1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Solidaritet me të krishterët anembanë - "Urbi et Orbi 2010"

25 Dhjetor 2010

Në mesazhin e tij për këtë vit, Papa Bendekti i XIV-të përmendi sidomos situatën e vështirë për të krishterët në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, si edhe për të krishterët në Kinë.

https://p.dw.com/p/zpcE
Fotografi: AP

Mesazhi i Papës për Krishtlindjet është një mesazh për paqe. Jezu Krishti erdhi si "mbreti i të drejtës dhe paqes në këtë botë", tha ai. Ky fakt duhet t'u shërbejë të krishterëve si shembull për "t'u shërbyer të tjerëve pa kushte dhe për të luftuar paqësisht kundër padrejtësive".

"Të besosh tek ai Zot që ndau historinë me ne është një një nxitje e përhershme për ta mbrojtur historinë tonë, ndonëse ajo shpesh është e vështirë. Eshtë arsye për të gjithë ata që janë lënduar në sedër, sepse AI, që lindi në Bethlehem, erdhi në këtë botë për të çliruar njerëzit nga rrënjët e çdo skallvërimi."

Bekimi për të krishterët në mbarë botën
Bekimi për të krishterët në mbarë botënFotografi: AP

Papa foli për procesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe u bëri thirrje izraelitëve dhe palestinezëve të vazhdojnë "kërkimin për një bashkëjetesë të drejtë dhe paqësore". Ai foli gjithashtu për të krishterët sidomos në Irak, ku këtë vit nuk u zhvillua mesha për Krishtlindjet, nga frika e sulmeve të mundshme terroriste: "Paralajmërimi i ardhjes së birit të Zotit do ta bëjë më të lehtë dhimbjen e komunave të dashura krishtere në Irak dhe në të gjithë Lindjen e Afërt. AI do t'u japë forcë dhe shpresë për të ardhmen që përgjegjësit e kombeve të tregojnë solidaritetin e duhur me të krishterët."

Kina dhe Vatikani - Marrëdhënie e tensionuar

Ndërkohë marrëdhënia mes Vatikanit dhe Kinës është ashpërsuar gjatë muajve të fundit. Vatikani e akuzon Kinën për shkeljen e të drejtave të njeriut, ndër të tjera edhe sepse Kina zhvilloi përpara pak kohësh pagëzimin e një peshkopi, të cilin nuk e kishte aprovuar Vatikani. Papa tha: "Festa e lindjes së Jezu Krishtit e forcon besimin e të krishterëve në Kinë, rrit durimin dhe mirësinë në ta, duke i lejuar kështu që të mos mbyten nga kufizimi i lirisë së tyre për fenë dhe besimin, por t'i gëzohen dashurisë për Krishtin dhe Kishën e tij, e cila e mban ndezur flakën e shpresës për jetën."

Mijëra njerëz u mblodhën në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë për të dëgjuar fjalimin tradicional të Papës për Krishtlindjet dhe urimin e famshëm "Urbi et Orbi" në 60 gjuhë.

Ditën e dielë (26.12.) Papa ka ftuar për drekë të varfër dhe njerëz në nevojë. Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terëzës, ai do të hajë drekë së bashku me të pastrehë në qendrën e Nënë Terezës në Romë.

Autor: Tilmann Kleinjung/ Sonila Harasani

Redaktoi: Pandeli Pani