1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sistemi i arsimit në Shqipëri në skaner të Bankës Botërore

20 Dhjetor 2010

Banka Botërore i sugjeron Shqipërisë të rrisë cilësinë e arsimit dhe lidhjen e tij me aktivitetet prodhuese për të mos vënë në rrezik rritjen ekonomike të vendit. Flet përfaqesuesja e BB në Shqipëri, Ksenija Lvovski.

https://p.dw.com/p/QgoN
Ksenija Lvovski, përfaqësuese e Bankës Botërore në Shqipëri
Ksenija Lvovski, përfaqësuese e Bankës Botërore në ShqipëriFotografi: DW

Një raport i Bankës Botërore për Shqipërinë, i prezantuar kohët e fundit në Tiranë lidhur me politikat e reja që duhen zbatuar për të garantuar rritjen ekonomike të vendit, i bën skanerin edhe sistemit të arsimit. Skaneri i BB tregon krahas reformave pozitive tregon edhe pikat e dobëta ku duhet ndërhyrë pa humbur kohë.

Pamje nga Tirana
Pamje nga TiranaFotografi: DW

Të dhënat e raportit në fjalë të BB tregojnë që Shqipëria ka numrin më të ulët të popullsisë, vetëm 48,7 përqind të saj, me arsim të mesëm dhe të lartë, nga 62% që është mesatarja e rajonit. Raporti nuk lë pa u nxjerrë në pah edhe fondin prej 3,5 % të Produktit të Brendshëm Bruto ( PBB) që i dha qeveria e Tiranës arsimit vitin e kaluar, në një kohë kur mesatarja në vendet e Ballkanit është 4,6. Ndërsa shpenzimet për kërkimet shkencore në raportin e BB rezultojnë të jenë në nivelin e 0,2 % të PBB ose rreth 10 herë më të ulëta se në vendet e BE. Por shifrat nuk janë gjithshka. Përtej tyre është problemi i cilësisë së dijeve që brezi i ri merr në sistemin arsimor vendas .

Lvovski: rritja e shifrave mos të bëhet në kurriz të cilësisë

Ksenija Lvovski, përfaqësuese e Bankës Botërore në Shqipëri, pranon se ka përpjekje për të rritur numrin e personave që kryejnë arsimin e mesëm dhe të lartë. Por nëse kjo rritje shifrash bëhet në kurriz të cilësisë, atëhere vë në rrezik përfitimet prej saj, që përkthehet përdorimin e kapitalit njerëzor në zhvillimin ekonomik të vendit..

“Banka Botërore beson se investimet në arësim janë nga më të rëndësishmet që një qeveri mund të bëjë për të plotësuar nevojat specifike që zhvillimi i vendit kërkon. Rritja e pjesëmarrjes në shkolla dhe universitete duhet shoqëruar me cilësinë, pasi kjo lidhet me rritjen ekonomike dhe me ngritjen e një ekonomie moderne”, tha Ksenija Lvovski.

Në këtë kontekst BB sugjeron që të ndërmerren masa në mënyrë që të diplomuarit në arsimin e mesëm dhe të lartë të jenë të aftë të thithin ato njohuri që mund të rrisin produktivitetin e ndërrmarrjeve dhe kompanive shqiptare. Kjo kërkon lidhjen e njohurive me përvoja praktike për t'iu përgjigjur nevojave të tregut të punës.

Shkolla "Mihal Grameno"
Shkolla "Mihal Grameno" në TiranëFotografi: DW

“Është e rëndësishme të gjendën mënyra për të afruar më pranë studentët me aktivitetet praktike, prodhuese,” thotë Znj. Lvovski.

Një tjetër sugjerim i BB është futja në masë të gjerë në arsimin e mesëm të ICT, ( Information Communication Tecnology), treinimi i mësuesve për t'u dhënë nxënësve dhe studentëve njohuritë e duhura dhe për t'i bërë ata të përshtatshëm për punët moderne që ofron sot tregu i punës.

Shqipëria- një vend i orientuar drejt teknologjisë dhe globalizmit

Zv. Ministri i Arsimit dhe Shkences, Halit Shamata, thotë se Shqipëria është vërtet një vend i orientuar drejt teknologjisë dhe globalizmit, gjë që e ka shndrruar në një prioritet përdorimin e ICT -së në arsimin e mesëm dhe atë të lartë.

“Kemi ngritur laboratorë kompjuterikë në të gjitha shkollat e Shqipërisë të arsimit parauniversitar. Kemi me lidhje interneti 380 shkolla të mesme, 1477 shkolla të arsimit bazë dhe 250 shkolla fillore, pra gjithë sistemin aersimor në vend. Raporti nxënës kompjuter do të jetë së shpejti , në shkollat e mesme, 15 nxënës një kompjuter."

Bashkëpunim rajonal sfidë për vendet e Ballkanit

Megjithatë për BB mbetet një sfidë për t' u fituar përdorimi i gjerë i ICT në sistemin

arsimor të Shqipërisë. Krahas saj edhe ngritja e shkollave të specializuara në konteks rajonal ku të jepen njohuritë më bashkëkohore, shkolla të njohura, me termin cutting -edge. Kjo pasi vendet e Ballkanit janë të vogla dhe e kanë të vështirë të ndërtojnë secili më vete programme të fuqishme për sektorë të veçantë. Dhe në këtë rast bashkëpunimi rajonal do të rezultojë tepër i frytshëm për secilin vend lidhur me kontributin e njohurive dhe të shprehive praktike të brezit të ri në shërbim të rritjes ekonomike.

Banka Botërore: Shqipëria këtë vit rritje ekonomike prej 3, 3%

Logoja e Bankës Botërore
Logoja e Bankës Botërore

BB parashokon një rritje ekonomike deri në 3,% këtë vit dhe është skeptike për shifrën 5,5 të publikuar nga kryeministri Berisha.

”Vlerësojmë se rritja ekonomike këtë vit, 2010, do të jetë midis 2 dhe 3%, më shumë jemi për 3% . Rritja ekonomike do të jetë më e lartë vitin tjetër”, thotë Ksenija Lvovski.

Ajo shpjegon se ekonomia shqiptare varet shumë nga ekonomia evropiane dhe kërkesat e saj. Rritja ekonomike e Shqipërisë nuk varet vetëm nga kërkesat e brendshme por edhe nga gjithë sa ndodh në tregjet e jashtme, vështirësitë gjithmonë dhe më të mëdha për të tërhequr kapitalet e huaja. Perfaqesuesja e BB në Tiranë thotë për DW-në se situata ekonomike në Evropë është ende e tronditur. Të gjitha vendet e BE-së kanë rënie ekonomike me përjashtim të Gjermanisë që ka shënuar rritje, thekson Z. Lvovski. Por pritet është që kjo situatë të mbarojë dhe rritja të rifillojë dhe kjo do të ndikojë edhe në rritjen ekonomike të Shqipërisë.


Autore: Ani Ruci

Redaktoi: Esat Ahmeti