preken, por që të shihet se si ta mos e rrezikojmë stabilitetin financiar me masat që do të merren."

Plan i ri kursimesh nga Athina

Paketa e re e ndihmave sipas informacioneve do të jetë në shumën 90 deri 120 miliardë euro. Njëkohësisht, deri në fund të qershorit, do të kërkohet që Parlamenti i Athinës të miratojë një plan të ri kursimesh, i cili parashikon shkurtime në masën 28,4 miliardë euro deri në vitin 2015. Kjo shumë do të arrihet përmes privatizimit të sipërmarrjeve shtetërore, rritjes së taksave, shkurtimit të pagave të nëpunësve civilë dhe uljen e shërbimeve sociale.

Autor: Auron Dodi (Thomas Grimmer/dw)

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi