1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lehrer-Mazedonien

6 Mars 2010

Profesioni i mësuesit në Maqedoni përballet me një sërë problemesh. Kushtet e vështira në të cilën zhvillohet procesi edukativo-arsimor dhe pagat e ulëta mujore rrezikojnë të ardhmen e këtij profesioni.

https://p.dw.com/p/MM26
Në foto: klasë mësimi në një shkollë në Shkup.
A mjaftojnë pasioni dhe përkushtimi i mësuesve për të kapërcyer vështirësitë?Fotografi: DW/Fatos Musliu

- "Një ditë të bukur u takuan breshka dhe shqiponja. Kur u takuan, breshka e luti shqiponjën që ta mësojë të fluturojë."

- "Çfarë keni kuptuar prej kësaj pjese leximi? Kush ka dashur të fluturojë?"

- "Breshka!"

- "A mund të fluturojë breshka?"

- "Jo!"

Ky është një nga dialogët e përditshëm që zhvillon mësuesja Teuta Zylbehari me nxënësit e klasës së parë. Për të nuk ka detyrë më të shenjtë se ajo e mësuesit. Nuk ka gjë më të shenjtë se dashuria për t'u falur dituri fëmijëve. Është dashuri dhe detyrë që nuk paguhet dhe nuk vlerësohet sa duhet dhe të vetmin shpërblim e ka buzëqeshjen e pafajshme të fëmijëve dhe përqafimin e tyre të ngrohtë.

Prof.dr. Gjylymsere Kasapi. pedagoge në universitetin "Shën Kirili dhe Metodi" në Shkup.
Prof.dr. Gjylymsere Kasapi. pedagoge në universitetin "Shën Kirili dhe Metodi" në Shkup.Fotografi: DW/Fatos Musliu

Kushte të vështira mësimdhënieje dhe paga të papërshtatshme

"Ne punojmë në shkollë me dashuri dhe për dashuri. Sa për ndihmën prej qeverisë, shërbimeve që janë në shkollë apo komunës, asnjëherë nuk kishim hyrë dhe nuk e kishim dhënë atë që e ndiejmë si obligim moral dhe jetësor për t'ua dhënë fëmijëve'', thotë Teuta Zylbehari. Sipas saj, profesioni i mësuesit në Maqedoni gjithnjë e më shumë po degradon. Mësuesi çdo ditë përballet me probleme të shumta, që nga kushtet në të cilat zhvillohet mësimi, deri tek pagat e ulëta: "Edhe thuhen problemet, ceken, flitet haptas për to, por fatkeqësisht kjo mbetet vetem në të folur dhe nuk bëhet asgjë tjetër. Çfarëdo kushtesh që të jenë, kështu të vështira siç janë, por edhe po të jenë më të vështira, mësimdhënësit do të japin maksimumin, sepse mësuesi kur hyn në klasë, hyn duke i lënë jashtë klase problemet e veta dhe duke ia kushtuar 100 % vëmendjen, vullnetin dhe dëshirën atyre 27, 30 apo 32 nxënësve që ka”.


Problemet: politizimi i arsimit, mungesa e mjeteve mësimore bazë

Në foto: dërrasa e zezë në një klasë në Shkup.
Kompjutera për çdo nxënës? Ëndërr e largët për shkollat në Maqedoni!Fotografi: DW/Fatos Musliu

Gjylymsere Kasapi është pedagoge në universitetin "Shën Kirili dhe Metodi" në Shkup, në të cilin përgatiten mësuesit e ardhshëm. Për të, në gjithë historinë e njerëzimit, mësuesit gjithnjë kanë luajtur një rol misionar dhe sidomos vendimtar në përgatitjen e brezave si njerëz dhe qytetarë të së ardhmes: "Është një ndër profesionet e rralla ku nuk ekziston kufiri i përgjithshëm ndërmjet jetës profesionale dhe asaj personale, pasi në këtë profesion mishërohet i tërë personaliteti, me plot emocione, dashuri, humanizëm dhe altruizëm dhe virtyte të tjera të cilat padyshim janë prezente gjithnjë në profesionin e mësuesisë”, thotë pedagogia Gjylymsere Kasapi.

Ndër morinë e shumtë të problemeve, shqetësuese për të është politizimi i tejskajshëm i arsimit. “Një politizim i jashtëzakonshëm i arsimit në përgjithësi, ndaj të cilit jam absolutisht kundër. Asnjëherë në jetën time nuk do të kisha lejuar që shkolla të jetë kaq e politizuar, por edhe prindi, nxënësi dhe mësuesi në këtë konteks”, thotë Kasapi.

Shkollë në Maqedoni.
Shkollë në Maqedoni.Fotografi: DW/Fatos Musliu

Mësuesit në shkollat e Maqedonisë përballen me problemin e sigurimit të bankave dhe karrigeve për nxënësit dhe nuk mendojnë shumë për kompjuterizimin e procesit mësimor. Mësuesja Teuta Zylbehari thotë se edhe sot, mjet të vetëm për mësim ka shpuzën dhe shkumësin. Kompjuteri për çdo nxënës, ende vazhdon të mbetet ëndërr e parealizuar për mësuesen.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Eliana Xhani