1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Speich: Integrimi i Ballkanit Perëndimor në të mirë të BE

14 Shtator 2024

Mark Speich, Sekretar i Shtetit për Çështjet Federale, Evropiane, Ndërkombëtare e Politikave mediatike të rajonit NRW në një intervistë për DW, thekson, se afrimi i vendeve të Ballkanit do t'i sillte të mira vetë BE-së.

https://p.dw.com/p/4kcMg
Mark Speich, Sekretar i Shtetit për Çështjet Federale, Evropiane, Ndërkombëtare e Politikave mediatike të rajonit NRW në një intervistë për DW me gazetaren Bruna Kazani
Mark Speich, Sekretar i Shtetit për Çështjet Federale, Evropiane, Ndërkombëtare e Politikave mediatike të rajonit NRW në një intervistë për DW me gazetaren Bruna KazaniFotografi: DW

DW: Zoti Speich, cili ishte qëllimi i kësaj vizite në Shqipëri?

Mark Speich: Po udhëtoj në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut për të parë rajonin dhe për të hedhur dritë mbi të në një fazë kritike të zgjerimit dhe anëtarësimit në BE. Gjatë kësaj vizite, përfaqësoj landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë (NRW), që është rajoni më i populluar i Gjermanisë me 18 milionë banorë, zemra e prodhimit industrial në Gjermani dhe jemi shumë të përkushtuar ndaj procesit të zgjerimit.

Jemi të bindur, se është një situatë përfitimi e ndërsjellë për rajonin dhe BE-në nga një perspektivë gjeopolitike dhe mund të bëhet një përfitim edhe nga një perspektivë ekonomike. Në një farë mënyre, vizita ime ka të bëjë me shprehjen e kësaj, për të bërë të qartë se e mbështesim plotësisht këtë proces, por, sigurisht, objektivi tjetër është të raportoj dhe të bind ata që kanë dyshime dhe janë skeptikë. Do të thoja që në partitë politike kryesore në Gjermani ka një mbështetje të gjerë për këtë proces, por kemi gjithashtu një diskurs publik që është më pak entuziast për zgjerimin.

Mendoj se duhet të bëjmë të qartë se nuk është vetëm një fitore për ato vende që duan të anëtarësohen në BE, por është gjithashtu një përfitim i madh për ne nëse këto vende bëhen pjesë. Për mua, kjo vizitë është një moment i rëndësishëm për të vlerësuar situatën; jam i interesuar të dëgjoj partnerët e mi të dialogut këtu dhe të shoh me sytë e mi se si po ecin gjërat dhe cilat janë sfidat. Kam perceptuar një përkushtim të madh ndaj procesit të zgjerimit dhe procedurave të anëtarësimit në Shqipëri.

Mark Speich, Sekretar i Shtetit për Çështjet Federale, Evropiane, Ndërkombëtare e Politikave mediatike të rajonit NRW, Speich në tavolinë, me kostum të errët, këmishë të bardhë
Mark Speich, Sekretar i Shtetit për Çështjet Federale, Evropiane, Ndërkombëtare e Politikave mediatike të rajonit NRWFotografi: DW

Po flasim për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, nga një perspektivë më e afërt, a keni vënë re përmirësime në Shqipëri?

Do të thosha po, shumë qartë. Mendoj se nga bisedat që kam zhvilluar, mund të shihet qartë që liderët politikë janë shumë të përkushtuar ndaj kësaj. Ata kanë një fokus të qartë te kapitujt që po diskutohen tani, nga njëra anë te çështjet themelore, por gjithashtu edhe te grupi i gjashtë, që lidhet me politikat dhe çështjet gjeopolitike, ku Shqipëria, do të thoja, po jep një shembull në rajon përsa i përket angazhimeve ndaj NATO-s dhe parimeve të aleancës perëndimore. Kështu që, Shqipëria po vendos një shembull të qartë. Ju mund ta ndjeni atë përkushtim dhe të shihni që teknikisht janë të përgatitur mirë dhe jam i bindur se gjërat mund të ecin përpara. Gjithashtu shohim progres në lidhje me vendosjen e parimit të sundimit të ligjit në sistemin gjyqësor. Ende ka sfida, por mendoj se është e rëndësishme që gjërat të ecin përpara. Siç e thashë, nga një perspektivë gjeopolitike, por edhe nga një perspektivë ekonomike, perspektiva e integrimit të shoqërive dhe ekonomive është një hap i rëndësishëm – dhe është i nevojshëm.

