1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sigurimet pensionale të emigrantëve nga Shqipëria

22 Dhjetor 2010

Autoritetet e Shqipërisë kanë aktivizuar përfaqësitë diplomatike jashtë vendit për të mbështetur procesin e derdhjes së kontributeve të sigurimeve nga ana emigrantëve. Deri tani procesi është konkretizuar me Italinë.

https://p.dw.com/p/zoI7
Evelina Koldashi shpjegon sfondin e sigurimeve...Fotografi: DW


Në degën rajonale të Tiranës të Institutit të Sigurimeve Shoqërore ka shumë qytetarë të interesuar që marrin informacion mbi vitet e punës, nivelin e kontributeve që ju njihen, masa e përfitimit të pensionit etj. Mes tyre ka dhe emigrantë që mbushin formularë dhe dorëzojnë dokumente gjithëfarë.

Alberti, një 49-vjeçar nga Tirana, ka vendosur që ditët e kthimit në atdhe këtë herë t'i shfrytëzojë për të plotësuar të gjithë dokumentacionin e kontributeve për sigurimet shoqërore për vitet kur ka punuar në Shqipëri para viteve ‘90. Janë të shpërndara dhe me vështirësi po i mbledh, thotë ai për DW-në.

“Sepse disa i kam në Berat, ku kam punuar në sektorin shtetëror si dhe atë privat. Kam mbledhur një pjesë, por jo të gjitha kam mundur t'i gjej”, shpjegon ai.

Paqartësitë

Sokrati e ka ndarë aktivitetin e tij të punës mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ai thotë se në mënyrë të përsëritur kur vjen në Tiranë merret me dokumentacionin e sigurimeve shoqërore, por në dosjen e tij sërish mungojnë vërtetime që ja mundësojnë njohjen e të gjitha viteve të punës.

Albanische Migranten aus Griechenland
Emigrantët shqiptarë në Greqi.Fotografi: DW

“Se në çfarë periudhe më takojnë këtë ende nuk e kam marrë si informacion. Për kohën e punës në Greqi ma kanë thënë se sa më takojnë, kurse për këtu në Shqipëri nuk e kam shumë të qartë”, thotë ai.

Dikush tjetër tregon se për vitet e punës në Shqipëri ka hapur proces gjyqësor, pasi në fabrikën ku ka punuar para viteve ‘90 nuk gjendet arkivi i kontributeve. Për të lehtësuar sa më shumë procesin e interesimit nga ana emigrantëve shqiptarë dhe plotësimin e dokumentacionin për vitet e punës në Shqipëri ka pasur së fundi një marrëveshje mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH). Në thelb marrëveshja parashikon që në mbështetje të ISSH-së, Ministria e Punëve të Jashtme do të verë në dispozicion infrastrukturën e saj të përfaqësive diplomatike e konsullore shqiptare në shërbim të emigrantëve.

Shërbimi falas për emigrantë

Drejtoresha e përgjithshme të ISSH-së, Evelina Koldashi, thotë për DW-në se shërbimi për emigrantët në çdo rast do të jetë falas.

“Informacion lidhur me mbrojtjen sociale dhe sistemin e sigurimeve në Shqipëri, informacion për ekzistencën e skemave të kontributeve vullnetare, procedurat dhe mënyrat se si mund të gëzohen këto skema dhe gjithashtu një informacion tjetër lidhur me historikun e tyre kontributiv në kohën kur ata kanë qënë përfshirë në skemën shqiptare. Me kërkesën e emigrantëve atyre do t'u bëhet me dije se cili është minimumi për të përfituar nga kjo skemë për rastin e pensioneve të pleqërisë, për atë të invaliditetit, ose për pensionin që përfiton kur humb jetën ndonjë pjestar i familjes”, shpjegon Koldashi.


Procesi është saktësuar me Italinë

Në Institutin e Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë thonë se deri më tani procesi është konkretizuar dhe po konsolidohet me Italinë fqinje, ku besohet se jetojnë e punojnë rreth 450 mijë emigrantë shqiptarë. Por sipas një axhende të planifikuar informimi dhe asistenca për emigrantët do të nisë të aplikohet qysh nga janari i vitit 2011 dhe në shtete të tjera.

Por a mundet psh., që një emigrant që jeton në Gjermani t'a marrë informacionin që prej andej, pa ardhur fare në Shqipëri, a mundet që të ndjekë procedurat dhe të bëjë derdhjen e kontributit të sigurimeve nëpërmjet përfaqësisë diplomatike shqiptare? Evelina Koldashi përgjigjet se kjo është plotësisht e mundur.

“Plotësohet një kontratë mes emigrantit të interesuar dhe punonjësit të ambasadës që të trajnuar nga ISSH-ja. Ky dokument vjen në Tiranë në variant elektronik për t'u verifikuar. Që në momentin që vërtetohet se gjithshka është në rregull atëhere nëpërmjet bankës ku operon emigranti mund të bëhet pagesa e kontributit në llogari të ISSH-së. Pas konfimimit të pagesës atëhere në ambjentet e përfaqësisë diplomatike plotësohet libreza e sigurimeve shoqërore për periudhën e likujduar. Ky është dhe dokumenti njohës zyrtar për kontributin. Pra, gjithshka realizohet në vendin ku emigron, pa qënë nevoja për t'i bërë veprimet në degët tona në rajone të ndryshme të vendit”, pohon Koldashi.

Mungesa e informimit

Albanische Migranten aus Griechenland
Fotografi: DW

Sipas ekspertëve janë jo të pakta rastet që qytetarët vetëm për mungesë informimi e orientimi për procedurat e kontributeve humbin nga e drejta e tyre e pensionit.

“Minimumi i kohës për pagesën e sigurimeve në Shqipëri është 15 vjet. Ka shumë emigrantë, madje dhe nga ata që jetojnë në Gjermani që kanë të themi 13 vjet ose 14 vjet. Të digjesh për të përfituar një mbrojtje të caktuar afatgjatë të pambuluar nuk do të ishte efikase. Të jetosh si emigrant jo për gjithkënd është e lehtë, është mbijetesë”, thotë për DW, Evelina Koldashi, drejtore e përgjithshme e ISSH-së.

Ajo shton se institucioni i saj është në një proces dixhitalizmi të të dhënave për cilindo që derdh kontribute në skemën shqiptare të sigurimeve. Bëhet fjalë për krijimin e llogarive individuale për gjithësecilin. Në fazën aktuale po përparohet me të gjithë ata që kanë jetuar në zonat rurale, para dhe pas viteve '90. Më pas procesi do të shtrihet për zonat urbane në të gjithë vendin. Hartimi i një arkivi të dixhitalizuar në rang kombëtar do t'i vlejë, sipas ekspertëve, edhe emigrantëve. Që ata të gjejnë dhe kalkulojnë fare kollaj masën e kontributeve që kanë derdhur kur kanë punuar në Shqipëri dhe sa përfitojnë konkretisht nga skemat mbrojtëse të sigurimeve shoqërore.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Bahri Cani