1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sida dhe ndryshimi i klimës në fokus të takimit të G8-ës në Berlin

Marsel Fyrstenau28 Mars 2007

Të hënën dhe të martën më 26 dhe 27 mars në Berlin u mblodhën ministrat për zhvillimin nga vendet e industrializuara të grupit G8 për të biseduar mbi masat globale në luftën kundër varfërisë, HIV/Sida-s dhe ndryshimit të klimës.

https://p.dw.com/p/AqX0
Takimi i ministrave të zhvillimit të G8-ës në Berlin
Takimi i ministrave të zhvillimit të G8-ës në BerlinFotografi: AP

Për herë të parë në këtë takim ishin të pranishëm edhe politikanë e ekspertë nga Kina, India, Brazili, Meksika dhe Afrika e Jugut.

Një "takim historik" kështu e cilësoi konferencën në Berlin ministrja gjermane e zhvillimit, Heidemarie Wiczorek-Zeul. Në fakt ky takim ishte një premierë, sepse politikanë nga vendet e industrializuara të G8-ës dhe nga vendet në fazën e industrializimit kanë diskutuar për tema si: lufta kundër varfërisë, ndryshimi i klimës dhe qeverisja e mirë. Një vëmendje e veçantë i kushtohet në këtë takim luftës kundër sëmundjes së dobësimit të imunitetit, HIV/Sida. Përpara pesë vjetësh në samitin e G8-ës në Xhenova shtetet kryesore të industrializuara morrën përsipër krijimin e një fondi të përgjithshëm për këtë qëllim. 3,4 miliardë dollarë amerikanë janë lëvruar deri më sot prej nga duhet të përfitojë kryesisht Afrika. Në të ardhmen duhet t´u kushtohet më shumë vëmendje grave, thekson ministrja gjermane e zhvillimit: "Kjo sepse gratë bëjnë pjesë në grupin më të infektuar në Afrikë. Apeli ynë është: që nëse duhet riplotësuar ky fond, vendet e G8-ës duhet të japin kontribute të dukshme."

Konkretisht kjo do të thotë, që paratë e ndihmave që mund të presin vendet e prekura prej Sidas në Afrikë, apo vende të tjera duhet të përcaktohen në samitin e kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të G8-ës në qershor në Heiligendam. Që duhet të vazhdohet fondi i përgjithshëm, për këtë s´ka asnjë dyshim, nënvizoi ministrja britanike e zhvillimit Hilary Ben: "Në Afrikë kohët e fundit kemi parë përparime të dukshme: me trajtimin e Sidas ne ndërkohë kemi arritur mbi një milionë njerëz. Përpara pesë, gjashtë vitesh numri i të trajtuarve nuk ishte as 100.000, pra një e pesta. A është kjo rritje e mjaftueshme? Natyrisht që jo! Eshtë ky një përparim? Po, ky është një përparim i dukshëm. Ndaj unë e përshëndes shumë që ne t´i përmbahemi detyrimit tonë."

Një tjetër pikërëndesë e takimit të ministrave të zhvillimit nga vendet e G8-ës në Berlin ishte çështja e mikro-kredive. Kreditë e vogla, që kanë për qëllim të aftësojnë njerëzit e prekur prej varfërisë që të krijojnë ekzistencën e tyre, qofshin këta bujq, bukëpjekës, zanatçinj apo tregtarë. Amerikani Xhejms Kunder e preferon këtë metodë të ndihmës për t´u vetëndihmuar për disa arësye: "Ne jemi për dhënien e mikro-kredive duke e parë këtë si një rrugë për forcimin e rritjes ekonomike në Afrikë. Kjo i përshtatet mësë miri qëllimit për krijimin vet të kapitalit në Afrikë. Bashkë me investuesit e huaj synohet që me këtë të kontribuohet për rritjen ekonomike dhe hapjen e vendeve të punës në Afrikë."

Shpresa të mëdha kanë ministrat e zhvillimit të vendeve të G8-ës edhe tek e ashtuquajtura iniciativa-transparencë në kontekstin e të ardhurave financiare prej shitjes së lëndëve të para, e kryesisht të gazit dhe të naftës. Kësaj iniciative i janë bashkangjitur ndërkohë 20 vende, ndër to Nigeria, Angola, Gana, Kazakistani, Kirgistani, Boliva dhe Peruja. Të gjitha këto vende janë zotuar të krijojnë transparencë për atë se çfarë bëhet me paratë e shitjes së lëndëve të para. Ajo që presin politikanët për zhvillimin prej kësaj është e qartë, siç thekson ministrja gjermane Heidemarie Wiczorek-Zeul: "Ne duam, që këto të ardhura të investohen vërtetë në luftën kundër varfërisë në vendet përkatëse dhe që mundësisht në këtë iniciativë të përfshihen edhe shumë vende të tjera."

Se sa e rëndësishme është iniciativa e transparencës, këtë e bën të qartë situata në rajonin e Sub-Saharasë, një prej zonave me rritjen më të shpejtë të nxjerrjes së naftës: në vitin 2005 tetë vendet më të rëndësishme të naftës kanë marrë 35 miliardë dollarë amerikanë nga shitja e naftës. E megjithatë ky rajon konfrontohet me problemet më të mëdha të luftës kundër varfërisë.