A mund të na tregoni më shumë për mbështetjen konkrete që Gjermania ofron për vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e anëtarësimit në BE?

Nuk mund të flas në emër të Gjermanisë, sepse përfaqësoj NRW. Ne jemi vetëm një rajon, ndoshta një rajon i rëndësishëm, por vetëm një rajon brenda Gjermanisë. Sigurisht, procesi i Berlinit është një nga format më konkrete të mbështetjes që Gjermania po ofron. Këtë e bëjmë vazhdimisht. Për 10 vjet, që nga koha kur Angela Merkel e filloi procesin, Gjermania ka mbështetur integrimin rajonal si përgatitjen më të mirë për anëtarësimin në BE të rajonit.

Godina e kryeministrisë
Fotografi: Marina Strauß/DW

Përveç kësaj, natyrisht, shoh çfarë po bën GIZ në shumë prej projekteve, çfarë po bën ambasada në mbështetjen e këtij procesi. Për ne, integrimi ekonomik është shumë i rëndësishëm, si dhe bashkëpunimi shkencor dhe shkëmbimi i të rinjve mes dy vendeve. Nëse shohim marrëdhëniet ekonomike, sigurisht që ka vend për përmirësim. Ka shumë turistë nga Gjermania, dhe një pjesë e madhe e tyre vijnë nga NRW, kështu që ky proces tashmë po zhvillohet. Por, nëse shohim shkëmbimet tregtare dhe prodhimin industrial, atje do të shihja shumë hapësirë për përmirësim. Ka disa sektorë ekonomikë që janë përfaqësuar mirë, për shembull ndërtimi. Ne kemi një diskutim të vazhdueshëm për uljen e rrezikut në marrëdhëniet me Kinën dhe për diversifikimin e prodhimit industrial, dhe mendoj se duhet të mendojmë më shumë për "near-shoring”, mundësitë e afërsisë gjeografike dhe mundësitë që vijnë me to. Duke qenë një rajon industrial, mendoj se kjo është një perspektivë që duhet ta inkurajojmë.

Tirana, Muzeu kombëtar, sheshi, shatërvani
Sheshi para Muzeut Kombëtar, TiranëFotografi: Micha Korb/pressefoto korb/picture alliance

Nga ana tjetër, si e shihni rolin e Shqipërisë në një kontekst më të gjerë të politikës ndërkombëtare dhe bashkëpunimit rajonal?

Mendoj se kur bëhet fjalë për NATO-n dhe angazhimet ndërkombëtare, Shqipëria tashmë po përmbush disa prej detyrimeve që kanë vendet anëtare të BE-së, pa qenë anëtare. Për shembull, lidhur me sanksionet ndaj Rusisë pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës, Shqipëria është angazhuar plotësisht ndaj NATO-s dhe aleancës perëndimore, dhe mendoj se kjo është për t'u marrë shembull. Natyrisht, kjo nuk është e njëjtë për të gjithë rajonin. Atje menjëherë shihen dallimet, dhe padyshim do të doja që të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të performonin në të njëjtën mënyrë si Shqipëria.

Me gjithë rritjen në aspekte të ndryshme që përmendni se Shqipëria ka përjetuar, pse ende nuk është bërë pjesë e Bashkimit Evropian, por është mbajtur në pritje për kaq shumë vite?

Mendoj se, padyshim, Bashkimi Evropian përballet me sfidën e kompleksitetit. Procesi i integrimit ka evoluar gjatë viteve dhe dekadave në një kuadër ligjor jashtëzakonisht kompleks. Vendet që duhet të përmbushin këtë kompleksitet ligjor natyrshëm duhet të kalojnë një rrugë të gjatë për të përmbushur plotësisht detyrimet. Ndonjëherë do të doja të reflektonim më shumë nëse ky proces dhe metodologjia e anëtarësimit janë ende të përshtatshme – veçanërisht në dritën e sfidave gjeopolitike që po përballemi. Mendoj se nuk është mënyra e duhur të mbash vendet shumë gjatë në dhomën e pritjes dhe me këtë të krijosh zhgënjim.

Pamje nga shëtitorja tek liqeni, njerëz duke ecur
Pamje nga shëtitorja tek liqeniFotografi: Peter Endig/dpa-Zentralbild/dpa/picture alliance

Jam ende i habitur, dhe duhet të them pozitivisht i surprizuar, që mbështetja për anëtarësimin në BE në Shqipëri dhe te popullsia është kaq e madhe. Norma me më shumë se 90% mbështetje këtu është më e lartë se në Gjermani. Dhe duke marrë parasysh që jeni në pritje për një kohë kaq të gjatë, që nga viti 2014, kjo është mjaft e habitshme. Në vende të tjera është ndryshe. Aty mund të shihni që mbështetja për anëtarësimin në BE po bie. Mendoj se duhet ta marrim këtë seriozisht. Nëse pajtohemi që është në interesin tonë ekonomik dhe mbi të gjitha në interesin tonë gjeopolitik të avancojmë zgjerimin, atëherë duhet ta përkthejmë këtë në proces. Mendoj se përshpejtimi i procesit dhe arritja e përfitimeve institucionale dhe procedurale më të shpejta është e nevojshme, por sigurisht, ndonjëherë shoh që ekzistojnë pengesa politike individuale për këtë.

Në agjendën tuaj është përfshirë një takim me krerët e institucioneve fetare në Shqipëri. Pse ky vendim?

Mendoj se Shqipëria është një rast shumë interesant i një vendi multi-fetar, ku parimi i harmonisë dhe bashkëjetesës paqësore të feve shumë të ndryshme është vërtet një shembull. Natyrisht, kemi periudhën komuniste, kur besimet fetare u shtypën. Por është mbresëlënëse të shohësh se sa shpejt, pas rënies së regjimit komunist, u rikrijua ky sistem harmonik multi-fetar dhe si funksionon ende sot. Për mua ishte shumë e rëndësishme të takohesha me udhëheqësit fetarë dhe të kuptoja rrugën specifike shqiptare. Sigurisht, jam i vetëdijshëm që çdo shoqëri ka traditat e saj historike, të cilat nuk mund të përsëriten një për një. Por gjithsesi ka një lloj strukture institucionale që mbështet këtë shoqëri multi-fetare, dhe mendoj se kjo është shumë interesante.

Statuja e Nënë Terezës, Tiranë
Fotografi: Ani Ruci/DW
Godina e Qendrës Botërore të Bektashinjve, Tiranë
Bektashinjtë, Qendra Botërore, TiranëFotografi: Bettina Marx/DW
Pamje nga xhamia e Ethem Beut, salla e brendshme dhe ornamente
Xhamia e Ethem BeutFotografi: Sergio Delle Vedove/Zoonar/picture alliance

Në NRW kemi një traditë fetare shumë të ndryshme. Për shekuj me radhë, ajo ishte kryesisht e krishterë, me katolikë dhe protestantë. Mirëpo prej dekadash, dhe kjo është për shkak të procesit të migracionit, edhe ne jemi bërë një shoqëri multi-fetare. Është e drejtë të themi që kemi pasur një bashkëjetesë paqësore për pjesën më të madhe të kësaj kohe, por ajo që po vërejmë tani është se disa forca po përpiqen të shfrytëzojnë dallimet fetare për qëllime politike, ndonjëherë edhe për qëllime radikale, duke krijuar përçarje dhe konflikte ndërmjet besimeve të ndryshme. Për këtë arsye, jam i interesuar në organizimin institucional të shoqërive multi-fetare dhe e gjej shembullin shqiptar shumë mbresëlënës.

A ka ndonjë projekt specifik midis dy vendeve që u diskutua gjatë kësaj vizite?

Jo, vizita kishte të bënte me zbulimin e fakteve, eksplorimin e mundësive dhe potencialeve, si dhe për të nxjerrë në pah rajonin në zemër të Evropës. Mendoj se hapi i ardhshëm do të jetë identifikimi i propozimeve konkrete. Ekziston një bashkëpunim shumë i ngushtë përmes diasporës, dhe ky është një aspekt që duam ta forcojmë.

Intervistoi Bruna Kazani